PolitikaPresidenciale

1-vjetori i vizitës së Papës në Tiranë, Nishani: Mesazhi i vizitës historike

“Mbajtja e shpresës dhe natyrisht puna nga ana e shqiptarëve, institucioneve shqiptare, shoqërisë shqiptare që shpresën për ta kthyer në dinjitet, është besoj mesazhi që ne duhet ta mbajmë vazhdimisht në mendjen tonë çdo ditë”. Ky është një nga veçoritë e vizitës historike të Papa Franceskut në Tiranë, të cilën Presidenti Bujar Nishani e rrëfen për Radio Vatikanin.

“Ishte një vizitë e cila në fakt të them të drejtën, na ka befasuar, për shkakun se ishte vendi i parë që Shenjtëria e Tij, Ati i Shenjtë Papa Françesku zgjidhte për të bërë si vizitë në Evropë. Në një vend i cili, është një vend i shumë besimeve, i shumë feve, por që ashtu siç edhe do ta përshkruante në mënyrë të shkëlqyer Papa Françesku në fjalën e tij, në mesazhet e tij, jetoni në harmoni e në respekt me njëri-tjetrin, duke i treguar botës mbarë një shembull, nga i cili mund të udhëhiqemi dhe mund të referohemi. Pra mund të them se ishte një vizitë e cila në radhë të parë solli mesazhe të jashtëzakonshme, mesazhe vlerësimi pa dyshim, por mbi të gjitha shprese dhe besimi. Besimi tek Zoti, besimi tek Hyji, besimi tek e mira, besimi tek njëri-tjetri, dhe mbi të gjithë, e solli Shqipërinë me ato virtyte dhe parime, që ajo i ka trashëguar brez pas brezi në vëmendje të të gjithë botës”, shprehet kreu i shtetit.

I pyetur se si do e dëshironte presidenti Nishani shoqërinë demokratike shqiptare, kreu i shtetit thekson faktin se familja ka qënë, është dhe mbetet një vlerë themelore e shoqërisë tonë.

“Për fatin e mirë në traditën e hershme dhe të konsoliduar shqiptare, familja ka qenë, është dhe mbetet një vlerë e jashtëzakonshme, një vlerë themelore e cila përmbledh, përmban, lind, rrit e përçon të gjitha parimet tjera të së mirës tek njeriu: dijen, punën, respektin ndaj tjetrit, dashurinë për atdheun, ndershmërinë, thjeshtësinë. Pra, për mua baza e individit që lind dhe rritet tek një familje e shëndetshme, është pa diskutim jo vetëm e rëndësishme për individin, por është e rëndësishme për vendin tonë, për të ardhmen e tij, për kombin në tërësi, për shoqërinë dhe pse jo edhe për botën në të cilën ky individ pastaj do të notojë në gjithë hapësirën e jetës së tij tokësore; kështu që unë vlerësoj shumë mesazhet dhe inkurajimet që vijnë pikërisht prej një familje të shëndoshë, prej një familje me vlera, e Shqipëria e ka të domosdoshme për t’a ruajtur fort këtë traditë, këtë trashëgimi, sepse në fund të fundit përmes një familje të shëndoshë ne do të arrijmë të krijojmë gjenerata të cilat duke pasur në fondament respektin për familjen, do të kenë në refleksion respektin për shoqërinë, që do të thotë respektin për njeri-tjetrin dhe gatishmërinë për të kontribuar për të ardhmen”, është shprehur Presidenti Nishani.

Kreu i shtetit vijon më tej se marrëdhëniet strategjike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë do të përforcohen gjithmonë e më shumë. Sot Shqipëria është e angazhuar fort në udhën e saj të integrimit evropian, shprehet Presidenti Nishani, dhe për ne në këtë udhëtim besimi, mbështetja dhe inkurajimi nga Selia e Shenjtë janë të pazëvendësueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button