Ekonomia

Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, lehtësira fiskale për investitorët

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të celë në 15-ditëshin e parë të qershorit tenderin për zhvillimin e zonës industriale të Spitallës, që parashikon një sipërfaqe prej 500 hektarë, ndërsa do të vijojë me përgatitjet për dy zona të tjera, Koplik dhe Vlorë, me qëllim, rivitalizmin e zonave mes ofrimit për investitorët si një instrument i rëndësishëm ekonomik.
Sipas burimeve në ministri, ka pasur projekte të ndryshme të hartuar më parë për zonat e lira, por asnjë prej tyre nuk u bë realitet. Burimet cilësojë disa nga arsyet e dështimit të projekteve për 9 zona të lira, si moszbatimi i kontratave, mungesa e lehtësirave fiskale për zhvilluesit dhe përdoruesit e zonave, problemet e pazgjidhura.
Për riaktivizimin e projekteve, MZHETTS ka përgatitur një ligj të ri për zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, që përfshin lehtësira të rëndësishme dhe konkurruese ligjore dhe proceduriale dhe që është hartuar në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillim (CID) pranë Universitetit të Harvardit.
Projektligji parashikon lehtësi fiskale, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Kështu, në një zonë të lirë industriale hyrja dhe dalja e mallrave në apo nga zonat, formalitetet dhe procedurat do të bëhen sipas dispozitave të Kodit Doganor.
Zhvilluesit dhe përdoruesit do t’u ulet 50% pagesa e normës së tatim-fitimit për 5 vitet e para. Zhvilluesit ose përdoruesit që do të investojnë në zonë, brenda 3 viteve nga fillimi i veprimtarisë ekonomike të zonës, i njihen si shpenzime të zbritshme të periudhës tatimore, 20 për qind e shpenzimeve kapitale vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit sipas ligjit të tatim fitimit, për periudhën e parë 2-vjeçare.
Furnizimi i mallrave shqiptare për t’u vendosur në zonë konsiderohen si furnizim për eksport me ‘zero” TVSH, ndërsa do të përjashtohet projekti i zhvillimit nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Ndërtimet e realizuara në zonë do të përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për 5 vjet.
Zhvilluesit ose përdoruesit e zonës përjashtohen nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Shpenzimet për paga dhe kontributet shoqërore dhe shëndetësore që punëdhënësi paguan për punëmarrësin, njihen 150 % e vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit.
Kostot e trajnimit të punonjësve në zonat teknologjike dhe zhvillimit ekonomik për efekt të llogaritjes së tatim-fitimit do të njihen si shpenzime të njohura në periudhë tatimore me dyfishin e vlerës për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike. Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim do të njihen si shpenzime në dyfishin e vlerës për periudhën e parë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë.
Gjithashtu, zhvilluesi i zonës ekonomike do t’i bëjë vetëm në një institucion marrjen e licencave, lejeve në një institucion, i cili do të realizojë të gjithë procedurat burokratike për zhvilluesin dhe investitorët në zonën industriale. Brenda zonës ekonomike do të ketë një njësi fiskale doganore dhe tatimore, të dedikuar për zonën ekonomike, si shërbim i unifikuar për të gjithë investitorët brenda zonës ekonomike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button