10 këshilla që terapistët ua rekomandojnë të gjithëve
Nuk ka dyshim se jeta është e vështirë. Edhe nëse nuk vuani nga depresioni apo ankthi, thjesht menaxhimi i situatave të përditshme kthehet në sfidë. Këto janë këshillat që terapistët do të donin që të gjithë t’i ndiqnin, për të ruajtur sa më shumë mirëqenien e tyre.
Mjaft u treguat të ashpër me veten
Diçka që e bëjnë të gjithë? Vetëkritika. “Njerëzit gabimisht mendojnë se të qenët kritikë me veten, i ndihmon ata”, thotë terapistja Daniela Tempesta. “Ata besojnë se nëse e ndëshkojnë veten me mendime negative, mund të qëndrojnë në rrugën e duhur.”
Por, në fakt, e kundërta është ajo që duhet bërë. Kërkimet tregojnë se ne kemi më shumë gjasa ta përsërisim sjelljen e gabuar, nëse tregohemi të ashpër me veten, sesa kur tregojmë pak solidaritet ndaj veprimeve tona. Nëse veproni me mirësi ndaj vetes, do të shtoni vetëbesimin dhe do të rrisni gjasat e zgjedhjes së një sjelljeje të re, më pozitive dhe më të mirë herën tjetër.
Bëni sikur është dita e së kundërtës
Tingëllon e lehtë, por nëse doni të hiqni dorë nga një sjellje që po ju shkatërron, mjafton të bëni të kundërtën e asaj që bëni normalisht. Për shembull, nëse jeni dikush që po lufton me perfeksionizmin dhe shpenzon orë të tëra duke redaktuar një email për ta shkruar mirë, bëni të kundërtën, shkruajeni një herë, lexojeni dhe dërgojeni.
Ne kemi frikë për më të tmerrshmen që mund të ndodhë, por duke bërë të kundërtën, njerëzit kuptojnë se asgjë e keqe nuk ndodh zakonisht. Gjithashtu, ata kuptojnë se cilado të jetë sjellja, mund ta përballojnë.
Analizoni xhelozinë tuaj
Është e lehtë të hyni në “Facebook”, të shikoni postimet e të tjerëve dhe të ndiheni xhelozë për këdo që në pamje të parë ka një jetë më të mirë se juaja. Kur godet xhelozia, pyeteni veten nëse ndjesia që shoqërohet me të, është diçka që e doni me të vërtetë. Pastaj mund ta përdorni energjinë në përpjekje për të kuptuar përse ndiheni xhelozë. Përqendrohuni te krahasimi i qëllimeve tuaja dhe jo te postimet.
Jini skeptikë për idenë e dështimit
Është e rëndësishme të mos e ekzagjeroni çastin kur dështoni. Nga dështimet e vogla deri tek ato të mëdha, ju duhet të kuptoni se dështimet i ndodhin kujtdo dhe se nuk duhet ta shikoni si aq keq sa ç’duket. Është e vërtetë se kur diçka nuk del siç duam, kjo e çorienton trurin dhe kështu besojmë se detyra që nuk përmbushëm, është më e vështirë se normalja, por në fakt, mënyra e përdorur mund të jetë e gabuar dhe nëse provoni diçka ndryshe, mund t’ia dilni lehtësisht.
Praktikoni meditimin dhe koshiencën
Ka një arsye përse do ta dëgjoni këtë këshillë vazhdimisht: funksionon. Praktikimi i meditimit dhe koshiencës, në kuadër të aktiviteteve të përditshme, ia jep komandën sistemit tuaj nervor dhe heq stresin. Po ashtu, ulet ankthi dhe depresioni. Duhet të përdorni disa metoda të ndryshme për meditimin dhe kështu do t’i sillni më tepër vëmendje gjithçkaje që po bëni.
Vëmendje ndaj shëndetit tuaj psikologjik
Ne shpesh i japim përparësi shëndetit fizik, por edhe shëndeti psikologjik nuk është më pak i rëndësishëm. Terapisti juaj do të donte që t’i kushtonit më tepër rëndësi higjienës emocionale. Monitoroni shëndetin tuaj mendor dhe ndërmerrni hapa për t’u kujdesur për të.
Ashtu si kur rrëshqisni dhe bini, kontrolloni veten për shenja dhe thyerje, edhe kur pësoni një tronditje të madhe emocionale duhet të kontrolloni veten nëse gjithçka është në rregull.
Nëse po filloni të fiksoheni, shpërqendrojeni veten
Duket jo e dëmshme të vazhdoni ta përsërisni një situatë në mendjen tuaj për të kuptuar çfarë thatë gabim, por fiksimi pas diçkaje, nuk ju sjell asnjë dobi dhe ky është çasti i duhur për të ndërruar faqe. Shpërqendrojeni veten duke bërë një aktivitet të ri që do t’ju nxjerrë nga depresioni dhe do të sjellë pak ajër të pastër në mendjen tuaj.
Detyrojeni veten të kërkojë ndihmë kur ndiheni të vetmuar
Shumë njerëz luftojnë me vetminë dhe nuk flasin për këtë. Jo vetëm që kështu vetmia bëhet një zakon, por krijon edhe probleme për të çarë përpara në jetë. Për shkak se vetmia krijon shmangien dhe shmangia krijon vetminë, duhet të merrni iniciativën ta thyeni këtë gjendje dhe të kontaktoni me njerëzit.
Shpresoni për më të mirën
Një tjetër këshillë për të qenë emocionalisht sa më të qëndrueshëm, është se duhet të kontrolloni imagjinatën tuaj. Gjithnjë hamendësoni se do të ndodhë më e mira dhe se skenarët e këqij nuk do të funksionojnë. Nëse nuk keni prova të mjaftueshme se gjëra të këqija do t’ju ndodhin, mos u fiksoni më kot. Jepini një shans lumturisë suaj.
Burimi: Psychology Today