6 dukuritë që do t’ju mbajnë me sytë nga qielli në 2016
Viti që kemi përpara do të ketë shumë fenomene qiellore për t’u mbajtur mend. Që nga një zhdukje planetare, deri te një afrim i Marsit, të pasionuarit pas vëzhgimit të qiejve do të kenë mundësi të arta të shohin pamje spektakolare.
Më konkretisht, ja cilat janë ngjarjet kryesore që duhet t’i rrethoni në kalendarin e 2016 në fushën e astronomisë.
Eklipsi diellor total – 8 mars
Dielli do të përjetojë zhdukjen më të mrekullueshme qiellore të këtij viti – një eklips total – kur Hëna do t’i dalë përpara. Mbulimi total do të zgjasë për katër minuta dhe do të jetë i dukshëm në pak vende, që nga Azia Juglindore në Indonezi në Oqeanin Paqësor në perëndim.
Një eklips i pjesshëm, ku vetëm një pjesë e Diellit do të mbulohet, do të duket në më shumë vende, përfshirë pjesën më të madhe të Azisë, Oqeanisë dhe Australisë.
Dushi i meteorëve Eta Aquarid – 6 maj
Shumë nga dushet e mëdha vjetore të meteorëve këtë vit do të jenë pak të dukshme për fat të keq, kjo për shkak të ndriçimit të Hënës, megjithatë, ai i Eta Aquarid do të mbërthejë njerëzit me sytë nga qielli.
Mbetjet sa një kokrrizë rëre nga kometa e famshme Halley do të bien drejt atmosferës së Tokës në mbrëmjen e 6 majit dhe në orët e para të agimit më 7 maj. Aktiviteti i këtij viti përkon me kohën kur do të kemi Hënë të re, ndaj qielli do të jetë mjaftueshëm i errët për të pasionuarit e astronomisë, të cilët do të kenë mundësi të shohin meteorët që i kalojnë në fushën e shikimit.
Në periferitë e errëta të Hemisferës Veriore, priten rreth 30 meteorë në orë, ndërsa në Hemisferën Jugore mund të ketë mbi 60 meteorë në orë.
Tranziti i Mërkurit – 9 maj
Vëzhguesit e pasionuar pas qiellit do të shohin një kalim shumë të rrallë të Mërkurit përgjatë Diellit të hënën më 9 maj. Gjë që ndodh për herë të parë në dhjetë vjet.
Silueta e vogël e zezë e planetit do të duhet të lëvizë për shtatë orë që të rrotullohet rreth diskut diellor nga ora 11:12, deri në orën 18:42. Kalimi do të jetë i dukshëm në pjesën më të madhe të Amerikave dhe në Europën Perëndimore. Ky tranzit do të shihet edhe në një pjesë të Afrikës dhe Azisë. Njerëzit në Azinë Jugore dhe ata në Australi, për fat të keq nuk do të mund ta ndjekin fenomenin, ngaqë atje do të jetë natë.
Planeti do të kalojë mes Tokës dhe Diellit dhe do të eklipsojë vetëm 1/150 e diskut diellor. Shikimi i sigurt i diskut të Diellit do të kërkojë zmadhim dhe përdorimin e një teleskopi me filtër të vogël diellor.
Rreshtimi qiellor – 23 gusht
Pas mbrëmjes së 23 dhe 24 gushtit, një renditje mbresëlënëse do të ndodhë mes dy planetëve më të ndritshëm, që do të mund të shihet edhe me sy të lirë. Marsi dhe Saturni nuk do t’ju zhgënjejnë këtë vit.
Veçanërisht tërheqëse do të jetë konkurrenca mes dritave portokalli të Marsit dhe rivalit të yjësisë së Akrepit. Trioja kozmike do të formojë një linjë vertikale dramatike në qiellin mbrëmësor të perëndimit që do të jetë shumë e dukshme.
Afërdita takohet me Jupiterin – 27 gusht
Dy nga objektet më të ndritshme të qiellit pas Diellit dhe Hënës, do të kenë një takim shumë të afërt në muzgun e 27 gushtit.
Planeti i Afërditës dhe Jupiterit në afërsi do të kenë një ndërthurje fantastike në muzg. Meqenëse ndërveprimi do të jetë shumë poshtë, planetët do të luftojnë për dritë në muzg. Duke përdorur dylbi ose një teleskop, ndiqni një takim nga afër të dy planetëve më të ndritshëm në qiell.
Marsi dhe Laguna – 28 shtator
Ndërsa Marsi do të jetë në formën e vet më të madhe dhe më të ndritur në qiellin e fillimvitit, rreth fundit të majit dhe fillimit të qershorit do të afrohet me një nga retë ndëryjësore më të famshme të gazit dhe pluhurit.
Sapo të fillojë të erret më 28 shtator, planeti i kuq do të krijojë një kontrast mahnitës me mjegullnajën e Lagunës që është 4000 vite dritë larg. Dy objektet qiellore do të shfaqen më pak se një gradë larg njëri-tjetrit në pamjet e teleskopit apo dylbive. Do të jetë një mundësi shumë e mirë për të gjithë ata që fotografojnë qiellin.
Burimi: National Geographic