Zv/presidentja Parlamentit Europian: Ju lutem mos e prekni Vjosën, ndërtoni HEC-e të tjera
Zëvendëspresidentja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, një adhuruese e natyrës shqiptare, është nga lobueset më të forta kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumin e Vjosës. “Lumi i Vjosës është i vetmi në Europë, që është në rrjedhje të lirë”, ka pohuar ajo gjatë një takimi me gazetarë nga Shqipëria në Parlamentin Europian në Bruksel.
Është e vërtetë që Shqipëria ka nevojë për energji, thotë ajo, por jo në këtë lumë.
Në këtë zonë, sugjeron ajo, Shqipëria mund të bëjë investime në ekoturizëm.
Lunacek thotë se ajo ia ka shprehur dhe kryeministrit shqiptar mendimin e saj, por gjithsesi shton se në Shqipëri, tani e gjithë vëmendja është e përqendruar te zgjedhjet.
Lunacek, e cila ka vizituar kanionet e Vjosës, pohon se nuk ka një studim të qartë për të evidentuar se çfarë flore dhe faune ka në atë zonë.
“Para çdo projekti është shumë e rëndësishme të bëhet vlerësimi mjedisor”.
Ajo shprehet skeptike nëse vlerësimi që po bëhet nga firma turke është në linjë me standardet europiane të energjisë, një element që është shumë i rëndësishëm.
Po të bllokohet uji, flora nuk do të mbijetojë, ndërsa nuk dihen as pasojat e përmbytjeve të banorët, duhen bërë seanca dëgjimore me ta.
“Ndërtoni HEC-e të tjera, por ju lutem lëreni Vjosën”, është mesazhi final i zëvendëspresidentes së Parlamentit Europian.
Projektet e mëdha mbi Vjosë
Deri më tani, qeveria shqiptare ka dhënë lejen për të ndërtuar një hidrocentral në lumin e Vjosës ai i Poçemit.
Tenderi i zhvilluar në mars të vitit 2016 ka shpallur fituese për ndërtimin e këtij HEC-i kompaninë turke Çinar-San Hafriyat Nakliyat inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi.
Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania turke do të investojë rreth 100 milionë euro për hidrocentralin e Poçemit. Koha e ndërtimit është parashikuar 3 vite, ndërsa sasia e prodhimit do të jetë 95 MW kilovat/orë energji në vit. Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit, pas projektit të kaskadës së Devollit.
HEC-i Poçemit është i dyti në rrjedhën kryesore të lumit pas atij të Kalivaçit që ka dështuar të ndërtohet deri më tani, për shkak të problemeve që ka kaluar kompania e kontraktuar për ndërtimin e tij.
Studimi i studios franceze Sogreah, e cila analizon skemat e mundshme të shfrytëzimit të potencialit ujor të lumit Vjosa, që qeveria shqiptare e ka si referencë, parashikon ndërtimin e 25 hidrocentraleve në lumin Vjosë.
Monitor zotëron të plotë studimin prej 140 fq. të studios “Soegrah”, me titull “Consultants’ services for assessment of Power generation potential of selected Albanian rivers“.
Kapaciteti i instaluar i propozuar, sipas Sogreah për lumin Vjosa është 458 MW dhe prodhimi i energjisë parashikohet të 1810 GWh, duke përfshirë edhe Kalivaçin. Këto shifra janë të përafërta me studimet e deritanishme që shohin një kapacitet prodhimi prej 498 MW në Vjosë.
Ndër 25 HEC-et projektuara në Vjosë, më të mëdhatë janë ai i Kaludhit, Dragotit, Kalivaçit, Poçemi dhe Karbonarit.
Lumi Vjosa rrjedh në jug të Shqipërisë. Gjatësia e saj është 272 km nga të cilat 80 km janë në Greqi. Ujëmbledhësi i saj është rreth 6704 km2 nga të cilat 4365 km2 në territorin e Shqipërisë. Lartësia mesatare e pellgut parashikohet 855 metër. Burimi i Vjosës është malet e Pindit në Greqi.
Lumi hyn në Shqipëri në Berat. Në Shqipëri deri në Urën e Dragotit lumi rrjedh nëpër një luginë relativisht të ngushtë me përjashtim të disa pjesëve të vogla të gjera me tarraca të ulëta të vendosura në të dy anët e lumit. Midis Këlcyrës dhe Dragotit, lumi rrjedh nëpër grykën Këlcyrë.
Pas Selenicës, brigjet e lumit janë më të buta dhe të më të ulëta. Vjosa derdhet në detin Adriatik në afërsi të fshatit Poro, në veri të lagunës së e Nartës.
Nëse projektet e HEC-eve vihen në zbatim, popullsia që rrezikon evakuimin është rreth 35 000 persona.
Ndërtimi i HEC-eve në Vjosë ka hapur prej vitesh një debat të madh ndër ambientalistë, të cilët e kanë konsideruar një dëm të madh që i bëhet biodiversitetit.
Vitin e kaluar, rreth 50 profesorë dhe studiues nënshkruan një kërkesë drejtuar Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për zbatimin e një moratoriumi 3-vjeçar mbi ndërtimet në lumin Vjosë dhe degët e saj.
Më herët, gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015, Kryeministri Edi Rama kishte premtuar edhe një herë se do të ndalonte ndërtimin e HEC-eve mbi lumin më unik të Europës. Por premtimi nuk është mbajtur teksa kompania turke ka nisur procedurat për ndërtimin e objektit.