Sociale

20 shkolla të reja për Tiranën, Veliaj: Fund mësimit me dy turne

Fillon që të marrë jetë projekti për ndërtimin e 17 shkollave të reja në kryeqytet, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare mësimit me dy turne. Në ambientet e shkollës “Fan Noli”, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit e Sportit për projektin e ndërtimit të 17 objekteve të reja arsimore në Tiranë, ndërkohë që 3 shkolla janë në proces ndërtimi, duke e çuar në 20 numrin e tyre.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Kryeministri Rama vlerësoi se përmes kësaj marrëveshje, materializohet një fazë e gjatë përgatitore dhe çelet rruga për një ndër kantieret më të rëndësishëm të programit të rilindjes urbane, kantieri i ndërtimit të 20 shkollave të reja, të 20 shkollave që do të bëjnë më në fund diferencën pas 25 vitesh vështirësi prej mbipopullimit dhe mbingarkesës.

Kryeministri tha se ky projekt i nisur nga Bashkia e Tiranës lajmëron nisjen e transformimeve të mëdha.

Kreu i Bashkisë deklaroi se për të pasur sukses në arsim, përveç përkushtimit të stafit të mësuesve, është tepër i rëndësishëm edhe krijimi i kushteve të përshtatshme.

“Infrastruktura nuk është gjithçka, por gjithsesi infrastruktura është diçka. Të ardhurit në një ambient të pastër, të ardhurit në klasa me hapësirë, të ardhurit në një ambient që ka estetikë, të ardhurit në një ambient që ka kushte minimale të dinjitetit njerëzor sigurisht që e bën më të lehtë misionin për të shërbyer në shkollat, në kopshtet dhe në çerdhet tona”, tha ai.

Kryebashkiaku deklaroi se vitin e parë Bashkia e Tiranës u detyrua që të shlyente 60 për qind të borxheve të mëparshme, ndërsa për një vit e gjysmë u mundësia dhe ndërtimi i një sërë çerdheve, kopshteve dhe i këndeve të lojërave për fëmijët.

Vetëm në një vit e gjysmë arritëm që në një kohë rekord, sigurisht me një bashkëpunim fantastik me sektorin privat, rezultati në fakt në Tiranë ishte fantastik. Ne arritëm që brenda 1 viti e gjysmë të kemi 35 çerdhe, një pjesë të rikonstruktuar nga bashkia, të tjerat me donatorë, kryesisht banka, kompani celulare dhe aktivistë të tjerë të komunitetit që vendosën të ndajnë një pjesë të fitimit të tyre me Bashkinë e Tiranës. 35 çerdhe, 26 kopshte dhe 10 kënde lodrash”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku deklaroi se ky projekt është në një vijë me vizionin e qeverisë për të investuar 1 miliard dollarë në 3 vitet e ardhshme në investime të tilla publike që injektojnë para në ekonomi dhe injektojnë punësim.  Kreu i Bashkisë së Tiranës u shpreh se falë këtyre projekteve të nisura në Tiranë, janë punuar mbi 10 mijë qytetarë direkt dhe 20 mijë të tjerë indirekt.

Veliaj deklaroi se modeli i zgjedhur për këto shkolla është i duhuri që nuk rëndon financat. “Kemi ndërtuar gjithashtu një model financiar i cili nuk i rëndon financat e bashkisë. Ne do të vazhdojmë të shpenzojmë të njëjtën shumë që kemi për merementimin e shkollave dhe ndërtimin e shkollave të reja, por kësaj here këtë do ta përkthejmë në një pagesë me këste vjetore për ndërtimin e këtyre shkollave të reja të cilat do t’i marrim në përdorim që vitin e parë dhe në dorëzim në 7 vitet e ardhshme”, tha ai.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vlerësoi punën e kryeashkiakut Veliaj për qytetin e Tiranës dhe për përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

Krahas këtyre 17 shkollave që pritet të fillojnë ndërtimin, aktualisht janë edhe tre shkolla duke u ndërtuar me fonde të Bashkisë së Tiranës.

Aktualisht nga 191 shkolla që ka qyteti i Tiranës, 61 prej tyre janë mbi kapacitet dhe 57 shkolla të tjera ku studiojnë 14 200 nxënës që bëjnë mësim me dy turne.

Standardet për planifikimin e shkollave të reja kanë marrë parasysh numrin e shkollave në bazë të popullsisë, rrezen e mbulimit si dhe numrin e nxënësve për klasë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button