Ekonomia

Turizëm: Investimet në Spille, model për tu ndjekur nga të gjitha bashkitë

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës Beqir Nuredi, inspektuan nga afër transformimin e  plazhin e Spillesë. Nga një plazh i lënë në mëshirë të fatit, tashmë në Spille falë investimeve të Bashkisë së Rrogozhinës, panorama që të ofrohet është krejt ndryshe. Policia Bashkiake e Rrogozhinës nëpërmjet djemve dhe vajzave të reja, efektivë të saj, më biçikleta patrullon të gjithë shëtitoren e ndërtuar rishtazi nga e para në një kohë rekord . Detyra e tyre, është siguria e pushuesve, si dhe mbledhja e informacionit për çdo shqetësim apo sugjerim që ata kanë .

Gjatë një bashkëbisedimi me Ministren Ekonomi ata thanë se që nga nisja e sezonit e deri më sot, në vijën bregdetare të Spillesë prej 4 km, nuk është shënuar asnjë incident. Ndërkohë në të gjithë vijën bregdetare të këtij plazhi janë vendosur 8 kulla vrojtimi ku me dy turne janë punësuar 16 roje plazhi (Baywatch). Sot  tha Ministrja Ekonomi, kemi ardhur të bëjmë një vizitë në plazhin e Spillesë, për të parë angazhimin që ka ndërmarrë bashkia e Rrogozhinës për ta përmirësuar shumë situatën e pushuesve.

“Pse sot? Për të treguar se kur investimi është i rëndësishëm, kur është i qëndrueshëm, jo vetëm që i bën ballë të gjithë sezonit të plazhit, por mendon edhe për ta përmirësuar atë më tej se sa ky sezon, që po i afrohet fundit. Arsyeja tjetër se pse kemi ardhur këtu, është për të treguar se kur modelet edhe menaxhohen, edhe mbikëqyren me shumë kujdes, ato vazhdojnë te kenë të njëjtën cilësi për gjithë sezonin turistik të vendit” u shpreh Ekonomi.

Ky ishte një investim i rëndësishëm theksoi Ministrja Ekonomi për vijën bregdetare të detit Adriatik, por falë këmbënguljes së kryetarit të bashkisë, u arrit të bëhej në një kohë rekord dhe këtu të kishin mundësinë për tu punësuar njerëz nga zona.  Një punësim sezonal por shumë i rëndësishëm për bizneset që ofrojnë shërbim këtu gjatë sezonit veror.

Ministrja Ekonomi theksoi se ky plazh, kjo punë e bërë duhet të shërbejë si model suksesi që duhet ndjekur  nga të gjitha bashkitë. “Unë besoj se modele të tilla do të vazhdojnë të zhvillohen në gjithë bregun e Adriatikut, por jo vetëm, dhe ne do të kemi mundësi që këtë model zhvilloi kryetari i bashkisë, . Nuredini, ta marrim dhe ta multiplikojmë dhe për plazhe të tjera të vendit, për stacionet e tjera të plazhit, për tu bërë gati për sezonin e ardhshëm” u shpreh Ekonomi.

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës  Beqir Nuredi, thotë se “ky është produkti final i një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm mes bashkisë së Rrogozhinës dhe ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Dua të falënderoj Ministren për vullnetin e plotë që ka shfaqur gjatë gjithë kësaj kohe për të realizuar këtë lloj projekti”. Zoti Nuredi shpjegoi se “bëhet fjalë për një vijë bregdetare të menaxhuar në 4 km, ku bashkia e Rrogozhinës, në bashkëpunim me ministrinë e Ekonomisë, ka projektuar të gjithë projektin të detajuar, pra duke filluar nga roja bregdetare, palma, modeli i çadrës, modeli i shezllonit, shëtitorja, ndriçimi, te modelet se si duhet të ishin pikat e shërbimit si bare, restorante, etj”.

Me detaje  Nuredi i shpjegoi Ministres Ekonomi punën e bërë në kohë rekord në mënyrë që ky plazh të merrte pamjen që ka sot. “Është investuar një vlerë mbi 2 milionë euro dhe në një periudhë shumë të shkurtër, pra në 40 ditë kohë, ne kemi filluar dhe kemi përfunduar këtë projekt. Ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm sa i takon turizmit. Janë trefishuar pushuesit në Spille dhe besoj se kjo është një arritje. Sigurisht që ne do të vazhdojmë punën dhe për vitin tjetër, duke përmirësuar të gjitha strukturat.” tha ai. Për kryebashkiakun e Rrogozhinës puna në këtë vijë bregdetare nuk ndalet këtu.  Kemi disa projekte interesante thotë ai, që janë ndërtimi i disa moleve në forma kanalesh ku mund të ankorohen varkat dhe skafet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button