10 mënyra si restorantet manipulojnë mendjen e klientit
Restorantet e kanë planifikuar mjedisin dhe menynë e tyre me aq detaje, në mënyrë që të manipulojnë mendjen tuaj pa e kuptuar, që nga pjatat e shtrenjta deri te racionet çift, ja si funksionon manipulimi
Nga Business Insider
Restorantet përdorin shumë truke psikologjike për t’i bërë klientët më të shfrenuar për nga ana ekonomike. Ju mund të keni rënë viktimë ose mund të bini në të ardhmen. Ja cilat janë 10 mënyrat si restorantet manipulojnë mendjen e klientit.
1. Ata nuk e përdorin shenjën e parasë
Shenja e euros apo dollarit në meny mund t’i bëjë klientët të mendojnë dy herë në lidhje me shpenzimet që bëjnë. Duke mos përdorur referimin ndaj parasë, klientët nuk shqetësohen shumë për faturën. Sipas një studimi nga Shkolla Kornell e Administrimit të Hoteleve, klientët që shohin meny pa shenjën e valutës, shpenzojnë më shumë para. Edhe nëse çmimet janë shënuar duke e dhënë valutën me shkronja si për shembull, dhjetë dollarë, përsëri klientët hezitojnë.
2. Ata manipulojnë numrat
Sipas kërkimeve, çmimet që mbarojnë me .99 duken më të ulëta, ndonëse diferenca është e papërfillshme, siç mund të konsiderohet .01 lekë. Janë në dukje më miqësorë çmimet që mbarojnë me .95.
3. Përshkrimi i produktit
Menyja që mbani në duar mund të jetë “armiku” numër një i portofolit tuaj. Arsyeja? Në të do të gjeni përshkrimin e produktit që dëshironi të porosisni. Menaxherët e restoranteve janë siguruar që përshkrimi të jetë i detajuar dhe aq i shijshëm, saqë klienti të mos i rezistojë dot tundimit. Përshkrimet në meny mendohet se e rrisin përqindjen e shitjes deri në 27%, krahasuar me ushqimet pa përshkrim.
4. Lidhja e familjes me ushqimin
Ata e dinë se ju e doni dhe i besoni familjes suaj. Për këtë arsye, përdorin emra të të afërmve në meny. Për shembull, njerëzit janë më të prirë të blejnë produkte që mbajnë “firmën” e gjyshes, gjyshit, xhaxhait apo tezes. Mos u çudisni kur të porosisni si të hipnotizuar “sallatën e gjyshes” apo “biftekun e gjyshit”.
5. Termat etnikë të ushqimit
Sipas psikologut të Oksfordit, Charles Spencer, emrat që lidhen me etninë dhe gjeografinë e ushqimit e bëjnë atë të duket më autentik. Një emër italian për makaronat mund të tërheqë vëmendjen e personit për një pjatë të caktuar dhe ta bëjë atë të gatshëm ta porosisë.
6. Çmimet e shtrenjta ju drejtojnë te të lirat
Me kast, restorantet mund të përdorin çmime shumë të shtrenjta për disa pjata, që t’ju drejtojnë ju te të lirat. Gjasat e blerjes te çmimet e shtrenjta janë shumë të pakta, por ato shërbejnë që t’ju drejtojnë te çmimet e lira pa e menduar gjatë.
7. Ushqimi për dy vetë
Kjo strategji është shumë e përhapur. Klienti nuk e ka idenë sesa më i vogël është produkti për një person, ndaj ai mendon se çmimi është me leverdi, pasi duhet të jetë më pak se origjinali. Ajo që nuk kuptojnë është se restoranti donte që ta shiste racionin më të vogël mbi të gjitha, ndaj përdori racionin më të madh me çmimin më të lartë për të bërë krahasimin.
8. Ata kanë studiuar mënyrën sesi lexoni
Disa menaxherë restorantesh kanë studiuar mënyrën sesi disa njerëz lexojnë gjëra të caktuara. Në një studim korean, një e treta e pjesëmarrësve porosisnin produktin e parë që i tërhiqte vëmendjen. Prej kësaj, restorantet i vendosin produktet që u sjellin më tepër përfitim në cepin më të lartë nga e djathta, sepse aty shkon syri më parë. Njerëzit mendojnë se artikulli i fillimit është më i miri në listë.
9. Ata kufizojnë zgjedhjet
Restorantet kërkojnë t’ia heqin nga shpatullat përgjegjësinë e madhe klientëve, ndaj për këtë arsye e pakësojnë numrin e zgjedhjeve të mundshme. Për ushqime të shpejta përdorin gjashtë artikuj për kategori, ndërsa për menytë e drekës përdorin dhjetë artikuj për kategori.
10. Ju ngrenë humorin
Sipas kërkimeve psikologjike të Universitetit të Leicester, muzika klasike në restorante i inkurajon klientët të shpenzojnë më shumë, sepse i bën të ndihen më të pasur. Nga ana tjetër, zhanri i muzikës pop i bën njerëzit të shpenzojnë 10 për qind më pak për vaktin që po konsumojnë.