Ekonomia

Zv/ambasadori i SHBA: Korrupsioni i përhapur, duket sikur s’doni të bëni biznes me kompani të mëdha

Rudina HOXHA

Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri”. Ky është mesazhi kryesor që zëvendësambasadori amerikan, David Muniz nënvizon fort në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”.

Diplomati amerikan thotë se, “me standardet shqiptare, zgjedhjet e 25 qershorit ishin shumë të mira”. Por, ai është i shqetësuar për funksionimin e sistemit të drejtësisë, si parakusht i zhvillimit ekonomik të vendit.

“Të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera. Një gjë e tillë mund të bëjë që ta kalosh Shqipërinë dhe të shikosh diku tjetër”, thotë Muniz në intervistën për “GSH”.

 

Cilat ishin ndjesitë e përgjithshme që morët nga zgjedhjet dhe mënyra se si ato u zhvilluan?

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mobilizoi 34 ekipe monitoruese në zgjedhjet e shkuara në Shqipëri. Ne sollëm disa nga kolegët tanë nga vendet fqinje për të na ndihmuar në këtë detyrë. Ne gjithashtu mbështetëm misionin monitorues të OSBE-së me një grup ekipesh, ndërsa USAID vuri në dispozicion fonde për të mbështetur monitoruesit lokalë. Pra, ne patëm një përfshirje të madhe në këto zgjedhje. Dhe më duhet të them pikë së pari, urime popullit shqiptar për këto zgjedhje të zhvilluara kaq mirë. Ato shkuan shumë mirë, pa probleme dhe në mënyrë efikase dhe njerëzit patën akses nëpër qendrat e votimit.

Mendoj se të gjithë ne mbetëm veçanërisht të impresionuar nga të gjithë ata njerëz, që vullnetarisht ndihmuan në bërjen e këtyre zgjedhjeve të mundshme. Ishte një spektakël të shikoje dhjetëra, mijëra njerëz anembanë Shqipërisë të dilnin në një ditë pushimi, tepër, tepër të nxehtë në shumë nga qytetet e vendit, dhe të punonin me orë të stërgjata për të bërë të mundur që çdo gjë të shkonte si duhet.

Nga ajo që pashë personalisht, nga një numër komisionesh në qendrat e votimit, këto zgjedhje ishin impresionuese. Disa nga anëtarët e ekipit tonë nxorën në pah shkelje të caktuara, parregullsi të caktuara dhe ne e vumë re këtë edhe nga komentet e disa misioneve të tjera. Por, ashtu siç e nënvizoi edhe deklarata jonë, në fund të zgjedhjeve, këto nuk ndikuan në rezultatin final të zgjedhjeve dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Duke marrë për bazë standardet këtu në Shqipëri, këto zgjedhje ishin shumë të mira. Ne mezi po presim të punojmë me qeverinë e re mbi prioritetet e rëndësishme si zbatimin e reformës në drejtësi, për shembull edhe objektivave të tjera që ne ndajmë.

Meqenëse po flasim për ekonominë, a shikoni shumë investime amerikane në Shqipëri?

Nuk shikojmë aq shumë investime sa do të donim. Ne duam të shohim më tepër investime dhe do të donim ta shikonim marrëdhënien ekonomike si vitale, sepse është një shenjë e mirë për të dyja vendet, kur ne ndajmë një marrëdhënie të fortë ekonomike. Ekzistojnë disa sfida për investitorët amerikanë në Shqipëri.

Është çështja e korrupsionit për të cilën është folur shumë sa u takon investimeve të huaja. Kjo adreson çështjet që kanë të bëjnë me tenderat publikë dhe çështjet e lidhura me të drejtën e pronës, të cilën mund ta diskutoj më në detaje. Por këto janë gjëra që ne i dëgjojmë vazhdimisht nga investitorët amerikanë dhe për të qenë të sinqertë, edhe nga disa investitorë të huaj jo-amerikanë. Çështja e korrupsionit është shumë e përhapur këtu. Të krijon përshtypjen se Shqipëria është një vend, që ndoshta nuk do të bëjë biznes sidomos me kompani të mëdha, të cilat kanë edhe opsione të tjera. Një gjë e tillë mund të bëjë që ta kalosh Shqipërinë dhe të shikosh diku tjetër. Lufta kundër korrupsionit është e rëndësishme për të ndryshuar këtë imazh. Gjithashtu, e rëndësishme është të ndryshojmë eksperiencën aktuale të investitorëve, sapo ato të mbërrijnë në këtë vend. Ja përse sistemi i drejtësisë është kaq i rëndësishëm dhe ne dëgjojmë mjaft për këtë gjë nga investitorët amerikanë. A mund të zbatojmë një kontratë? A mund të mbështetemi tek gjykatat për një zbatim të njëllojtë të ligjit? A mund të parashikojmë se si do të jetë mjedisi kur ne të punojmë këtu? Prandaj, krahas të gjitha arsyeve politike dhe ato të lidhura me BE-në, ne promovojmë reformën në drejtësi, sepse është vitale për t’u ardhur në ndihmë investitorëve të huaj dhe atyre amerikanë në rritjen e ekonomisë. Të bësh sistemin e drejtësisë të funksionojë në një mënyrë më efikase, të efektshme dhe të drejtë do të jetë kritike për të parë zhvillim ekonomik në Shqipëri.

Çështja e pronës, si fizike ashtu edhe intelektuale, ndikohet prej kësaj gjëje. Kështu, shumë nga çështjet në gjyqe lidhen me çështjet e pazgjidhura të pronës dhe ne e dëgjojmë herë pas here këtë gjë nga investitorët. Nëse blej një pronë, a do t’i kem të drejtat ndaj saj? Çfarë ndodh nëse dikush tjetër pretendon se i ka këto të drejta ndaj kësaj prone dhe ne s’mund ta zgjidhim këtë gjë? Kjo është diçka bazike për çdo investitor të huaj. Nëse ata nuk mendojnë se investimi i tyre do të jetë i sigurt, është e vështirë për ta që të vijnë në këtë treg.

Në të njëjtën mënyrë, kemi parë shkelje të caktuara të asaj që ne e quajmë pronë intelektuale si për shembull, filma, ‘software’, të drejtat e publikimit e të tjera. Situata është përmirësuar pak në këtë drejtim, por ne dëgjojmë rreth kësaj çështjeje nga industria amerikane. Pra, edhe njëherë, nëse ju mund t’i zbatoni këto të drejta në gjykatat këtu, mjedisi do të jetë më i mirë. Investitorët nuk presin që gjithçka të jetë perfekte në këtë vend, por ata presin të vijnë në një vend ku nuk ka mosmarrëveshje që kanë nevojë të zgjidhen. Prandaj, sistemi i drejtësisë është kaq i rëndësishëm.

Gjithashtu do të përmend edhe tenderat publikë. Ne gjithmonë nxisim qeverinë të jetë transparente, e hapur dhe e efektshme në mënyrën se si i drejton tenderat publikë. Ne ndoshta dëgjojmë më shumë rreth kësaj çështjeje nga amerikano-shqiptarët, të cilët kanë fonde dhe duan t’i investojnë këtu në Shqipëri. Ata flasin për këto sfida ndoshta më shpesh se sa kompanitë më të mëdha dhe më ndërkombëtare. Një nga gjërat që ne fort besojmë është se nëse amerikano-shqiptarët do të kenë mundësi të kthehen në Shqipërinë dhe të investojnë, kjo do të ishte një gjenerator shumë i rëndësishëm për më tepër investime dhe zhvillim. Ata mund të japin kontribute të rëndësishme. Por shumë herë, ne dëgjojmë nga investitorët amerikano-shqiptarë se ata trajtohen, sipas pikëpamjes së tyre, ndoshta edhe më ashpër se sa kompanitë e mëdha amerikane kur kthehen në vendin e tyre.

Cila janë prioritetet e Shteteve të Bashkuara ndaj ekonomisë shqiptare?

Shqipëria ka një potencial të mahnitshëm për zhvillim ekonomik në disa sektorë. Sa u takon investitorëve amerikanë, ekzistojnë disa sektorë ku ju mund të shihni më shumë interes nga ana e tyre. Shqipëria është ende një vend relativisht i vogël dhe një treg i vogël. Aktualisht firmat amerikane, që janë më aktive, janë konsumatorët e mëdhenj të mallrave apo kompanitë e shërbimeve që tregtojnë kudo nëpër botë si “Coca-Cola”, “Microsoft”, “Philip Morris”. Ato shesin produkte kudo dhe Shqipëria është një nga tregjet në rajon që ato mbulojnë. Mendoj se ju mund të shihni më shumë interes nga këto lloje firmash, ndërsa ekonomia e vendit zhvillohet gjithnjë e më shumë.

 

Një fushë tjetër ku mund të shihni interesin e Shteteve të Bashkuara në të ardhmen është turizmi. Ai është një pjesë e madhe e ekonomisë shqiptare sot për sot dhe ka potencialin të zhvillohet, duke u sofistikuar dhe si një përqindje e ekonomisë. Ju keni nevojë të shihni më shumë zhvillim në këtë sektor përpara se të shihni shumë firma të vërshojnë drejt tij, specifikisht në fushën e aftësive të mikpritjes, siç e quajmë ne.

USAID, për shembull ka realizuar shumë projekte për të zhvilluar turizmin dhe specifikisht në trajnimin e të rinjve që punojnë në këtë industri dhe plotësimin e standardeve më të larta. Por, potenciali është shumë i madh dhe unë shikoj interes në turizmin shqiptar në vitet e ardhshme.

Një fushë tjetër ku ne shikojmë shumë potencial është energjia. Ekzistojnë rezerva nafte dhe gazi në Shqipëri që duhet të zbulohen. Por, të gjithë treguesit janë të tillë që tregojnë ekzistencën e tyre. Do të duhen shumë investime për t’i nxjerrë këto rezerva nga toka dhe më pas në treg. Gjithashtu, kjo do të kërkojë disa ndryshime në ekonominë globale; çmimi i naftës ka qenë i ulët për disa vite dhe kjo e ka mbajtur situatën disi të qetë, por nëse çmimi do të rritet në një moment të caktuar në të ardhmen, unë pres që të shihni interes nga ana e disa kompanive të mëdha amerikane dhe firmave ndërkombëtare të energjisë. Ne shpesh dëgjojmë prej tyre. Ata kanë interes për tregun shqiptar dhe i mbajnë sytë tek ai.

Si e shikoni rolin e projektit TAP?

Projekti TAP është një sukses i mahnitshëm. Mendoj se qeveria duhet të lëvdohet në mbështetjen e saj ndaj TAP. Mendoj se është një projekt i rëndësishëm për furnizimin e Europës me gaz dhe ai do të ndihmojë në stimulimin e zhvillimit të tregut të gazit në Shqipëri. Jo në fazën e tij fillestare, kur do të fillojë të funksionojë, por në vitet që do të vijnë, do të ketë potencial për Shqipërinë si për të blerë gaz nga TAP dhe ndoshta të shesë gaz nga kjo linjë gazi. Kjo do të stimulojë të gjitha llojet e zhvillimit në Shqipëri. Mendoj se është një projekt shumë domethënës dhe një nga ato që do ta vendosë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare, sidomos në botën e energjisë.

Së fundmi, ne kemi folur shumë për fuqizimin e kontakteve të tregtisë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Si e shikoni këtë lidhje dhe a jeni ju në favor të një tregu të përbashkët rajonal?

Është një pyetje interesante. Kam shërbyer më parë në Kosovë dhe Mal të Zi. Pra, jam i njohur me rajonin dhe ekonomitë e vendeve këtu. Por, isha shumë i befasuar kur kuptova se volumi i tregtisë midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte aktualisht shumë i vogël, duke marrë parasysh edhe pritshmëritë. Dhe ka arsye historike dhe fizike për një gjë të tillë. Kjo ka filluar të ndryshojë. Ne shohim sot lidhje më të mira transporti midis dy vendeve. Po zhvillohet më shumë tregti, pra ka potencial për zhvillim në këtë drejtim.

Në aspektin e një tregu të përbashkët apo tregtie rajonale, mendoj se ne gjithmonë mund t’i stimulojmë vendet, sidomos në këtë rajon për të gjetur mënyra për rritjen e tregtisë, marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e tregjeve rajonale. Do ta shikoj këtë çështje nga një aspekt shumë i gjerë. Për shembull, vendet e ish-Jugosllavisë ende bëjnë tregti me njëra- tjetrën, sepse ky është modeli i tregtisë që ato të gjithë kanë zhvilluar. Këto modele mbizotërojnë dhe ato ende mund të fuqizohen. Shqipëria duhet të kërkojë të bëjë tregti me të gjitha këto vende për të rritur vlerën e eksporteve dhe potencialin e saj dhe të kërkojë avantazhe. Mendoj se Shqipëria ka shumë gjëra për të ofruar, që disa nga këto vende nuk i kanë dhe e kundërta. Këto vende kanë mallra dhe shërbime për t’i ofruar Shqipërisë. Ka shumë potencial në këtë drejtim. Dhe padyshim në një rajon, që ka pjesën e vet të konfliktit dhe ndasive, kjo lloj tregtie rajonale, nëse mund të zhvillohet më tej, mund të kontribuojë mjaft në afrimin e rajonit si një i tërë me BE-në dhe vendet me njëri-tjetrin dhe në rritjen e stabilitetit. Pra, kjo është diçka që ne duam ta shikojmë.

Ne kemi dëgjuar shumë njerëz në rajon të flasin për këtë temë dhe ata duan ta shikojnë këtë lloj zhvillimi rajonal, që sjell siç e dini, heqjen e barrierave jo tarifore, më tepër infrastrukturë, duke e bërë më të lehtë qarkullimin e mallrave. Përsëri kjo na çon tek çështja e korrupsionit. Zyrtarët e doganave e dinë si ta lehtësojnë këtë tregti dhe ne nuk do të kemi llojet e problemeve me të cilat ne shpesh ballafaqohemi. Mendoj se sfidat në të gjitha këto vende janë të njëjta me ato që Shqipëria ballafaqohet dhe vendi juaj duhet të punojë për zgjidhjen e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button