Ekonomia

“Call center”, Jaka: Ligji nuk prek kompanitë e konsoliduara

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka deklaroi të premten për ATSH-në, se miratimi i ligjit për shërbimin ”call center” nga senati italian nuk do të ketë efekte negative në kompanitë e konsoliduara që operojnë në vendin tonë.

Ndryshe nga sa u deklarua në media se miratimi i ligjit do të sillte humbjen e rreth 25 mijë vendeve të punës në këtë sektor, Jaka thotë se në bazë të informacioneve që kemi mbledhur, por edhe nga konsultimet me qeverinë shqiptare, rezulton se nuk do të ketë shkurtime të mëdha të vendeve të punës.

Efektet do të jenë të shtrira në kohë, nuk do të jenë të menjëhershme. Implementimi i këtij ligji nuk parashikohet të sjellë shkurtime të mëdha të vendeve të punës”, deklaroi Jaka.

Sipas tij, është një ligj që kërkon të shtrëngojë rregullat dhe të kontrollojë saktësisht shërbimin e ofruar nga operatorët kryesisht për konsumatorin italian dhe që vjen në sinkron me atë çfarë sipërmarrjet duhet të bëjnë në zbatim të ligjit.

Ajo çka unë kam marrë si reagim nga kompanitë që operojnë në këtë sektor, është se në përgjegjësi nuk rrezikohen kompanitë, sidomos ato të mëdhatë”, u shpreh Jaka. Mund të ketë, thotë Jaka, efekte negative sporadike për kompanitë që janë ende në faza strukturimi, që kanë kontrata të pakonsoliduara dhe jo të sektorëve të cilët japin qëndrueshmëri për ekzistencën e tyre.

Senati italian aprovoi të mërkurën me 166 vota pro, 70 kundër dhe 1 abstenim normat e reja mbi delokalizimin e shërbimeve “call center”. Në ligj parashikohet ashpërsimi i kushteve për ndërmarrjet italiane që delokalizojnë këto shërbime në vendet jo evropiane dhe janë rritur gjobat për ata që shkelin rregullat.

Kush transferon firmën nga Italia drejt një vendi jo evropian duhet jo vetëm të komunikojë 30 ditë më parë këtë vendim në Ispektoriatin dhe Ministrinë e Punës, por nuk do të mund të përfitojë nga asnjë lehtësim fiskal dhe do të hasë vështirësi për të marrë pjesë në tendera publikë.

Lajmi që mbërriti nga Italia, lidhur me ekzistencën e kompanive Call Center në vendet, që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian, si rasti i Shqipërisë solli edhe reagimin e shoqërive që operojnë në vendin tonë.

Përfaqësues të kompanive u shprehën se miratimi i ligjit do ketë pasoja negative për ta, që do të çonin në humbjen e vendeve të punës dhe tranferimin e aktivitetit të kompanive drejt vendeve të BE-së si Rumani apo Kroaci.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button