Vrasja e shqiptarit në Torino, arrestohen gruaja e viktimës dhe partneri i saj i ri
Dy persona janë arrestuar në Itali në lidhje me vrasjen e 55-vjeçarit shqiptar Mikel Rroku, i cili u gjet i pajetë me dëmtime të rënda në kokë në banesën e tij në Torino më 6 korrik të këtij viti.
Në pranga kanë rënë bashkëshortja e viktimës, 45 vjeçe, dhe partneri i saj i ri, 52 vjeç, të dy shtetas italianë. Karabinierët e komandës provinciale të Torinos ekzekutuan në orët e para të mëngjesit të së martës urdhrat e arrestit ndaj dy të dyshuarve.
Ata dyshohet se janë përgjegjës për vdekjen e Rrokut, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e krimit.
Trupi i 55-vjeçarit ishte gjetur më 6 korrik në banesën e tij në rrugën Verolegno, në lagjen Lucento të Torinos. Viktima ishte në gjendje të avancuar dekompozimi dhe u zbulua pasi fqinjët njoftuan autoritetet për shkak të erës së rëndë që vinte nga apartamenti.
Pas hetimeve disa mujore, autoritetet italiane kanë identifikuar bashkëshorten e viktimës dhe partnerin e saj të ri si autorët e dyshuar të vrasjes, duke kërkuar masën e arrestit në burg për të dy.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.