7 milionë dollarë për rehabilitimin e vijës liqenore Lin-Pogradec
– Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit deklaroi sot se ka akorduar 7 milionë dollarë për rehabilitimin e vijës liqenore Lin-Pogradec, ndërsa 21 subjektet e shpronësuara në Hudënisht do të përfitojnë 4.5 milionë dollarë.
Përmes një deklarate për shtyp, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit hodhi poshtë pretendimet e Partisë Demokratike për 53 familje e biznese të Hudënishtit, të cilëve po u shemben pronat.
Sipas MZHUT-së “në muajin janar merr jetë projekti i rehabilitimit të aksit përgjatë liqenit të Ohrit, nga Lini në Pogradec.
Qeveria ka financuar fazën e parë të projektit, paralel me atë të përfundimit të rrugës nacionale Lin- Pogradec, në masën 190 milionë lekë ose gati 2 milionë dollarë. Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, Qeveria ka filluar zbatimin e projektit të parë në Komunën Hudënisht me rehabilitimin e qendrës së komunës, sheshit në hyrje të saj si dhe një sheshi shumëfunksional në qendër të fshatit, të cilat janë pjesë të fazës së parë të projektit për reabilitimin e qendrave të banuara përgjatë liqenit të Ohrit, në këtë komunë”, thuhet në këtë deklaratë.
Ministria sqaron se, nga projekti preken 21 objekte dhe jo 53 dhe ato janë mbi 90% objekte shërbimi. “Dy prej tyre banohen dhe në të njëjtën kohë janë dhe objekte shërbimi, në hipotekë figurojnë pas privatizimit, si objekte shërbimi”.
Mbi bazën e projektit si dhe mbështetur në gjurmën që shtrihet projekti, me urdhër të Ministres është ngritur grupi i punës, që ka bërë vlerësimet e objekteve në terren. Është ngritur Komisioni i shpronësimit me urdhër të Ministres dhe bazuar në ligj, kryesohet nga Zëvendësministri i MZHUT.
“Është lidhur Akt – Marrëveshja me njësinë vendore ku do të zbatohet projekti bazuar në ligjin për shpronësimet si dhe është shpallur lista e të shpronësuarve pranë njësisë- subjekti kërkues dhe zbatues të projektit në bazë të ligjit për shpronësimet dhe VKM -së përkatëse”, vijon deklarata.
Në total, MZHUT sqaron se janë 21 objekte deri në momentin e shpalljes së listës, pa administruar kontestimet dhe jo 53 objekte, të cilat janë vlerësuar në masën 4. 5 milionë dollarë. Totali i investimit nga buxheti i shtetit përfshirë dhe fondin për projektin e reabilitimit shkon afërsisht në vlerën 7 milionë dollarë.
“Komisioni i Shpronësimit, ngritur pranë Ministrisë së Zvillimit Urban dhe Turizmit për të vlerësuar praktikat nëse janë të bazuara në ligj dhe akte nënligjore, fton zotin Spaho të njohë dokumentacionin e cituar më sipër dhe më pas, të bëjë politikë mbi dëshpërimin dhe manipulimin me prishje imagjinare”, përfundon deklarata.