Home / Arte / Libri / Laure Cambau dhe shiu i kujtimeve të Duras

Laure Cambau dhe shiu i kujtimeve të Duras

Kujtimet janë të çmuara. Kur bie fjala për Marguerite Duras në bisedat tona të herpasherëshme, poetja franceze Laure Cambau ka një ndjesi të çuditshme, një lloj drithërime shpirti për shkrimtaren që e adhuron aq shumë. Eshtë një rikthim në kohë. Koha kur vajzat e reja përjetojnë dashuritë e para, gjithnjë romantike plot diell, gjersa sytë nganjëherë u verbohen; koha kur ky i dashur i saj, Outa ishte vetë djali i shkrimtares Duras, për të cilën, dashuritë ishin vetë jeta, letërsia, arti, përjetimi njerëzor më i përkryer. Ç’mund të ishte letërsia e Duras pa dashuri, pa atë përjetim të saj personal si në një furtunë të madhe, të vazhdueshme, ku ndroheshin personazhet dhe në thelb të dashurit e saj, pasi dashuritë e saj ishin klithëse, të mëdha, nga i dashuri vietnamez në adoleshencën e vet e deri tek Jann Andrea, djaloshi pasionant 39 vjeç më i vogël se ajo. A do të kishim ne një vepër si “I dashuri”, “Dhimbja”, “Moderato Cantabile”, “Ditë të tëra nën hijen e pemëve”, një vepër si “Sytë blu dhe flokë të zeza”, e po kështu një “Hiroshima dashuria ime”, të lexuar fshehurazi, që na tronditi në rininë tonë? Në të gjitha veprat e saj ka veç dashuri, herë-herë të mbytur nga alkooli, herë-herë me një trisht të madh dhe me një ikje për të mos iu kthyer kësaj trallisje të madhe e shkatërruese që të lë pa frymë. Fraza e fundit e shkruar nga dora e saj kishte qenë: «Je vous aime! Au revoir!… (Ju dua, Mirupafshim!)».

Por Laure Cambau nuk ka thjesht kujtesën për Duras. Duket se vargu i saj, letërsia e saj, e kanë ndjekur pas letërsinë e Duras, madje Duras e ka thithur në galaksinë e vet për t’i treguar magjinë dhe brishtësinë e shkrimit, thjeshtësinë dhe forcën e tij. Dhe këtë e ndjen në librat poetikë të Laure Cambau, e cila ka botuar shumë libra poetikë dhe ka marrë disa çmime në Francë dhe jashtë Francës. E një nga këta libra është dhe vëllimi poetik «E bardhë pa të bardhë» kushtuar mikut tonë të përbashkë piktorit Omer Kaleshi, të cilën e përktheva me shumë dëshirë… Por me siguri, imazhet e asaj kohe në Normandi i rishfaqen asaj me peshën e mallit, ashtu si ai shiu i ngrohtë që binte atëherë në Nauphle apo në Trouville, buzë La Manche, ku Duras, ky «monument letrar» siç e quan ajo krijoi pjesën më të madhe të letërsisë së saj.

Luan Rama

Leave a Reply

Your email address will not be published.