Bota

“Stuhia” Fillon në Francë. Hollande: Disa kufij duhen respektuar

Presidenti francez, François Hollande ka reaguar këtë të premte, pas akuzave nga kandidati presidencial François Fillon, se kreu aktual i Elizesë po orkestron një komplot për të shuar mundësitë e tij për marrjen e pushtetit, në një garë që sipas një sondazhi të ditës së sotme mbetet ende e hapur.

Me 43 për qind të votuesve të pavendosur në më pak se një muaj përpara raundit të parë të votimeve të 23 prillit, sipas sondazhit të “Odoxa”-s, socialisti Hollande akuzoi konservatorin Fillon se po përdhos pozicionin për të cilin aspiron.

“Çdo gjë ka kufij. Ekziston një kufi dinjiteti dhe përgjegjësie që duhet të respektohet”, tha Hollande, i pari udhëheqës në 60 vite që nuk tenton rizgjedhjen në krye të Elizesë. “Besoj se Fillon ka tejkaluar çdo kufi”.

Komentet e tij vijnë pas një shfaqjeje televizive të mesnatës së kaluar, në të cilën Fillon tha se ishte viktimë e një komploti për të përhapur informacione mediatike dëmtuese, në të cilat është i përfshirë drejtpërdrejtë presidenti Hollande.

Sondazhet tregojnë se zgjedhjet, në të cilat garojnë plot 11 kandidatë më 23 prill, përpara se të zhvillohet balotazhi i 7 majit mes dy kandidatëve me më shumë vota, do të fitohen nga kandidati i pavarur i qendrës, Emmanuel Macron, 39-vjeçari i cili ka shërbyer edhe si ministër i Ekonomisë nën presidencën e Hollande, përpara se të largohej vitin e kaluar për të krijuar lëvizjen e tij politike.

Marine Le Pen, udhëheqësja e ekstremit të djathtë që pritet të sigurojë pjesëmarrjen në balotazh, por shihet si humbëse përkundrejt Macronit, ishte në Moskë ku u takua edhe me presidentin Putin, i cili i uroi suksese në zgjedhje gjatë takimit në Kremlin.

Ish-kryeministri Fillon, 63 vjeç, konsiderohej si favoriti për të fituar zgjedhjet presidenciale, pas fitores së “primareve” mes republikanëve nëntorin e kaluar. Por mundësitë e tij kanë rënë ndjeshëm, duke rrezikuar edhe eliminimin që në raundin e parë, që kur media publikoi në fund të janarit një skandal për punë fiktive të familjarëve të tij, që detyroi prokurorët të hapin një hetim formal.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button