“FED invest në Pogradec, një model në financimin e fermerëve
“Dega FED invest në Pogradec është e shtrirë me aktivitetin e vet si mbështetës financiar për 627 fermerë dhe blegtorë të vegjël, pra me aktivitet në zonat rurale, por nuk përjashtohet pranie e këtij instituconi të mikrokredisë edhe në zonat urbane”, thotë Kledian Adiraj, përgjegjësi i degës së FED invest në Pogradec.
“Me dy degë përfaqësohet FED invest në Pogradec ku anëtarët e tij kryejnë veprime financiare të ndryshme”, saktëson zoti Adiraj. “Njëra nga këto degë ndodhet në qendër të qytetit, ndërsa dega tjetër është në Cërravë, fshat pogradecar në kufi me Korçën, sapo kalon Qafë Plloçës. FED invest, këtu te ne tashmë jep më shumë kredi dhe ofron interesat më të mira në treg”, sqaron Adiraj.
Kështu krahasur me tremujorin e parë të vitit 2016, tremujori i parë i vitit 2017 ka patur rritje në kreditë e akorduara ashtu dhe në nivelin e depozitave. Në tremujorin e parë 2017 niveli i kredive ishte 116.025.800 lekë ose 10.46% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar; kurse niveli i depozitave në tremujorin e parë 2017 arriti në 221.025.514 lekë me një rritje 5.06 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Vladimir Kadilli është një nga përfituesit e kredisë nga FED invest dhe ja ka parë hajrin. Ai tashmë merret me bujqësi e blegtori. Familjarisht punon. Por, Vladimiri kujton punën e pesëmbëdhjet viteve në minierë. Më pas ai punoi në fermën shtetërore për rreth shtatë vite të tjera.
Kurse tani e takon duke punuar në pronën e vet ku një ndihmë të madhe financiare ka dhënë FED invest me kreditë që i ka dhënë dhe që ai e ka justifikuar me punë besimin e institucionit financiar të mikrokredisë. Sipërfaqja e tokës së pronësuar pas viteve ’90 është e gjërë dhe me plot bereqet. Kurse si një blegtor i vërtetë Kadilli të flet me pasion për gjashtë lopë, që i ka në pronësi, e që i mbarështon me merak. Ai siguron nevojat ushqimore për familjen e tij dhe tepricat e nxjerr në treg.
Duke folur për marrëdhëniet dhe ndihmën e ofruar nga FED invest në Pogradec, Vladimiri, tregon se “nga FED invest në Pogradec, dy herë kam marrë kredi, ku një herë mora 400.000 lekë dhe do të vazhdoj të jem një klient i rregullt”.
Lefter Naumçe Gregpriftin e takon në zonën industriale të qytetit Pogradec. Ai është një nga anëtarët e FED invest. Shkollën e mesme bujësore e ka mbaruar shumë vite para ’90-s. “Për rreth dyzet vite kam punuar në SMT (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve)”, thotë Lefteri. Ai ka një kombanjë të veten me të cilën punon nëpër fshatra të ndryshme, ku ta kërkojnë, pa u lodhur asnjeherë. “Pse jo, thotë ai, korrja e grurit ka vazhduar”, dhe kompanjën pranë vetes e mbajti dhe e mban. Nëpërmjet FED invest, Lefteri ka blerë një traktor, ka marrë tokë me qera të cilën e ka mbjedhë me grurë. 800.000 leke kredi ka marrë ai nga FED invest dhe është shumë i kënaqur nga marrëdhëniet me këtë institucion.
Zgjerimi i aktivitetit nga dega e FED invest në Pogradec, është produkt i FED invest me qëndër në Tiranë, e cila falë seriozitetit dhe reputacionit ka arritur të sigurojë partneritet me institucione prestigjoze ndëkombëtare si: Rabo Bank, EFSE dhe JICA. Për më tepër FED invest është i pari institucion financiar që ka hedhur në treg projektin ‘Sigurimi i Serave’, që mbron fermerët në rastin e fatkeqësive natyrore si breshër, stuhi apo përmbytje, një projekt ambicioz dhe shumë i domosdoshëm për vendin tonë, duke marrë parasysh kushtet klimaterike, si pasojë e të cilave ndodhin përmbytje disa herë në vit, me pasoja të rënda ekonomike për fermerët dhe blegtorët. Shumë fermerë kanë përfituar nga ky project, ku disa janë dëmshpërblyer nga fatkeqësitë natyrore, të cilat kanë pësuar gjatë muajve të fundit.