Komisioni Europian ngre padi kundër Polonisë
Për shkak të nxjerrjes të detyruar në pension të gjykatësve në Poloni, Komisioni Europian ka ngritur padi kundër një anëtari të tij. Nëse këtë qëndrim e ndan edhe Gjykata Evropiane, Polonia duhet ta ndryshojë ligjin.
Polonia duhet të përgjigjet tani para Gjykatës Europiane për një ligj të kontestuar që nxjerr në pension me detyrim gjykatësit polakë. Një ligj i futur nga partia qeverisëse nacional-konservatore, PiS shkel të drejtën europiane, sepse kërcënon parimin bazë të pavarësisë së gjykatësve dhe veçanërisht atë të moslargimit nga puna të gjykatësve, deklaroi Komisioni Europian të hënën në Bruksel.
Gjykatës polakë nga korriku u detyruan të dilnin në pension
Nëse këtë qëndrim e ndan edhe Gjykata Evropiane, atëherë Polonia duhet ta ndryshojë ligjin. Komisioni Europian e nxjerr Poloninë para gjyqit, sepse ky vend nuk e ndryshoi ligjin e kontestuar edhe pas kërkesave të përsëritura të KE. Ligji në fjalë është pjesë e një reforme në drejtësi në Poloni, që sipas qëndrimit të komisionit rrezikon ndarjen e pushteteve në Poloni dhe kufizon pavarësinë e gjykatësve.
Që në Mars Komisioni Europian kishte ngritur padi kundër një ligji të ri për gjykatat. Me ligjin e fundit të kontestuar nga KE, ulet mosha e pensionit të gjykatësve në Gjykatën e Lartë nga 70 në 65 vjeç. Këtë ligj e përdori lidershipi polak që në fillim të korrikut të nxirrte në pension gjykatësit e papëlqyer. Për shkak të zhvillimeve shqetësuese që po merr shteti ligjor në Poloni, KE ka aktivizuar nenin 7 të Marrëveshjes së BE që hap një procedurë kundër një vendi anëtare të shkell rregullat e BE. Në rastin më të keq kjo procedurë përfundon me heqjen e të drejtës së votës vendit anëtar.