Dështon sërish pretenca për Shullazin, ‘sëmuren’ avokatë e të pandehur
Dështon pa nisur seanca gjyqesore ku pritej të jepej pretenca e prokurorisë për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij. Arsyeja ka qenë kërkesa e Blerim Shullazit. Ai ka deklaruar se është sëmurë dhe ka kërkuar shtyrje të seancës.
Në seancë mungonin të gjithë të pandehurit si dhe një nga avokatët. Blerim Shullazi ka kërkuar që ta përfaqësojë avokati Aldo Tabaku por vetë Tabaku kërkoi shtyrje të pretencës për probleme personale.
Avokatët e kanë justifikuar kërkesën për shtyrje të kolegut të tyre Aldo Tabakut si humane. Nga ana tjetër Prokuroria e ka quajtur shtyrjen të qëllimshme. Seanca e radhës është vendosur më 2 tetor.
Seanca ishte parashikuar të niste në orën 9:00 ndërsa shteti do përfaqësohej nga një grup prokurorësh të Krimeve të Rënda, në krye të të cilëve është vetë drejtuesja Donika Prela. Po kështu edhe zëvendësi i saj Gentian Osmani si dhe Besnik Muçi e Anton Martini.
Në bankën e të akuzuarve janë Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka masa sigurie të pazakonta. E gjithë policia, forcat speciale, FNSH me armatim të rëndë ka zbarkuar dhe ka rrethuar institucionin dhe zonën përreth.
Kujtojmë se çështja “Shullazi” shkaktoi një furtunë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda
Kryeprokurorja Arta Marku bëri lëvizje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kërkoi hetim disiplinor për disa prej prokurorëve pasi nuk pranonin të merrnin përsipër çështjen. Por pas debateve u vendos dhe katërshja e tyre.