Ekonomia

12 automjete dhe pajisje, dhuratë nga JICA për ISHP-në: Manastirliu: Përforcojmë kapacitetet

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) po mbështet rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të luftuar sëmundjet infektive përfshirë COVID-19, nëpërmjet zbatimit të projektit të bashkëpunimit teknik.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki, kryepërfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin, Ueki Masahiro, drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, morën pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të 12 automjeteve dhe pajisjeve të ndryshme në vlerën e 600 mijë eurove, të dhuruara nga JICA për Institutin e Shëndetit Publik.

Ministrja Manastirliu falënderoi qeverinë e Japonisë dhe JICA-n për kontributin e vyer në përmirësimin e logjistikës së ISHP, e cila siç tha ajo, “na mundëson si mbulim të shpejtë dhe me efektivitet të shërbimeve të rëndësishme për gjurmimin epidemiologjik dhe adresimin në kohë sa më të shpejtë të sëmundjeve infektive, ashtu dhe ruajtje dhe shpërndarje të sigurtë të vaksinave të çdo lloji, duke ruajtur zinxhirin ftohës të tyre në çdo hap”.

Ndërsa, ambasadori i Japonisë Takada theksoi se kjo mbështetje vjen në kuadër të zbatimit të  projektit për rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë për të luftuar sëmundjet infektive përfshirë COVID-19.

“Sot po i dorëzojmë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, 12 automjete të reja, si furgona frigoriferikë për transportin e sigurtë të vaksinave, kamionçina dhe autovetura të tjera me kalueshmëri të lartë si dhe frigoriferë ultrangrirës për ruajtjen e vaksinave. Këto pajisje, në vlerën 600.000 euro, kanë përforcuar kapacitetet e Institutit të Shëndetit Publik për t’iu përgjigjur më mirë krizave epidemiologjike me gravitet të madh, si COVID-19”, tha ai.

Ndërsa, kryepërfaqësuesi i JICA, Ueki vuri në dukje se, lufta me sëmundjet infektive duke përfshirë COVID-19 është ende një betejë që vazhdon për Shqipërinë.

“Për të adresuar si duhet këtë betejë, është e domosdoshme rritja e kapacitetit për të luftuar sëmundjet infektive. Në vitin 2021, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së Shqipërisë drejtuar qeverisë së Japonisë, JICA zhvilloi një sërë diskutimesh me Institutin e Shëndetit Publik për të hartuar një plan të projektit për zhvillimin e kapaciteteve kundër sëmundjeve infektive përfshirë COVID-19”, theksoi Ueki.

Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini u shpreh se “falë kësaj ndihme të vyer, një flote të shkëlqyer automjetesh multifunksionale, jemi në gjendje të sigurojmë mobilitet efikas të shërbimit të investigimit epidemiologjik në të gjithë vendin, transport të mjeteve e materialeve ndihmëse në përgjigje të nevojave për përballimin e një sërë sëmundjesh infektive”.

“Aftësitë dhe kapacitetet tona janë përmirësuar dhe do të qëndrojnë të tilla për shumë vite në vazhdim falë kësaj asistence”, tha Tomini.

Marrëveshja e këtij projekti, e lidhur midis JICA dhe ISHP, u nënshkrua në 21 shtator 2021 dhe afati i zbatimit është deri në dhjetor 2022. Përveç pajisjeve të lëvruara, ky projekt kontribuoi në rritjen e njohurive të burimeve njerëzore ku më shumë se 30 specialistë të shëndetit publik u trajnuan online për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive.

E.Xh.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button