Kosova

OEK prezanton raportin për barrierat e bizneseve mes Kosovës dhe Serbisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar rezultatet e hulumtimit të realizuar nga “Forumi për Marrëdhënie Etnike” dhe “Heinrich Boël Stiftung” mbi tejkalimin e barrierave për biznesin.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu i cili foli për rëndësinë e bashkëpunimit të OEK-ut dhe Odës Ekonomike dhe Industrisë të Serbisë tha se është e rëndësisë politike e strategjike që OEK ka ngritur zërin që këto barriera t’i takojnë të kaluarës.

Ai tha se janë duke u intensifikuar takimet e përbashkëta me Odën Ekonomike të Serbisë për konkretizimin e sfidave duke theksuar se edhe doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës janë pjesë e dialogut i cili duhet të jetë mekanizmi i cili do t’i eliminojë këto barriera dhe të krijohet një ambient më i volitshëm për të bërë biznes.

“Ardhmëria e gjithë neve është një stabilitet ekonomik me të cilin do të gjenerohet stabiliteti politik dhe stabiliteti social. Do të përshpejtohen proceset integruese por në të njejtën kohë do të ndryshohet perceptimi, imazhi i shteteve dhe i Ballkanit Perëndimor nga një trevë e sfidave dhe problemeve në trevë të ardhmërisë, optimizmit dhe të qëndrueshmërisë”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i Odës Ekonomike dhe Industriale të Serbisë, Marko Çadezh në fjalën e tij tha se është i rëndësishëm ky dialog dhe bëri të ditur se kanë formuar edhe Odën rajonale dhe kanë krijuar një person juridik i cili duhet të punojë për realizimin e punëve të përbashkëta biznesore dhe t’i adresojë problemet ekonomike në rajon.

“Praktikisht kemi punuar në axhendat tona për tejkalimin e barrierave të biznesit si në këtë rast që po flasim për ekonominë në mes të Serbisë dhe Kosovës, natyrisht edhe të rajonit”, tha Çadezh.

Boban Stojanoviç i cili bëri prezantimin e studimit të kryer në Serbi dhe në veri të Kosovës tha se kanë bërë intervista me përfaqësuesit e institucioneve relevante si dogana, inspektoratit sanitar dhe Zyrën për Kosovë dhe subjektet tjera ekonomike që kanë pjesë të rëndësishme në eksport dhe import me Kosovën.

Duke bërë të ditur se liberalizimi i tregtisë dhe harmonizimi i rregullave duhet të jetë në dobi reciproke për Kosovën dhe Sërbinë, Stojanoviç tha se nuk ka trajtim klasik të eksportit për Serbinë dhe eksizton një gjendje reale në terren.

“Mungesa e infrastrukturës rrugore është problem i madh si dhe kalimet administrative”, tha Stojanoviç.

Ndërsa, Olivera Ceni Bardiqi duke prezantuar rezultatet e studimit të kryer në Kosovë tha se kanë intervistuar kompanitë kosovare që eksportojnë dhe importojnë në Republikën e Serbisë si dhe kompanitë kosovare të cilat kalojnë tranzit nga territori serb të cilat ballafaqohen me barriera të mëdha posaqërisht në aspektin e kalimit tranzit.

“Problemi i përmendur nga të gjitha kompanitë është kërkesa e autoriteteve serbe në largimin e targave për mjetet e transportit qoftë për ato që kalojnë tranzit ose në momentin që hyjnë në kufi. Kjo sigurisht shkakton humbje kohe dhe kosto shtesë”, tha Ceni-Bardiqi.

Ajo tha se bizneset e cekin më shumë barrierën politike se sa realisht vullnetin ekonomik të cilin e kanë duke përmendur se afaristët kosovarë kanë deklaruar si problem të vazhdueshëm mospranimin e çertifikatave të origjinës së mallit të lëshuara nga autoritetet kosovare për mallrat të cilat janë prodhuar në Kosovë.

Bardiqi tha se edhe pritjet e stërzgjatura, orari i punës dhe inspektoratet në kufi me Serbinë nuk janë të bashkërenduara dhe kjo krijon probleme të mëdha për eksportuesin kosovar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button