Bota

E paprecedentë/ SHBA abstenon në OKB rezolutën për heqjen e embargos në Kuba

Shtetet e Bashkuara kanë abstenuar për herë të parë në votimet e rezolutës vjetore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që kërkon përfundimin e embargos ekonomike ndaj Kubës. Ambasadorja e SHBA, Samantha Power, tha se vendimi historik reflekton politikën e re të pjesëmarrjes mbi izolimin.

Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në këto 25 vite që Kuba ka paraqitur çështjen para OKB-së, që qeveria e SHBA-së të mos mbështesë ligjin e saj.

Marrëdhëniet diplomatike mes vendeve, u rivendosën gjatë vitit të kaluar, por Kongresi me shumicë republikane ka kundërshtuar heqjen e embargos. Votimi kaloi me mbështetjen e 191 vendeve, ndërkohë që vetëm Izraeli abstenoi së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar për aprovimin e rezolutës çdo vit që prej 1992, ndërkohë që SHBA gjithnjë e ka kundërshtuar. Power u shpreh se pas 55 vitesh që ndiqnin rrugën e izolimit, ata tashmë po zgjidhnin rrugën e pajtimit dhe pjesëmarrjes.

Ajo gjithashtu shtoi se abstenimi nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dakord me të gjitha politikat dhe praktikat e qeverisë kubaneze, duke përfshirë këtu edhe dhunimet e rënda të të drejtave të njeriut.

Qeveria në Kubë e ka parë këtë abstenim të SHBA si një fitore, pasi për vite me radhë, ka argumentuar se embargoja ose bllokada siç quhet në ishull, është hartuar për të dëmtuar popullin kubanez.

Teksa kjo votë nuk ka një rol kryesor në heqjen e kësaj mase, pasi kjo varet nga Kongresi amerikan, akti ka një rëndësi simbolike.

Ky është mesazhi i fundit i presidentit Obama se administrata e tij e konsideron këtë politikë si të vjetëruar dhe joproduktive. Në këtë kuadër, ambasadorja Power tha se në vend të izolimit të Kubës, kjo politikë izoloi Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, kjo ka pak gjasa të ndryshojë konceptimet e republikanëve në Kongres, të cilët kanë premtuar se do të vazhdojnë ta mbështesin embargon për aq kohë sa ata të jenë në detyrë. E ardhmja e bllokadës amerikane mbi Kuban tashmë varet nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Vendimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB shkaktoi menjëherë protesta tek politikanët amerikanë që kundërshtojnë heqjen e embargos. Ata argumentojnë se akti që vendos sanksione mbi Kubën, është një ligj që duhet mbrojtur dhe respektuar.

Teksa, rezoluta të këtij lloji të OKB nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar, për 25 vite me radhë, rezoluta vjetore i ka lejuar Kubës të demonstrojë se opinioni global është kundër politikës amerikane në ishull.

Kubanezët thonë se embargoja pengon të sëmurët të trajtohen me pajisje mjekësore amerikane, si dhe nuk lejon modernizimin e metodave agrikulturore për fermerët, duke bërë që çdo sektor të vuajë nga efektet e bllokadës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button