Bota

Kushte për Katarin, kërkesat për heqjen e bllokadës

Katër shtete arabe i kanë dërguar Katarit një listë me 13 kërkesat që duhet të përmbushe nëse dëshiron heqjen e bllokadës.

Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein kanë parashtruar një sërë pretendimesh, ndër të cilat edhe atë të mbylljes së Al Xhazirës, rrudhjen e marrëdhënieve me Iranin dhe mbylljen e një baze ushtarake turke.

Të gjitha këto duhet të ndodhin brenda 10 ditësh. Lista u shpall pasi sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson i nxiti fqinjët e Katarit të dalin me kërkesa të arsyeshme dhe të zbatueshme. Uashingtoni, që po përpiqet të ndërmjetësojë për zgjidhjen e ngërçit, është i pakënaqur me kohën që i është dashur sauditëve dhe vendeve të tjera për të formalizuar pretendimet e tyre.

Situata u përshkallëzua befas muajin e kaluar kur Arabia Saudite, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini i ndërprenë marrëdhëniet me Dohan e akuzuar prej tyre si financuese e terrorizmit.

Mosmarrëveshja e zhyti Katarin në kaos e nxiti krizën më të rëndë diplomatike të gjirit që prej luftës së vitit 1991 kundër Irakut. Ky shtet është kritikuar vazhdimisht për mbështetjen e supozuar të atij që njihej më parë si fronti Al Nusra, i përfshirë aktualisht në luftime me trupat e Bashar Al Assadit në Siri.

Por BBC kujton se edhe shtete të tjera të rajonit, përfshirë Arabinë Saudite, kanë financuar luftëtarë islamistë të linjës së ashpër. Prej Katarit kërkohet ndër të tjera të ndërpresë të gjitha lidhjet me Vllazërinë Muslimane, të dorëzojë të gjithë individët e kërkuar për terrorizëm nga të katër shtetet firmëtare e të paguajë si kompensim edhe një shumë të papërcaktuar parash.

Doha nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare, por ministri i Jashtëm Al- Thani deklaroi më herët se vendi i tij nuk do të hyjë negociatave nëse më parë nuk hiqen masat ndëshkuese ndaj tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button