Rajoni

Serbia duhet të ketë kujdes nga ‘miku’ britanik Johnson

Kujdes Serbi! “Bomba bionde” që priret të bëjë gafa nga klasa politike e Britanisë, sekretari i jashtëm Boris Johnson po vjen.

I njohur për batutat komike, gjestet që kënaqin turmat e njerëzve, zërin gjëmues dhe një jetë private shumëngjyrëshe, personaliteti i zhurmshëm i Johnson mund të rezultojë një tronditje për liderët serbë që janë mësuar me ministra të jashtëm më diskretë dhe më të shtruar.

Një njeri që i pëlqen të jetë i dashur, Johnson me gjasa do të lërë pa mend ata serbë që do t’i kushtojnë rëndësi ardhjes së tij në qytet.

Si një historian amator fanatik, veçanërisht i dy luftërave botërore, ai me siguri do të kënaqë shumë serbë, siç ka bërë në të shkuarën, duke folur për heroizmin e Serbisë në të dyja konfliktet.

Në janar 2014, një organizatë serbe e emigrantësh, Asambleja e Diasporës Serbe, i shkroi Johnson për ta përgëzuar në lidhje me një artikull në gazetë ku ai hidhte poshtë pretendimet e Partisë Laburiste – që sipas tij – kishte shpërfillur përgjegjësinë e Gjermanisë Perandorake në nisjen e luftës së parë botërore dhe në fajësimin e Serbisë.

Më herët ai kundërshtoi përfshirjen e Britanisë në anën e shqiptarëve të Kosovës në luftën në vend në vitin 1999. Megjithëse ai tani thotë se është penduar për atë qëndrim, mjaftoi që qeveria serbe të dilte nga kori europian i ankthit mbi caktimin e tij në detyrë dhe të përshëndeste ardhjen e “një miku të Serbisë”.

Johnson është i njohur për gafa të panumërta sensacionale, ku më e fundit ishte poezia e ashpër që ai shkroi rreth presidentit turk Erdogan, që më pas fitoi “Konkursin e Poezisë Ofensive ndaj Presidentit Erfogan” në maj 2016 nga revista Spectator në Britani.

Përshkrimi me rimë dhe vargje i liderit turk teksa kryente marrëdhënie me një dhi nuk mund të ketë bërë ndonjë gjë në përmirësimin e profilit të Britanisë në Ankara, megjithëse në mbrojtje të tij mund të thuhet se u shkrua përpara se të caktohej Sekretar i Jashtëm. Sidoqoftë, liderët turq me gjasa janë më tepër të shqetësuar nga mbështetja e Johnson për kurdët.

Ndërsa Serbia do t’i dëgjojë me ëndje fjalët e mira nuk ka dyshim që do të dalin nga goja e Sekretarit të Jashtëm, nuk duhet harruar se një politikan ambicioz dhe me axhendë të tijën fshihet pas maskës komike.

Axhenda e madhe e Johnson, ideja e tij fikse, është të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Europian. Bashkë me kolegun e tij konservator Michael Gove, ai kryesoi veprimin e dyshimtë që – për habinë e shumicës – e ktheu referendumin e qershorit mbi anëtarësimin në BE në favor të daljes së Britanisë.

Serbia, megjithatë, me gjasa i intereson atij vetëm sepse është një vend jashtë BE-së, që ai do të vazhdojë të jetë sipas kësaj mënyre. Në këtë kuptim, synimi i Johnson dhe ai i Serbisë nuk përputhen shumë, sepse anëtarësimi në BE – që Johnson e ka hedhur poshtë në karrierën e tij të mëparshme si korrespondent në Bruksel – është synimi kryesor i politikës së jashtme serbe.

Serbia gjithashtu duhet të ketë parasysh se Rusia, aleati i madh i Beogradit, është gogoli dhe lugati i madh sipas Johnson. Në tetor, ai shkaktoi habi kur bëri thirrje në parlament për protesta anti-Kremlin jashtë amabsadës ruse në Londër në protestë kundër veprimeve ruse në Siri.

Ambasada ruse e quajti lëvizjen “të pazakontë” në kuptimin e diplomacisë, ndërsa siç theksoi dhe gazeta britanike Guardian, ishte gjithashtu diçka e rrezikshme për t’u thënë.

“Vërsulja e turmave tona në ambasadën e dikujt tjetër për çfarëdo arsye është e barasvlershme më një ftesë të dikujt për të vërsulur turmat e tyre në amabsadën tënde,” thuhej në të. Si përfundim, një protestë jashtë ambasadës u mbajt – me vetëm një person.

Anti-rus, pro-serb, anti-Erdogan, por pjesërisht turk [stërgjyshi i tij ishte ministër i brendshëm osman] Johnson është plot kontradikta.

Serbët mund të zgjedhin cilën anë t’u pëlqejë nga “miku” shumëfytyrësh britanik. Sa e dobishme është kjo miqësi dhe nëse synimet e Johnson i interesojnë Beogradit, kjo mbetet për t’u parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button