60 vjet në OKB, Bushati: Shqipëria, aktor i përgjegjshëm dhe dinamik
Shqipëria shënon këtë 14 dhjetor 60-vjetorin e anëtarësimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ministria e Jashtme në një ceremoni të posaçme ka vlerësuar rolin dhe kontributin e Shqipërisë, në këtë organizatë, që ka kulmuar me anëtarësimin e Shqipërisë në 2014 në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.
“Nëse do të kërkonim një element apo një fill që lidh 6 dekadat e pranisë sonë në OKB, përtej sistemeve e ideologjive, ai është qëndrimi i pandryshuar i shtetit shqiptar në favor të paqes e sigurisë. Është pjesë e ADN-së sonë si komb, për të qenë në harmoni e në paqe me të tjerët. Kemi kontribuar me trupa ushtarake dhe policore në Misionet e OKB-së. Jemi angazhuar në mënyrën më aktive të mundshme në mbështetje të reformës së ndihmës për zhvillim nëpërmjet zbatimit të modelit “Një OKB”. Jemi promotorë të mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”, u shpreh në ceremoninë e rastit ministri i jashtëm Ditmir Bushati.
Shqipëria, ndonëse një vend i vogël ka dëshmuar të jetë një zë i fortë në promovimin e paqes e sigurisë në botë, ka vlerësuar koordinatori i OKB-së në Shqipëri, Brian Williams. “Ndonëse një vend i vogël, ka dëshmuar të jetë një zë i fortë dhe një aktor aktiv në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë, por edhe në reformimin e sistemit të OKB-së, për çka Shqipëria ka arsye të ndjehet krenare”, ka thënë Williams.
Më pas, u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi rolin e Shqipërisë në OKB.