Home / Opinion / Daullja e korrupsionit bie në vesh të shurdhët!

Daullja e korrupsionit bie në vesh të shurdhët!

Petro Dhimitri   –

   -Po kandidojnë edhe politikanët!?
Ka vite që Shqipëria është cilësuar nga Perëndimi SHTET I KORRUPTUAR. Kjo do të thotë që politikanët që drejtojnë atë shtet përfshihen në afera korruptive, duke u pasuruar abuzivisht. Edhe pse si SHBA dhe Europa e Bashkuar nga të dhënat e sakta të shërbimeve të tyre e dinë mirë se cilët janë ata politikanë, asnjëherë nuk i kanë cilësuar me emra. Gjithmonë është folur në përgjithësi. Mirëpo ka ardhur koha që peshkaqenët e mëdhenj të korrupsionit të Shqipërisë, të paktën, tani për tani, të mënjanohen nga drejtimi i shtetit. Për këtë qëllim është krijuar dhe SPAK-u me Byronë Kombëtare të hetimit. Çuditërisht, kundër pritshmërisë së madhe të shqiptarëve, me pretekste nga më të ndryshmet, fillimi i punës së kësaj byroje shpëtimtare po zvarritet  pafundësisht, ndërkohë që për zgjedhjet e 25 prillit kanë mbetur vetëm tre muaj!? Kjo ka sjellë që politikanët aktualë të guxojnë të vënë kandidaturat për t’u zgjedhur deputetë. Thirrjet e ambasadores së nderuar të SHBA-ve, Juri Kim, që partitë të bëjnë vetingun e kandidatëve, kanë rënë në vesh të shurdhët. Si ata dhe partnerët e tyre të Europës janë deziluzionuar që pikërisht politikanë që ata, ashtu si dhe populli, i quan të korruptuar, kanë filluar fushatën e tyre për 25 prillin. Ata ende nuk po nxjerrin emra jo se duan t’u vijnë indirekt në ndihmë atyre, po vetëm për faktin se ligjërisht çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të votojë ose të zgjidhet në organet drejtuese. Përjashtim bëhet vetëm për ata shtetas që me vendim gjyqësor  u është hequr kjo e drejtë. Asnjë politikan i shtetit tonë katërcipërisht të korruptuar nuk është proceduar për pasurimin  e tij marramendës. Ndërsa shteti hesht, bën sikur nuk di gjë, prandaj dhe nuk akuzon asnje politikan për korrupsion,  populli ata i cilëson me emra. Flitet shumë për ta. Dikush thotë se  është ngritur një tymnajë e madhe pa fakte kundër tyre. Të tjerë numërojnë shumë fakte, duke u bazuar vetëm në pasurinë e tyre të patundshme  që nuk mund të bëhet kurrsesi nga paga që ata kanë patur.  Përflitet për familjen Meta. Vetëm vila që ka ndërtuar në Lalëz i tejkalon njëqindfish pagat e tyre. Po ashtu çuditen për pasurinë e bashkëshortes së Lulzim Bashës. Edhe në media  është shprehur habia se si ajo mund të jetë pronare e aq apartamenteve. Nuk janë pak edhe ata që thonë se si e ka ndërtuar Rama vilën e tij në Tiranë. Në tehun e kritikës nuk ka shpëtuar as Sali Berisha. Populli i numëron shumë akuza ( doemos të paverifikuara gjyqësisht) për thyerjen e embargos duke furnizuar me naftë Milosheviçin, mbështetjen e firmave piramidale kur u tha shqiptarëve se i keni paratë e sigurta. Kjo disa ditë pasi në SHBA i thanë t’i mbyllte ato firma. Populli e akuzon për dërgimin e ushtrisë në Vlorë dhe Gjirokastër dhe përpjekjen e tij për të dërguar edhe simpatizantë të armatosur nga Veriu për të nënshtruar Vlorën. Vazhdojnë të përflasin për aferën e asaj familje në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë. Ishte një punishte mesjetare familjare për demontimin e armëve, kur ne kemi dy uzina ushtarake  të specializuara. Nuk harrojnë të kujtojnë 21 janarin, sepse ishte ai që dha urdhër për t’u qëlluar, ishte ai që urdhëroi të prisheshin serverat e kryeministrisë për të zhdukur çdo gjurmë. Për ti rënë shkurt akuzave të popullit, po shënoj edhe pasurinë që ka vënë familja e tij, duke përfituar nga posti që mbante ai si kryeministër dhe si President. Do të uroja dhe dëshiroja që këto akuza të drejtpërdrejta të popullit, të ishin të pavërteteta, po këtë e vulos vetëm drejtësia dhe jo dëshira e kujto gazetari apo shtetasi tjetër.
         Përflitet edhe për shumë të tjerë. Thonë se edhe Rudina Hajdari nuk duhet të kandidojë, me që nëna e saj si gjyqtare nuk kaloi procesin e vetingut. Gjyqtarja Hajdari që duhet të ishte mbrojtëse e ligjit, ndërtoi  pa leje një pallat ?! Vërtetë Rudina është figurë e pastërt, po ama, në fund të fundit, është trashëgimtare indirekt e një prone të ndërtuar duke anashkaluar ligjin…
         Këta politikanë, si edhe të tjerë, po paraqiten në lista , duke ”plotësuar” më së miri kërkesën këmbëngulëse të Perëndimit për të patur figura të pastra?! Kësaj i thonë u kthye dera nga përroi?!
  Për të gjitha këto shteti vazhdon të heshtë kur e ka për detyrë  të hartojë ligje efikase, të cilat duhet të detyrojnë çdo pronar të tregojë me dokumente se si e ka vënë pronën e tij. Edhe sistemi gjyqësor ka heshtur, përjashto SPAK-u që po vepron. Po atë e krijoi Amerika dhe jo pushtetarët e PS-PD-së. Për këto zoti Rama nuk flet. Ai i përgjigjet vetëm kërkesës së zonjës Juri Kim për vetingun, duke thënë se nuk është polic, se secili duhet të mbajë përgjegjësi për deklarimet e tij dhe se partia nuk është fare përgjegjëse po qe se kandidati ka mashtruar. Kryeministri Rama ka të drejtë kur thotë që nuk është polic.  Ai nuk mund të shmangë asnjë  kandidat deri sa këtë ia siguron ligji çdo shtetasi. Po ai ka në dorë (deri sa Presidenti Meta nuk mund të veprojë nga që është nën akuzë si për pronën dhe aferën e inçizuar me ministrin Prifti) të dërgojë në Parlement të votohet me urgjencë ligji që të gjithë kandidatët për deputetë duhet detyrimisht të kalojnë procesin e vetingut, ashtu siç  u bë për prokurorët dhe gjykatësit. Nuk ka pse të bëhet përjashtim për politikanët e një shteti të korruptuar po prej tyre.
        Deri sa shteti bën të shurdhëtin ndaj daulles së fuqishme anti korrupsion të Perëndimit dhe po kandidojnë politikanët, që populli i quan të korruptuar, situata para zgjedhore është tejet kritike. Kemi dy qendrime diametralisht të kundërta: SHBA dhe  Europa e Bashkuar këmbëngulin për pastërtinë e figurës së çdo kandidati, ndërsa në listat e partive  po përfshihen edhe përfaqësues të korrupsionit. Pse PS hesht?! Ndoshta ka një kompromis të heshtur me PD-në:” Mos më prek që mos të të ngas”, ndoshta pse vetë Rama nuk është i bindur që mund ta kalojë me sukses vetingun. Si shumë politikanë as ai nuk do në asnjë  t’i thotë me turp: lamtumirë pushtet i lakmuar!
          Ky ngërç politiko-ligjor në sipërfaqe duket sikur nuk ka zgjidhje dhe se në 25 prill shqiptarët kanë për të votuar edhe për të korruptuarit. Po nuk është kështu. Nuk besoj se SHBA dhe Europa nuk e kanë skicuar rrugëzgjidhjen. Ata kanë në dorë edhe gurin edhe arrën. Në ç’mënyrë?
           Vetëm duke filluar urgjentisht të funksionojë Byroja Kombëtare e hetimit, duke kërkuar së pari të kalojnë në atë proces politikanët  kandidatë për deputetë.
           Në rast se SHBA, për një arësye ose një tjetër, nuk janë ende gati që kjo byro të fillojë punë menjëherë, i takon Europës së Bashkuar të hidhet në veprim. Europa e ka shumë të lehtë t’i kujtojë shtetit shqiptar se po nuk kaluan të gjithë kandidatët procesin e vetingut, nuk kanë për t’u hapur negociatat e shumëpritura.
            Po qe se edhe me këtë paralajmërim kryeministri Rama dhe kabineti i tij nuk kanë për të ndërruar kurs, atëhere mbetet që SHBA dhe Bashkimi Europian  të deklarojnë: ” Nuk do të njohim një Parlament  deputetët e të cilit nuk kanë kaluar procesin e vetingut.” Kjo kërkesë është më se e arsyeshme, deri sa botërisht Shqipëria njihet si ”SHTET I KORRUPTUAR”. Nuk besoj se, veç politikanëve, shqiptarët e tjerë nuk e miratojnë këtë cilësim.
            Ramës dhe Bashës u mbetet vetëm të shkojnë të puthen me Putinin. Kjo nuk mund të ndodhë për dy arsye: E para se Perëndimi nuk ka për ta lejuar dhe e dyta se populli shqiptar do bashkim me Europën dhe jo me Rusinë apo Kinën. Se ç’të mira i solli sistemi i atyre shteteve Shqipërisë të gjithë e mirëdimë. Pjesë e pasojave të atyre ”të mirave” është edhe korrupsioni galopant aktual.
            Populli pret me ankth  të shpëtojë një herë e përgjithmonë nga kjo klasë politike Meta, Rama, Basha ,Berisha, etj…, pret  të hapen negociatat për anëtarësimin, pret që bashkëpunimi me SHBA-në të forcohet dhe më shumë. Populli me mish e me shpirt uron ambasadoren  Juri Kim për përpjekjet e saj të parreshtura për të luftuar korrupsionin në Shqipëri. Populli do që drejtësisë të mos i shpëtojë as edhe një abuzues ashtu siç ëndërron  të mos ndëshkohet asnjë i pafajshëm.

Leave a Reply

%d bloggers like this: