Home / Kryeartikull / Pse nuk na duhet Skënderbeu i nacionalistëve?

Pse nuk na duhet Skënderbeu i nacionalistëve?

Nga Fatos LUBONJA

Ashtu si ata heronjtë e filmave më të këqij komercialë të Hollivudit apo të socrealizmit, si superhero ai krijon shumë distancë me realitetin e mundësive të qenies njerëzore. Së dyti, sepse ai është një figurë e modeluar në kohët që kanë pjellë figura autoritare, që kanë udhëhequr masat drejt luftërave, kurse ne jetojmë në kohën e paqes dhe në demokraci.

Debati i hapur së fundmi midis skënderbejanëve dhe myslimanëve, i nxitur nga mbulimi i Skënderbeut gjatë lutjes te sheshi, ka të bëjë në thelbin e vet me pyetjen: A mundet dhe a duhet të konsiderohet Skënderbeu detyrimisht zoti i parë i gjithë shqiptarëve sepse, përndryshe, po u futën zota të tjerë mbi të, (veçanërisht Allahu i myslimanëve) kombi rrezikohet, apo sekush është i lirë të ketë zotin e vet sipas vizionit që ka për botën, besimin, profesionit, etj.? Personalisht do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje duke cituar Aurelio Simmaco, përfaqësues i paganëve në Senatin romak (384), i cili, duke debatuar me senatorët e krishterë, që kërkonin eliminimin e besimeve të tjera në perandori, u thoshte atyre: “Un intere non potes pervenire ad tem grande secretum” (një rrugë e vetme nuk mjafton për të të çuar në një sekret kaq të madh)

Pra, sipas meje, nuk na mjafton as Skënderbeu i nacionalistëve, as Allahu i myslimanëve për të gjetur rrugën e së vërtetës sonë. Për ata që mendojnë ndryshe nga unë, se kanë gjetur rrugën e vetme, them se duhet të respektojnë rrugët e të tjerëve. Këtë e them për të gjithë, por mbi të gjitha për skënderbejanët, meqenëse ata janë më agresivët.
* * *
U ngacmova për të rihyrë në këtë debat nga një shkrim i Artan Lames, i cili mbyllej me një citim nga kujtimet e Nolit. Atje Noli tregon se, kur ishte fëmijë, i ati, që i kishte kultivuar kultin e heroit, i thoshte që, sa herë të gjendej në ndonjë situatë të vështirë, të pyeste veten: “Çfarë do të kishte bërë Skënderbeu në këtë rast?”. Dhe Lamja e mbyllte shkrimin duke thënë: “jemi të gjithë Skënderbe”.
U ngacmova nga ky pasazh sepse unë, p.sh., fëmijës tim i them: Kur të jesh në vështirësi, ndiq shembullin e kolibrit, zogut më të vogël të pyllit, dhe i tregoj një përrallë indoamerikane.
Por, përpara se të tregoj përrallën, po shpjegoj se pse nuk i them: “mendo Skënderbeun”, megjithëse i kam lexuar edhe unë kujtimet e Nolit? Po, ja, duke lexuar Lamen si njeri që e ka interiorizuar këtë porosi, për shoqërim idesh, m’u kujtua një rast kur kemi qenë të dy së bashku në vështirësi. Atëherë kur Edi Rama vendosi të prishte stadiumin “Qemal Stafa”, që na dhembi të dyve shumë, e donim ta pengonim. M’u kujtua se Lamja asohere doli në shenjë proteste nga mbledhja farsë te Hotel Tirana, që Edi Rama e paraqiti edhe si dëgjesë, edhe si aprovim projekti. Kurse unë bashkë me disa miq e aktivistë të shoqërisë civile tentuam të hyjmë për të shprehur mendimin tonë kundër, por na ndaluan bodigardët e pronarit të hotelit dhe u mjaftuam duke dhënë disa deklarata për shtyp.
E pra, a ju duket se kaq do të kishte bërë heroi ynë i madh Skënderbeu, ashtu siç e kemi të modeluar në kokë? Jo, jo; po të kishte qenë ai në vendin tonë, nuk do ta kishe bërë dy, por do të kishte hyrë me kalë në Hotel Tirana, do t’i kishte prerë me shpatë bodigardët e Ram Gecit sikur t’i kishin dalë përpara, do të kishte vërshuar në sallën e mbledhjes e do të kishte bërë namin. Le më sikur të kishte qenë në sallë si Lamja. Kurrsesi s’do kishte dalë prej andej, por do ta kishte detyruar Ramën t’ia mbathte për të shpë- tuar kokën duke e bërë që të mos i shkonte më kurrë mendja të prishte stadiumin, e jo më t’i ngrinte edhe atë gungën e shëmtuar përpara syve te sheshi. (Të them të drejtën nuk jam i sigurt nëse, pasi të kishte çliruar sallën nga Rama dhe të vetët, do të mbante pastaj atë fjalimin e famshëm: “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush”.)
Kurse ne jemi shumë të vegjël për të bërë mrekullira të tilla. Sepse ai është hero, kurse ne jemi njerëz të thjeshtë, që as duhet të na shkojë mendja të krahasohemi me të e të pyesim se çfarë do të bënte ai sikur të ishte në vendin tonë, e jo më të themi: “jemi të gjithë Skënderbe”. Mirëpo, duke parë se sa shumë jemi ne të vegjlit dhe se kërkund nuk po na del ndonjë hero i madh, shpëtimtar, unë shtroj pyetjen: Mos duhet ta shohim një çikë si ndryshe këtë punën e heroit? Mos problemi është te modelimi që i kemi bërë atij, duke e paraqitur si supernjeri që vjen e shpëton një popull të tërë? Një psikoanalist jungian do të na shpjegonte se Skënderbeu që kemi në kokë është sendërtim i arketipit të heroit që kemi në subkoshiencën tonë dhe se, që të bëjmë vërtet ndonjë akt të guximshëm, duhet të kuptojmë këtë diferencë, duke e integruar këtë arketip në koshiencën tonë. Se vetëm atëherë do të mund të bëhemi shpëtimtarë të vetvetes e pastaj do të mund të ndihmojmë dhe të tjerët; kurse fakti që mburremi me Skënderbeun supernjeri dhe presim një Skënderbe që të na shpëtojë nga e keqja, tregon se kemi mbetur në stad fëminor.
Por le t’i kthehem modelimit. Unë ngulmoj se vështirësia për ta integruar në koshiencë Skënderbeun si hero qëndron edhe në atë se, ashtu siç e kanë modeluar rilindasit dhe veçanërisht rimodelimi që i ka bërë soc-realizmi, nuk na ndihmon për këtë. Së pari, sepse ashtu si ata heronjtë e filmave më të këqij komercialë të Hollivudit apo të socrealizmit, si superhero ai krijon shumë distancë me realitetin e mundësive të qenies njerëzore. Së dyti, sepse ai është një figurë e modeluar në kohët që kanë pjellë figura autoritare, që kanë udhëhequr masat drejt luftërave, kurse ne jetojmë në kohën e paqes dhe në demokraci. Pastaj, pamja që i ka dhënë Odhise Paskali bazuar në filmin e famshëm të viteve ‘50, është, siç shkruan studiuesja Jane Sugarman: “Një formë e pacipë e maçoizmit nacionalist”. A mund të imagjinohet një grua shqiptare të pyesë veten çfarë do të bënte Skënderbeu në vendin tim? Atyre që në këtë pikë të shkrimit do të thonë, ja ky maskarai po na shan përsëri Skënderbeun, po nxitoj t’u them: mos u ngatërroni, nuk e kam me Skënderbeun e vërtetë, por me ata që e kanë modeluar kësisoj.
Po më mirë të kaloj te përralla indoamerikane që i tregoj vajzës sime të vogël, e që po e sugjeroj për të gjithë. Është një përrallë që e kam dëgjuar nga mendimtari i shquar franko-algjerian (“maître à penser” i thonë francezët) Pierre Rabhi, i cili, ç’prej 50 vjetësh, ka lënë qytetin dhe ka ndërtuar një jetë në fshat mbi parimin e ndërtimit të lumturisë nëpërmjet një jete të përkorë, në harmoni me natyrën, në mbrojtje të planetit nga ata të shumtë (veçanërisht në vendin tonë) që çdo bukuri natyrore e shohin me syrin e deformuar nga babëzia dhe kërkojnë ta shfrytëzojë për të nxjerrë përfitim material. Duke dashur të përshkruajë kuptimin e zgjedhjes së jetës së tij, ai tregon këtë përrallë:
Një ditë, në pyll ra një zjarr i madh, i tmerrshëm, dhe të gjitha kafshët u mblodhën të dëshpëruara se ndiheshin të pafuqishme për ta shuar. Në atë moment kolibri, zogu më i vogël i pyllit, fluturoi dhe shkoi e mori me sqepin e tij ujë te një përrua dhe e hodhi mbi flakët. Pastaj shkoi prapë, e prapë. Një nga kafshët e pyllit e pa dhe i tha me qesëndi: “Po ti o kolibër, me atë sqepin tënd kujton se do ta shuash zjarrin?” Kolibri iu përgjigj: “E di, por unë bëj pjesën time.”

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: