Home / Bota / OBSH: Mijëra vetë vdesin nga hepatiti viral

OBSH: Mijëra vetë vdesin nga hepatiti viral

Organizata Botërore e Shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara, OBSH thotë se miliona jetë njerëzish mund të shpëtohen, nëse personat e infektuar me hepatit viral do të kishin bërë analiza dhe do të ishin mjekuar për këtë sëmundje që mund të jetë vdekjeprurëse.

Të dhëna të reja të organizatës, të publikuara në raportin e vitit 2017 “Hepatiti”, tregojnë se rreth 325 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me infeksionet kronike të hepatitit B, ose C.

OBSH thotë se qindra mijëra njerëz të infektuar me këtë sëmundje vdesin, ngaqë nuk kanë mundësi të bëjnë analiza dhe të marrin mjekime që do t’u shpëtonin jetën. Agjencia botërore thotë se shumica e tyre nuk kanë bërë ndonjëherë analiza dhe as që e dinë fare se janë të infektuar nga sëmundja.

Për pasojë, thotë OBSH, ata mbeten pa u kuruar dhe të rrezikuar që infeksioni të përparojë ngadalë, “duke u shndërruar në sëmundje kronike të mëlçisë, kancer e deri vdekje.”

Virusi i Hepatitit B transmetohet tek njerëzit përmes kontaktit të gjakut, apo lëngjeve të tjera trupore.

Virusi i Hepatiti C përhapet drejtpërdrejt përmes kontaktit me gjakun e infektuar.

Sipas vlerësimeve të kohëve të fundit, hepatiti viral ka shkaktuar

1.34 milionë vdekje në vitin 2015 dhe rreth 1.75 milionë njerëz janë infektuar së fundmi me hepatitin C, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve që jetojnë me sëmundjen në mbarë botën, në 71 milionë vetë.

Gottfried Hirnschall, Drejtor i Programit Global për Hepatitin në OBSH, thotë se numri i vdekjeve nga hepatiti viral është i përafërt me vdekjet nga tuberkulozi.

Megjithatë, ai theksoi se hepatiti shkakton më tepër vdekje se sa virusi HIV, që shkakton SIDË-n dhe shumë më tepër se sa malaria.

Hirnschall thotë se ka një numër të madh mjetesh, si vaksinat, shumë të efektshme dhe ilaçe të tjera që mund ta parandalojnë hepatitin të bëhet një sëmundje kronike dhe vdekjeprurëse.

Hepatiti B transmetohet kryesisht në vitin e parë të jetës, nga nëna tek fëmija dhe është më i përhapur në rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe të Afrikës.

Mënyrat më të mundshme për transmetimin e hepatitit C janë injeksionet josterile në qendra të pakontrolluara mjekësore dhe drogat e marra me injeksione. Ndërsa përdorimi i gjilpërave dhe shiringave të pastra ndalon transmetimin e sëmundjes, Gottfried Hirnschall thotë se ka një ilaç shumë të efektshëm që mund ta kurojë hepatitin C brenda një periudhe relativisht të shkurtër.

Hirnschall tha se mundësi të reja për kurimin e hepatiti C dhe eliminimin e mundshëm të hepatitit B përmes vaksinimit, kanë krijuar kushte të favorshme dhe vëmendje për të madhe nga publiku për parandalimin e këtyre “epidemive të heshtura”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: