Kronika

“100 mijë lekë është turp”/ Pazare për shit-blerje votash në Tiranë, në pranga 52-vjeçari, një tjetër nën hetim

Një 52-vjeçar nga Tirana është arrestuar dhe një 61-vjeçar është nën hetim pasi po komunikonin me njëri-tjetrin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Policia bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet Kristo Agalliu, që komunikon për shit-blerje votash me Agron Durajn, ka organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.

“100 mijë lekë është turp. Hajde t’ja marrim kot, por turp 100 mijë lekë. Po mirë t’i dy vota ke, unë kam katër vota. Po mirë unë kam makinë vetë, ç’e dua makinën e tij unë! Po të më hedhë karburantin ai… Thoji kështu, më dëgjo, i thuaj 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë naftë, hajde pazari i fundit”, ishte kjo biseda e Kristo Agalliut me Agron Durajt përmes telefonit.

Sipas policisë, materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Ky është rasti i tretë i konstatuar në vendin tonë, ndërsa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet vendore në 61 bashkitë e vendit.

Një natë më parë, policia e Fierit shoqëroi një person në Fratar të Mallakastrës, i cili dyshohet se po blinte votat në favor të kandidatit të PD-së, Agron Kapllanaj.

Më herët u shoqërua një grua e dyshuar për blerje votash në favor të kandidatit të Partisë Demokratike për Mallakastrën.

Denoncimi për blerje votash është bërë në rrjetet sociale, ndërsa pas shoqërimit në komisariat dhe sekuestrimit të celularit, nuk ka pasur asgjë të dyshimtë. Nga Policia e Fierit nuk ka ende një njoftim zyrtar për dy të shoqëruarit.

“Tiranë/ Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”.   Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”. Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.  Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button