56 vjet nga demonstratat e vitit 1968 në Prizren me kërkesën “Kosova Republikë”
Më 6 tetor të vitit 1968 në qytetin e Prizrenit nisën demonstrata masive, më të mëdhatë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore.
Demonstratat nisën pranë ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e më pas u shtrinë edhe në Suharekë më 8 tetor dhe në Pejë më 19 tetor. Ato shprehën hapur kërkesën e shqiptarëve për shpalljen e Kosovës Republikë dhe të drejtën e vetëvendosjes.
Ngjarjet u zhvilluan në një klimë të zgjimit kulturor dhe kombëtar shqiptar. Një rol të rëndësishëm në këtë proces luajti Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, e mbajtur më 22–23 prill 1968, ku u trajtua çështja e njësimit të gjuhës letrare shqipe. Kjo atmosferë u ndikua edhe nga kremtimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, si dhe nga vala e lëvizjeve studentore që përfshiu Evropën gjatë vitit 1968.
Demonstratat shprehën hapur kërkesat politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Përballë tyre, autoritetet jugosllave ndërmorën masa represive, ndërsa zhvillimet që pasuan kontribuuan në avancimin e statusit politik të Kosovës dhe në themelimin e Universitetit të Prishtinës në vitin 1969.
Megjithëse kërkesa për Republikën e Kosovës nuk u realizua, demonstratat e vitit 1968 mbetën një pikë kthese në historinë politike, kombëtare dhe arsimore të shqiptarëve të Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.