Kronika

5 femra në role drejtuese në Policinë e Shtetit

Pesë punonjëse policie u certifikuan në përfundim të trajnimit të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Programin ICITAP dhe UN Woman , “Integrimi i Punonjëseve femra të Policisë së Shtetit në role Drejtuese Operacionale, Prill-Nëntor 2015”.

Kryekomisare Anila Popa, Kryekomisare Lindita Nushi, Komisare Gjenovefa Budo, Komisare Valbona Aliaj (Hysomemaj) dhe Komisare Jonela Sulaj janë punonjëset më të reja në rolet Drejtuese Operacionale.

Gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako theksoi se Integrimi Gjinor në Policinë e Shtetit, është një ndër elementët më të rëndësishëm të reformës për të pasur një shërbim policor profesional, transparent, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, duke plotësuar të gjitha nevojat për siguri që ka komuniteti, të cilit i shërbejmë.

Ndërkohë Drejtori i Programit ICITAP, Steve Bennett,  vlerësoi këtë iniciativë si një hap mjaft pozitiv në drejtim të vlerësimit të duhur të rëndësisë së barazisë gjinore për Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë për Policinë e Shtetit.

Drejtuesi i UN Women në Shqipëri, David Saunders, duke vlerësuar nismën më të fundit të ndërmarrë nga Policia e Shtetit, vuri në dukje disa prej hapave të ndërmarrë nga organizata e policisë si promovimi i rekrutimeve në polici në raporte të barabarta mes burrave dhe grave e vajzave, duke shprehur njëherazi vlerësime dhe përgëzime që nga 1000 punonjës të rekrutuar gjatë vitit 2014, pothuajse 50% e tyre ishin femra.

Programi për Integrimin e punonjëseve femra të Policisë së Shtetit në role Drejtuese Operacionale do të vijojë me synim rritjen e përfaqësimit të tyre në këto role në Policinë e Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button