Ekspozita

Poezia e Migjenit, në tablo

21 artistë ekspozojnë nën ndjesinë migjeniane në Galerinë Kombëtare të Arteve…

Ndërsa 104-vjetori i lindjes së Migjenit, një prej poetëve më të mirë të letrave shqipe, u kalua në heshtje gati një javë më parë (13 tetor), një grup artistësh kanë vendosur ta kujtojnë përmes një ekspozite. “Neomigjeniana” quhet ekspozita e hapur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve nën kurimin e Krenar Zejnos, e cila ka bërë bashkë 21 artistë të gjinive, teknikave dhe kombësive të ndryshme, por që i bën bashkë elementi migjenian. Stefano Albanese, Arben Bajo, Izabela Beisert, Lume Blloshmi, Marco Fantini, Renee Fuhrer, Helidon Haliti, Edi Hila, Ardian Isufi, Idlir Koka, Genti Korini, Anastas Kostandini, Ilias Christo, Greta Dhaskali Lami, Agim Muka, Murat Keraj, Simone Pellegrini, Rakip Shabani, Zini Veshi, Gembi Xerxa dhe Enkelejd Zonja.

“Në dallim nga ç’mund të vijë në mend apriori, një jubile i Migjenit, apo një honorifikm i tij, asnjë nga këto vepra nuk ka një posaçmëri, nuk ka një qëllim që të ilustrojë Migjenin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por prej Migjenit është huazuar një koncept. Termi ‘Migenian’ është shumë i njohur dhe gjendja që ai përshkruan shpesh në shkrimet e tij, mund të shfaqet fare kollaj edhe tek një artist i huaj i cili nuk e ka njohur kurrë Migjenin, por diku mund ta mbartë, apo rikonfirmojë atë”, tha kuratori Zejno. Sipas tij, këto përkime janë përzgjedhur për të qenë pjesë të kësaj ekspozite. “Ndoshta edhe subjekti në tablo është në një kontekst tjetër, edhe qeniet e fshehura në një tablo janë të një vendi tjetër, por megjithatë ata mund të bashkohen nga një lloj dramaciteti migjenian, apo një lloj poeticiteti migjenian që mbart këto elemente për të cilët ne kemi nevojë t’ju vendosim mbiemra, pra t’i quajmë ‘migjenian’. Asnjë nga tablotë nuk e ka pasur këtë qëllim, ky është thjesht një kurth kuratorial, pra tablotë janë pafajësisht aty, por në një përbashkësi kur një shenjues është e udhës të vendosë një thelb, që mund të jetë qoftë edhe një dinakëri kuratoriale, apo në rastin e një jubileu kërkon të bëjë bashkë artin e letërsisë me artin imazhit”, tha kuratori i ekspozitës. Për artistin Zini Veshi, cili jeton prej vitesh në SHBA, “arti është universal, arti rri mirë edhe në Nju Jork, arti nuk ka atdhe”. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 16 nëntor.

Neomigjeniane

Krenar Zejno

Ky do të ishte termi fjalëkyç i konceptimit kuratorial të kësaj ekspozite. Prej Migjenit është huajtur primati i tij për një koncept-emërtim, të cilin kur e lyp nevoja na vjen tashmë i gatshëm për përdorim: mjerim migjenian; imazhin përkatës: tablo migjeniane; hapësirën ku instalohet: skenë migjeniane; gjendjen që e banon: dramacitet migjenian.
Ndërkaq, në togfjalëshin ‘neomigjenian’, bashkëngjitur emrit prin një emërtesë që ka fituar prej kohësh qytetarinë si definicion i rrymave artistike me lidhje e përkime me artin e një periudhe të mëhershme, apo ndërlikime ricikluese mbi elemente të tij, risjellë në kohë të re, mbi një kontekst të ri.
Porse, edhe në lidhje me këtë, ekspozita që shfaqim nuk synon te një ndërlidhje e drejtpërdrejtë.
Së pari, me kalimin prej shkrimit te pikturimi, nga fjala tek imazhi, kapërcimi është apriori tjetërsues. Së dyti, s’është kërkuar një shpërfaqje analoge e mjerimit prekës dhe pikëllimit migjenian në objektin e një tabloje, por harkim dramatik në përmbajtjen e imazhit apo në formën dhe gjuhëzimin piktorik. Pra, nuk është qëllimi të ilustrohet vepra dhe marazi migjenian i skicimit letrar të dramës së mjerimit dhe vobektësisë së marrëdhënieve njerëzore si derivat i tij, përmes skicimesh prej arti pamor si derivate të inkursionit të shkrimtarit. As si vënie në shërbim të përndertë rikujtimi të tij përmes punësh të posaçme për këtë event. Edhe teksti “I gjeni një qytet Migjenit”, kryer më parë e në tjetër kontekst, ripropozohet si pretekst metaforik i ngjarjes. Atëherë?!
Lakorja e gërshetuar e konceptit kuratorial, prej fjale dhe imazhi, shtrihet të lidhë njërin domen të shprehjes artistike me tjetrin, por rrjedhimisht edhe skajet kohore të këtij fillim shekulli me të përparshmin dhe anasjelltas. Dhe, për pasojë, edhe efektet e diskursin që implikon një vizion i propozuar nën këtë shenjues.
Ajo çka, së paku si premisë, tentohet në ekspozitë, është instalimi interier/interior i një atmosfere migjeniane për vizitorin, dhe prania në punët e autorëve që e bëjnë atë, e një trajte poeticiteti. Përmbushja me të cilën, dihet, e shpie një skicë a bocet drejt një pune të kryer e, me gjasë, drejt të qenët vepër arti.
Tekefundit, ç’do mund ta honorifikonte më efektvisht Migjenin se sa dëshmimi i poetikës së tij tek frymon edhe pas një shekulli dhe përmes veprash të një tjetër arti e të pavarura nga qëllimi për këtë.
‘Unë dhe ti, murgeshë, dy skaje po të një litari’…
Poeti nuk është këtu pikëmbërritja te memoriali, por pikënisja nga memoria për tek empatia. E jo për artistët që ekspozojnë, por për vizitorët që i ekspozohen përballjes me veprat. Për një “lexim” nga një pikëvështrim i njëjtë e nën të njëjtën shenjë i autorëve dhe zhanreve të ndryshme, si mes tyre edhe me shkrimtarin. Dikush vendas, por që ka për atelie dhe objekt tabloje kontekstin apo lëndën e një vendi të huaj, dikush i huaj, që as nuk di për Migjen, mirëpo diku e has dhe e bart e rikonfirmon edhe atë.
Një eskursus pamor nëpër ekspozitë, me ftesën nën sugjerimin për një perceptim të orientuar të shenjës dhe elementeve të mundshëm përbashkues. Kësisoj, me parakushtin kuratorial për të mbathur, në daç këpucët lustrafinë, pasqyrë për mjerimin e të vocërrit, n’daç tollumbat e shqyera vertikalisht përpjetë, gati të përpijnë edhe idhullin e ledhave në lëkurë (…po, po, një ditë tollumbat kanë me e hangër mësuesin e tyne) e jo detyrimisht vërsnikun e zilisë horizontale përballë. Iniciativa kuratoriale – edhe prej miradijes që arti nuk mundet ta këmbejë realitetin po veç ta bëj më të jetueshëm – nuk është apel për një ndjeshmëri e shprehje të re të shpresës apo të pashpresës sociale, por më së pari, shpresa dhe apeli për ndjeshmëri e shprehje të re artistike. E që të bëhen hesapet e një vepre arti dhe të përftohet interesi i kënaqshëm e i mbrothtë prej kësaj, lypset të pikaset diku shifra e saktë e saj dhe të njihet koeficienti i shumëzimit me të. Poema: pictura lokuens; pictura: poema silens.
Piktura në ekspozitë është mal që s’bëzan, pavarësisht dhe pafajësisht e pandjeshme ndaj përdorimit të vet në një kontekst (ndonëse ashtu si vepra e Migjenit mund të pësojë historinë e një përdorimi dinak kontekstual). Mirëpo, ja që metafora kuratoriale, për të thënë gjënë me anë të tjetër gjëje, është pranuar si ftesë për pjesëmarrje nga autorët, mbase edhe për një nevojë më tunduese se ajo e dëshirës për të ekspozuar: ekzigjencën për të mos kërkuar medoemos të drejtpërdrejtën deklamative në një vepër arti, por për të rrëmuar në nënshtresat e saj. E nëse një konceptim i tillë do t’i kryente sadopak një shërbim kësaj mundësie për të shquar të abstraguarën, sigurisht që kjo do t’ishte me voli edhe për vetë veprën e Migjenit, drejt këqyrjes së thellësisë matanë epitelit që mvesh skicimin e botës së tij në bocën e vet të papërfunduar. Përmbledhur pa mbetje, gjithë-gjithë në dy libra postume nga jo më shumë se dy vjet përvojtje e përvoje hovi dhe hareje shkrimi. Në demarshin e aktives së Migjenit dhe ndoshta në krejt synimin intentio operis të veprës, asgjë s’bëzan më ndjeshëm e don të dalë në pah më shumë se sa akti i tij i zbathjes, në publik e në rrethana cilësuese, i brekëve legjendare të prapanikes patetike të shkrimtarisë. Nga pamja te gjuha, nga fjala tek imazhi, marazi migjenian “shoh qartë e ma qartë/ e vuej thellë e ma thellë” u shkëput herët e s’mundi më gjatë të vuante aq thellë, sa ta rrotullonte mbarë vargun rreth vetes drejt një epifanie të anasjellë: vuaj thellë e më thellë, dhe shoh qartë e më qartë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button