Home / Bota / Hungari, Sorosi sulmon Orbanin

Hungari, Sorosi sulmon Orbanin

George Soros e nxit Bashkimin Europian ta vazhdojë presionin mbi Poloninë dhe Hungarinë për të mbrojtur sundimin e ligjit.

Nga Forumi Ekonomik i Brukselit, financieri miliarder amerikan e përshëndeti qëndrimin e prerë të bllokut ndaj të dy këtyre vendeve, për të cilët kritikët thonë se po marrin gjithmonë e më shumë një karakter autoritar. Me mijëra vetë kanë dalë kohët e fundit në protesta të organizuara në mbrojtje të universitetit të Sorosit CEU në Hungari, i sulmuar ashpër nga qeveria e Viktor Orbanit.

“Jam i mbushur me admirim për mënyrën e guximshme sesi populli hungarez i ka rezistuar mashtrimit dhe korrupsionit të shtetit mafioz që ka krijuar regjimi i Orbanit. Jam gjithashtu i inkurajuar nga mënyra energjike me të cilën i janë përgjigjur institucionet europiane sfidave që paraqesin Polonia dhe Hungaria”, deklaroi Soros.

Një zëdhënës i qeverisë hungareze deklaroi se Sorosi ka një axhendë të qartë politike, të cilën e ndjekin edhe organizatat e themeluara prej tij. Vetë kreu i ekzekutivit hungarez, Orban, e portretizon Sorosin si një spekulator financiar që mbështet emigracionin masiv në Europë.

Themeluesi i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur kishte edhe një paralajmërim për BE-në: ai mendon se blloku po përballet me një krizë ekzistenciale dhe se nuk duhet të lejojë që bisedimet e zgjatura të Brexit-it t’ia tërheqin vëmendjen nga reformat jetike.

Edhe Sorosi është për një Europë të disa shpejtësive dhe binarëve të ndryshëm, e cila t’i lejojë vendeve anëtare një shumëllojshmërie më të madhe zgjedhjesh demokratike.

Leave a Reply

%d bloggers like this: