Home / Kronika / Zjarret, disa vatra ende aktive. Situata më problematike në Dibër

Zjarret, disa vatra ende aktive. Situata më problematike në Dibër

 

Vatrat e zjarrit janë në disa qarqe dhe duket se krahas zjarrvënies së qëllimshme, favorizohen ende nga moti i kthjellët me temperatura të larta.

Deri në oret e pasmesditës, sipas Drejtorisë së Emergjencave Civile, në të gjithë vendin numëroheshin 9 vatra aktive zjarri.

Në Dibër operacionet nga ajri kanë vazhduar në vendin e quajtur “Gurra e Sllatinës”, në fshatin Sllatinë dhe në Ulëz të Burrelit.

Avionët nga Greqia zhvilluan operacione të tjera për shuarjen e vatrave në Dukat të Vlorës, ku zjarri pranë parkut të Llogarasë është asgjësuar plotësisht, pasi dogji 60 ha me shkurre. Zjarri është vënë nën kontroll edhe në fshatin Tragjas të Orikumit.

Vatra e zjarrit në Liqenin e Dushkut, në Gramsh, është ende aktive. Ndërhyrja nga toka atje ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të thyer malor.

Në Skrapar zjarri i rënë në orët e paradites ka vënë në rrezik Parkun e rezervatit të Bogovës. Në Fushë Krujë, deri tani numërohen 200 rrënjë ullinj të djegur.

Zjarri vazhdon prej pasdites së të dielës në Krrabë, në afërsi të tunelit Tiranë-Elbasan. Ndërkohë, operacionet për shuarjen e flakëve po vijojnë edhe në malin e Dajtit me 2 automjete zjarrfikëse.

Sipas materialeve të mbërritura në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel, që prej mëngjesit të së hënës, vatra zjarri janë regjistruar edhe në Kavajë, në pyllin e Mengejës, ku po punohet me mjete rrethanore për shuarjen e flakëve që prej orës 6 të mëngjesit.

Edhe në Laç, në malin afër Kishës së Shna Nout, zjarri rrezikon një masiv të madh me pisha, ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të mungesës së rrugës.

Edhe në Tepelenë raportohen vatra zjarri nga qytetarët, të cilët i thanë Top Channel se janë zjarrvënie të qëllimshme për të cilat nuk ndërhyhet prej 12 orësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.