3-mujori II: Ulen cmimet e prodhimit të industrisë nxjerrëse, duhanit, naftës
Çmimet e prodhimit pësuan ulje gjatë 3-mujorit të dytë, ku ndikimin kryesor e dhanë ato të industrisë nxjerrëse, duhanit, naftës, ndërsa janë rritur të prodhimeve ushqimore, njofton sot INSTAT.
Sipas tij, në tremujorin e dytë ndryshimi vjetor i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit (IÇP) llogaritet me -1,2%.
Uljen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në grupin “Industri nxjerrëse” me 6,1 %, ku brenda tij ndikim kryesor e dha me 9 % ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror”.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2014-tës, IÇP pësoi ulje gjithashtu në aktivitetet e industrisë përpunuese të prodhimit të produkteve të duhanit me 8,3 % si dhe “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” me 5,7 %.
Ndryshe nga këto grupe prodhuese, janë rritur me 2,4% çmimet e prodhimit të produkteve ushqimore, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2014.
Prodhimet e produkteve për tregun vendas gjithashtu vërehet se shënuan ulje me 2,4% të çmimeve të prodhimit. Uljen më të madhe e patën prodhimet e industrisë nxjerrëse me 8,1 %, ato përpunuese me 0,9 %, energji elektrike, gaz, avull, ajër i kondicionuar me 0,9 %.
Ndryshe nga ky grup prodhimi, vmimet e produkteve për eksport shënuan rritje me 1,3 % krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në tremujorin e dytë 2015 ndryshimi tremujor i indeksit është +0,3 %, pasi cmimet e prodhimit në “Industri Nxjerrëse” u rritën me 1,6 % krahasuar me tremujorin e parë 2015. Rritjen më të lartë e shënuan çmimet e prodhimit në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 4,2 %.
IÇP e produkteve të industrisë përpunuese u ul me 0,3 %, ku ndikim kryesor e dha ulja e çmimeve të produkteve për përpunimi i letrës dhe produkteve të saj me 3,4 %, përpunimi i koksit, rafineria e nënprodukteve të naftës me 2,3 % dhe “Prodhimi i mobilieve” 2,0 %.
Ndryshe nga këto produkte, çmimet e prodhimit u rritën me 2,8% për produktet “Prodhimi i kimikateve, produkteve kimike” dhe “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 0,2 %.
Çmimet e prodhimit në grupet “Furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave” u rritën me 2,2 % krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ku rritjen më të ndjeshme e patën çmimet e produkteve “Grumbullimi, trajtimi dhe asgjësimi i mbetjeve” me 4,4 %.