Home / Kronika / Drejtori i IT-së së Hipotekës pas super-tenderit të byzylykëve

Drejtori i IT-së së Hipotekës pas super-tenderit të byzylykëve

 

Skandali i 300 byzylykëve elektronikë, të destinuar për të burgosurit, blerë për 1.5 milionë euro nga ministria e Drejtësisë në mars të vitit 2017 dhe që, sipas po kësaj ministrie, tashmë ishin zhdukur, ngre dyshime të mëdha mbi tri kompani private që kanë fituar tenderin për furnizimin me këto aparatura.

Nga një investigim i kryer ditëve të fundit prej Shqiptarja.com, rezulton se tenderi ishte hapur nga ministria e Drejtësisë më 30 dhjetor 2016, kur ministër në detyrë ishte Ylli Manjani. Tenderi paraqet shumë pika të errëta:

1 – Në garë morën pjesë shtatë firma, por plot pesë prej tyre, në mënyrë të çuditshme, nuk paraqitën as ofertën ekonomike (pse morën pjesë atëherë?)
2 – Komisioni i Vlerësimit e lexoi të gjithë dokumentacionin e paraqitur nga shtatë kompanitë dhe shpalli fituesin në më pak se 48 orë.
3 – Bashkimi i Operatorëve që fitoi tenderin me vlerë 196 milionë lekë të reja e shkatërroi konkurrencën duke bërë një skonto prej vetëm 2 milionë lekësh të reja (sa 1% e vlerës totale)
4 – Në një muaj kohë, Bashkimi i Operatorëve nënshkroi kontratën për furnizimin me 300 byzylykë elektronikë dhe me software-in e administrimit të tyre, siguroi të gjithë materialin nga jashtë vendit, realizoi një aplikim të ndërlikuar telefonik, e dorëzoi dhe arkëtoi 150 milionë lekët e reja të para nga ministria (një afat me të vërtetë rekord për të përfunduar punën).

Bashkimi i Operatorëve përbëhej nga tri shoqëri shqiptare: Ratech shpk, Fastech shpk dhe Soft & Solutions.
Është pikërisht prania e kësaj shoqërie të fundit ndër fituesit e tenderit, që tanimë ka bërë të dyshojë Prokurorinë e Përgjithshme, e cila po heton mbi skandalin. Në fakt, shoqëria Soft & Solutions ka lidhje të drejtpërdrejta me një njeri shumë të afërt me LSI-në dhe, për rrjedhojë, me ministrin në detyrë në kohën e zhvillimit të tenderit, Ylli Manjani. Fjala është për Ermal Beqirin, aktualisht përgjegjës i IT-së pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, historia profesionale e të cilit është e lidhur ngushtë me politikën.

Ermal Beqiri në fakt ishte një ndër tre ekspertët, të cilët, në vitin 2011, bënë që të binte akuza ndaj Ilir Metës për korrupsion, duke treguar se video-përgjimi i bërë nga Dritan Prifti, që implikonte liderin e LSI-së, ishte manipuluar. Po ai ka qenë edhe një ndër ekspertët teknikë që në vitin 2013 hetoi për llogari të qeverisë skandalin e pretenduar të serverit të Tatimeve.

Po cilat janë lidhjet mes Soft & Solutions dhe Ermal Beqirit?
Në vështrim të parë nuk duket gjë: shoqëria, e cila ka fituar tenderin e byzylykëve elektronikë nga ministri Ylli Manjani, në fakt, është themeluar zyrtarisht më 28.01.2011 nga një ortak i vetëm, që quhet Arjola Koromani, me seli në Tiranë, Lagja nr.2, Rruga Hoxha Tahsim, nr.2, kati 2.

Por, duke gërmuar në historinë e shoqërisë, dalin lidhje të dyshimta dhe shumë të drejtpërdrejta mes Soft & Solutions dhe shoqërisë Al Forensic të Ermal Beqirit. Al Forensic është themeluar më 10.11.2011 dhe ka pasur seli zyrtare në këtë adresë: Kashar, rruga dytësore Tiranë-Durës, km.3, në krah të autostradës, ambientet e universitetit Kristal, kati 2. Në vitin 2010 Ermal Beqiri kishte krijuar edhe shoqërinë Al Soft, të regjistruar në të njëjtën adresë në Kashar.

Më 06.07.2012 themelohet shoqëria e re, që ka të përbashkët me Al Forensic të Ermal Beqirit jo vetëm objektin social dhe një pjesë të emrit, por madje edhe të njëjtën adresë identike: shoqëria quhet Forensic Lab dhe selia e saj zyrtare ndodhet pikërisht në Kashar, rruga dytësore Tiranë-Durrës, km.3, në krah të autostradës, ambientet e universitetit Kristal, kati 2. Shoqëria është në pronësi të një personi tjetër: Erisa Malellari.

Por, më 26.07.2016, Forensic Lab i Erisa Malellarit (që kishte zyrat në të njëjtën adresë të shoqërisë së Ermal Beqirit) i transferon zyrat, këtë herë, në të njëjtën adresë të Soft & Solutions, në Tiranë, lagja nr.2, rruga Hoxha Tahsim, nr.2, kati 2.

Praktikisht, shoqëria Soft & Solutions, që fitoi tenderin e dyshimtë nga Ylli Manjani, ndodhet në të njëjtën seli me një shoqëri që kishte zyrat e veta bashkë me Ermal Beqirin.

Mund të jetë një koincidencë, por nuk është e vetmja. Pronarja zyrtare e Soft & Solutions, Arjola Koromani, në fakt është mike e ngushtë e Erisa Malellarit, pronare zyrtare e Forensic Lab, domethënë e shoqërisë së themeluar në zyrat ku kishte seli edhe Al Forensic e Ermal Beqirit. Të dyja ato në shkurt të vitit 2017 kanë krijuar bashkërisht edhe kompaninë INGW-T.

Në fund, janë edhe dy dokumenta, që mbyllin rrethin e dyshimeve dhe tregojnë se, si Erisa Malellari, ashtu dhe Arjola Koromani, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Ermal Beqirin. Të dyja në vitin 2015 e kanë përfaqësuar atë në drejtimin dhe administrimin e shoqërisë së tij Al Forensic.

Thënë me fjalë të tjera, Arjola Koromani, pronarja e shoqërisë Soft & Solutions, që ka fituar (ndër të tjera) tenderin me vlerë 1.5 milionë euro nga ministria e Drejtësisë për furnizimin e byzylykëve elektronikë në kohën kur ministër ishte Ylli Manjani, është përfaqësuesja ligjore e Ermal Beqirit, drejtor i IT-së pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave.

Të dhënat e bilanceve të viteve të fundit të Soft & Solutions tregojnë rritje të habitshme: më 2014 shoqëria regjistronte të ardhura vetëm në vlerën e 10 milionë lekëve dhe një fitim prej 300.000 lekësh; më 2015 të ardhurat rriten në 106 milionë dhe fitimet në 1.9 milionë; më 2016 të ardhurat arrijnë në 451 milionë, me një fitim prej gati 42 milionë lekësh. Rritja në dy vjet është gati 1.500%. E gjithë kjo është meritë e Arjola Koromanit? Apo, siç synon tani të verifikojë Prokuroria, pas Soft & Solutions në të vërtetë fshihet Ermal Beqiri dhe kështu suksesi i papritur në garat e administratës publike varet nga lidhjet e tij me politikën?

Në rast se do të vërtetohet se ka një lidhje edhe financiare mes Soft & Solutions dhe Ermal Beqirit, jo vetëm që do të dalë në pah një konflikt gjigant interesi, duke marrë parasysh që Ermal Beqiri, nga pozicioni i tij si drejtues i IT të ZRPP administron tendera prej miliona eurosh pikërisht në sektorin ku operon edhe shoqëria e tij Soft & Solutions, por edhe pse kjo lidhje, që në të vërtetë duhej të mbetej e fshehtë, tani ngre dyshime për dhjetëra tendera të tjerë me vlerë dhjetëra miliona euro, në të cilat Soft & Solutions nuk ka marrë pjesë e vetme, por bashkë me shoqëri të tjera, që kanë përfituar kështu nga lidhjet e tij politike.

Edhe vetë gara për 300 byzylykët elektronikë, sikurse e ka vënë këtë në dukje Shqiptarja.com nëpërmjet investigimeve të saj, duket si një tender “i rregulluar me porosi” për të favorizuar Soft & Solutions dhe partnerët e saj.

Tani i takon Prokurorisë së Përgjithshme të qartësojë këto aspekte të ketij tenderi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: