Politika

110-vjetori i krijimit të Gjykatës së Lartë, Kim: Themeli i reformës në drejtësi është ndarja e gjyqësorit nga ndikimi politik

Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim ka dhënë mesazhet e saj nga aktiviteti i organizuar për 110-vjetorin e GJykatës së Lartë. Ajo kërkoi plotësimin e 3 vakancave sa më shpejt me gjyqtarë me integritet.

Ambasadorja Kim tha se kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë pasi po shohin se ajo funksionon, do donin të fshihnin veprimet e tyre korruptive, por siguroi se SHBA dhe BE qëndrojnë të përkushtuara për ta mbështetur, pavarësisht ndryshimit të ambasadorit.

“Gjykata e Lartë ka bërë rrugë të gjatë në 110 vite, pavarësisht sfidave të vështira gjatë kësaj rruge.

Kanë kaluar më shumë se 3 vite që jam këtu dhe kam pasur privilegjin të takoj shqiptarë nga të gjitha fushat e jetës. Më kanë thënë qartë se duan drejtësi, një arsye për të qëndruar në këtë vend. Reforma në Drejtësi vazhdon të prodhojë rezultate reale. Besimi në drejtësi po zëvendësohet me optimizëm të matur. Gjykata e Lartë ka gjëra për të qenë krenare. Nga 19 anëtarë kjo gjykatë kishte vetëm një gjyqtarë 4 vite më parë, sot ka 16 anëtarë. Vakancat e mbetura duhet të plotësohen sa më shpejt të jetë e mundur. SHBA-të janë krenare që mbështesin Gjykatën me çështje ekspertësh.

Me këtë përvjetor të veçantë është një kohë për të menduar për arritjet. Kundërshtarët e reformës në drejtësi duan që ajo të dështojë pasi po shohin se ajo funksionon. Do donin të fshihnin veprimet e tyre korruptive.

Kjo tregon se sa e rëndësishme është që të gjithë ne së bashku, GJL, SHBA, BE dhe organizatat partnere të qëndrojnë të përkushtuara ndaj kësaj detyre. Në fund i përket drejtuesve shqiptarë, Shqipërisë. Themeli i reformës së drejtësisë është ndarja e gjyqësorit nga ndikimi politik, por kjo është e pamundur nëse mbizotërojnë modelet e vjetra”, deklaroi Yuri Kim.

Ajo theksoi se pavarësia dhe integriteti i sistemit të drejtësisë do ta ndihmojë lulëzimin e demokracisë dhe ekonomisë.

“Do të tërheqë investimet të huaja, do të sigurojë drejtësi dhe kushte të barabarta për të gjithë qytetarët shqiptarë. Janë vendosur të gjithë mekanizmat ligjorë për të siguruar një sistem drejtësie të qeverisur nga shteti i së drejtës. Tani është koha që zyrtarët publikë pa përjashtim, pa përjashtim, të dyfishojnë përpjekjet për të zbatuar legjislacionin në përputhje me standardet ndërkombëtare. SHBA-të mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë, ndërsa ky vend ecën drejt integrimit, destinacionit euroatlantik. Puna që ju të gjithë po bëni është thelbësore për këtë. Kanë kaluar mbi 3 vite.

Sikurse e dinë të gjithë pas 3 viteve është koha për një ambasador të ri dhe të gjithë e kemi parë procesin që është zhvilluar në Uashingon. Reforma në drejtësi dhe angazhimi i SHBA për të mbështetur Shqipërinë nuk ka për të ndryshuar. Ju mund të ndryshoni ambasador, por kjo gjë nuk ka për të ndryshuar. Kjo është ajo që do doja t’ju thosha”, tha ambasadorja.

Ajo deklaroi më tej se kur SHBA-të flasin për reformën në drejtësi, kur insistojnë që Shqipëria të bëhet më mirë, e bëjnë këtë se ne e dimë se ka gjëra më të mëdha për Shqipërinë

“Unë kam punuar me secilin prej jush ngushtësisht gjatë 3 viteve të fundit dhe ndonjëherë na është dashur që të zhvillojmë biseda të vështira, na është dashur t’i themi gjëra njëri-tjetrit që do kishim preferuar të mos i kishim thënë, por shpresoj që ju do të kuptoni që kur SHBA-të flasin për reformën në drejtësi, kur insistojnë që Shqipëria të bëhet më mirë, e bëjnë këtë si një mik i sinqertë. E bëjnë këtë se ne e dimë se ka gjëra më të mëdha për Shqipërinë. Ndajmë shpresën e popullit shqiptar se mundësitë janë më të mëdha. SHBA-të mbeten të përkushtuara për të mbështetur Shqipërinë. Askush nuk është mbi ligjin. Ka gjëra më të mëdha të planifikuara për secilin prej nesh”, tha Yuri Kim.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button