100 libra per Nene Terezen
Rreth njëqind libra në gjuhë të ndryshme, që si subjekt kanë Nënë Terezën, u ekspozuan në holin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë. Këta libra janë siguruar nga biblioteka personale e Don Lush Gjergjit, njërit prej biografëve më të njohur të Nënë Terezës, ndërsa janë ekspozuar me rastin e 100 vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare.
Shefki Ukaj, koordinator i Këshillit Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, u shpreh me këtë rast se ky manifestim ka për qëllim të përkujtojë me pietetin më të madh figurat e veta kombëtare, siç është figura e shenjtores së shtrenjtë Nëna Terezë.
“Se sa e fuqishme anekënd botës është Nëna Terezë dëshmon edhe fakti se për këtë figurë tonën kombëtare autorë të shumtë ndërkombëtarë kanë shkruar me respekt,” tha Ukaj, duke theksuar se Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë është dhe mbetet emër i veçantë i humanizmit botëror!
Ukaj po ashtu tregoi se kjo ekspozitë përcjellët me një katalog në kolor, në të cilin janë përfshirë ballinat e librave të shumtë, që autorët e huaj ia kanë kushtuar Nënës Terezë.
Ai më pas foli edhe për aktivitetet tjera që i ka organizuar ministria e kulturës me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë si dhe citoi thënie të burrështetasve dhe intelektualëve të ndryshëm botërorë, të cilët e kanë vlerësuar lartë Nënën Terezë dhe kontributin e saj ndaj të varfërve.
Ndërkaq, Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës, u shpreh se çdo lexues, pa dallim gjinie, moshe, race, kombi, e fuqizon përmasën e përfytyrimit dhe të pranimit estetik nga madhështia e humanizmit të nobelistes shqiptare, e projektuar në kujtesën botërore të shekullit XX dhe në fillimet e këtij shekulli, në mbi 300 vepra të shkruara deri më tani në gjuhë të ndryshme të botës, të cilat kanë të bëjnë me jetën dhe veprën e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë. Bashota shtoi se fryma e pavdekësisë e valëvitur në qytetërimin botëror me ndjenjën e fuqishme njerëzore të bamirësisë së një nëne shqiptare (Gonxhe Bojaxhiu) tashmë është bërë udhërrëfim për të shpalosur dimensionin universal të humanizmit, i cili buron kudo në botë në shërbim të jetës së njeriut dhe për të mirën e njerëzimit.
“Nëna Terezë, me veprën e saj të bamirësisë, është bërë simbol i dashurisë për njerëzimin, ndërsa autorët të cilët kanë shkruar për misionin e saj, ndër të tjera, e kanë dokumentuar dhe vetëdijesuar ngadhënjimin e fuqisë shpirtërore në përballje me mjerimin dhe vuajtjen njerëzore,” theksoi Bashota.
“Kanë thënë biografët e Nënës Terezë se dashuria është shpëtimi i njerëzimit. Prandaj, duke e njohur, çmuar, nderuar, ndriçuar dhe botuar veprat e shumta për personalitetin e saj me përmasa humaniste botërore, sot dhe nesër, gjithsesi, i detyrohemi madhështisë së saj edhe për dashurinë ndaj njeriut dhe njerëzimit në përgjithësi,” përfundoi Bashota.
Ndërsa, Don Lush Gjergji, biograf i Nënës Terezë dhe autor i pesëmbëdhjetë librave mbi Nënën Terezë, tha se penat më të shquara të shekullit 20, shqiptarë e joshqiptarë kanë shkruar për të. Sipas tij, njerëzit kanë qenë të nderuar nëse kanë pasur mundësinë që ndonjë rresht, ndonjë krijimtari t’ia kushtojnë bijës, motrës dhe nënës tonë, të lumes Nënës Terezë.
“Unë me 15 libra që i kam shkruar për Nënën Terezë, të cilat janë përkthyer diku në 35 deri në 40 gjuhë, jam munduar ta laj një borxh të vogël për dashurinë e madhe dhe për dëshminë e madhe që e dha Nëna Terezë për popullin shqiptar, për krishterimin tonë dymijë vjeçar, për traditën dhe kulturën tonë, e cila nëpërmjet Nënës Terezë vjen në dimensionet botërore,” u shpreh Gjergji. Ai shtoi se në përgjithësi janë 297 vëllime që i kushtohen Nënës Terezë dhe ato së shpejti do të digjitalizohen, kështu që, sipas tij, jo vetëm bota shqiptare, por edhe gjithë të tjerët do të kenë mundësi që të hyjnë në këto thesare të mëdha.
Aktiviteti përmbyllës që do t’i kushtohet Nënës Terezë në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së saj do të mbahet nesër (e enjte) me ç’rast në BKUK do të përurohen librat e botuar nga MKRS kushtuar Nënës Terezë.