Zvicra me 10 milionë banorë: Pse mërgata duhet të interesohet për referendumin e 14 qershorit?
Për aq kohë sa e lejon ligji, shtetasit e Kosovës me banim në botën e jashtme kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset elektorale në Kosovë. Megjithatë, do të ishte e udhës që më në fund të tregohet interesim më i madh i mërgatës për proceset politike në Zvicër.
Politikanët e Kosovës këtë fundjavë qëndruan në Zvicër për të mobilizuar përkrahësit e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 7 qershor. Pas zgjedhjeve të shkurtit dhe dhjetorit 2025, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës.
Zvicra është vend liberal dhe deri më tani është treguar tolerante, sidomos ndaj politikanëve të Kosovës, të cilët një pjesë të fushatës elektorale e zhvillojnë jashtë vendit. Në disa raste, Gjermania ka kufizuar mbajtjen e tubimeve elektorale, sidomos për politikanë të partisë qeverisëse në Turqi, pra partisë së presidentit Recep Tayyp Erdogan.
Për aq kohë sa e lejon ligji, shtetasit e Kosovës me banim në botën e jashtme kanë të drejtë të marrin pjesë në proceset elektorale në Kosovë. Megjithatë, do të ishte e udhës që më në fund të tregohet interesim më i madh i mërgatës për proceset politike në Zvicër. Shumë prej shqiptarëve me banim në Zvicër janë shtetas të këtij vendi dhe kanë të drejtë të votojnë në referendume e të marrin pjesë në zgjedhje.
Për fat të keq, interesimi nuk është aq i madh. Shpesh dëgjohen njerëz duke thënë se “as që e hapi zarfin për të plotësuar materialin zgjedhor”. Kjo nuk është qasje e duhur. Vendimet politike, zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në sigurimet sociale prekin direkt edhe shqiptarët me banim në Zvicër. Ata janë taksapagues në Zvicër, pasaporta zvicerane i bën qytetarë të barabartë, rrjedhimisht duhet të sillen si të tillë.
Andaj do të ishte në favor të mërgatës që interesimi për politikën zvicerane të ishte po aq i madh sa ai për Kosovën. Sidomos këto ditë, në vlugun e fushatës për referendumin e 14 qershorit në Zvicër. Ky është njëri nga referendumet më të rëndësishme të viteve të fundit.
Cili është qëllimi i referendumit? Nisma “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë! (Nisma për qëndrueshmëri)” kërkon kufizimin e popullsisë rezidente të përhershme në Zvicër: para vitit 2050, popullsia e Zvicrës duhet të mbetet nën 10 milionë banorë. Nëse popullsia rezidente e përhershme do ta kalonte 9,5 milionë persona para vitit 2050, atëherë qeveria dhe parlamenti do të duhej të merrnin masa, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar.
Në rastin më të keq, mund të ketë kufizime, komplikime apo edhe ndalim të bashkimit familjar, nëse, për shembull, një shqiptar në Zvicër dëshiron të sjellë partneren apo partnerin nga viset shqiptare në Zvicër.
Në fund të vitit 2025, në Zvicër jetonin rreth 9,1 milionë persona. Që nga hyrja në fuqi e lëvizjes së lirë të personave në vitin 2002, popullsia është rritur me rreth 1,7 milionë persona. Ky është kryesisht rezultat i imigrimit. Numri i njerëzve që emigrojnë drejt Zvicrës varet sidomos nga tregu i punës. Kur ekonomia lulëzon, kompanitë nuk gjejnë mjaftueshëm fuqi punëtore në Zvicër. Atëherë kompanitë, por edhe institucionet publike si spitalet dhe azilet për pleq, rekrutojnë shpesh specialistë të nevojshëm nga vendet e BE-së.
Në rast se referendumi kalon, Zvicra në të ardhmen mund të përballet me presion nga BE-ja, pasi qeveria zvicerane do të ishte e shtyrë të negocionte klauzola përjashtimi dhe mbrojtjeje në marrëveshjet ndërkombëtare që kontribuojnë në rritjen e popullsisë.
Raporti mes Zvicrës dhe BE-së është kryesisht pragmatik dhe ekonomik. Zvicra nuk është anëtare e BE-së, por dëshiron qasje të gjerë në tregun e përbashkët evropian për eksportet, shërbimet dhe ekonominë e saj. BE-ja ka kërkuar që kjo qasje të shoqërohet me pranimin e disa rregullave themelore të tregut të brendshëm, përfshirë lëvizjen e lirë të personave. Për këtë arsye, Zvicra hapi tregun e punës për shtetasit e BE-së përmes marrëveshjes së lëvizjes së lirë të personave.
Nisma është lansuar nga Partia Popullore e Zvicrës (SVP), e cila ka një qasje kundërshtuese ndaj të huajve. Në të kaluarën, kjo parti ka zhvilluar fushata direkte kundër mërgatës shqiptare. Për njërën prej tyre janë dënuar disa funksionarë të lartë të partisë – dhe janë dënuar për racizëm. Por ka edhe politikanë të SVP-së, të cilët janë më të moderuar ndaj komunitetit shqiptar.
Nisma e SVP-së në shikim të parë është joshëse, sepse prek ndjeshmërinë e shumë banorëve të Zvicrës. Sado absurde të tingëllojë, ka edhe shqiptarë që thonë: “Këtu po vijnë shumë të huaj”. Kjo nuk është patjetër e pasaktë dhe vërehet çdokund. Për një familje me buxhet mesatar është e pamundur të gjejë një banesë të përballueshme në Cyrih.
Trenat janë të stërngarkuar (në mëngjes dhe mbrëmje), për këtë arsye zviceranët kanë shpikur një fjalë: “Dichtestress”, stresi që vjen nga dendësia. Të ardhurit në Zvicër, kryesisht nga vendet e BE-së, punojnë shpesh në punë ku kërkohen kualifikime të larta. Në punë komunikojnë në anglisht dhe nuk ndiejnë nevojë të mësojnë gjermanishten, aq më pak dialektin e zorshëm të Zvicrës gjermane, i cili është pjesë e rëndësishme e identitetit.
Me përjashtim të SVP-së, të gjitha partitë e tjera relevante janë kundër nismës. Ato argumentojnë se nisma premton diçka që është e pazbatueshme pa pasoja për Zvicrën. Mund të rrezikohet, për shembull, qasja në tregun e BE-së. Si shtet që eksporton shumë, Zvicra do të vuante pasojat e çdo prishjeje të raporteve me BE-në.
Gazetat kryesore të vendit si “Tages-Anzeiger” dhe “Neue Zürcher Zeitung” po ashtu janë shprehur kundër nismës në komentet e tyre kryesore. Edhe politikanët me origjinë shqiptare, të cilët janë aktivë në Zvicër, në një video të përbashkët kanë dalë kundër nismës. Në ditët në vijim, secili qytetar me të drejtë vote do të marrë me postë materialin me fletëvotim në referendum. Janë më pak se 5 minuta punë. Merrni pjesë! Është shumë më lehtë se pjesëmarrja në zgjedhjet e Kosovës. /Telegrafi/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.