Bota

Presidenti Biden në takimin e ASEAN-it mes rivalitetit me Kinën dhe luftës në Ukrainë

Presidenti Biden synon të diskutojë gjatë takimeve luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj global, si dhe situatën në Mianmar. Punimet e takimit drejtohen nga kryeministri i Kamboxhias, që ka kryesinë e radhës.

“Le të përqëndrohemi tek objektivi i përbashkët për zhvillimin e ndërsjelltë të paqes, stabilitetit dhe përmirësimin e rajonit”, tha Kryeministri i Kamboxhias, Hun Sen.

Takimi po ndodh ndërsa vazhdon dhuna dhe ngërçi politik në Mianmar. Junta ushtarake në këtë vend nuk ka zbatuar planin për paqe të ASEAN-it, duke zemëruar kështu udhëheqësit e vendeve anëtare.

“Nuk duhet të lejojmë që situata në Mianmar të sfidojë ASEAN-in”, tha Presidenti i Indonezisë, Joko Widodo.

Kryeministri kinez Li Keqiang u takua me udhëheqësit e ASEAN-it të premten, një ditë përpara mbërritjes së Presidentit Biden.

Pekini po përpiqet të fitojë mbështetje në rajon nëpërmjet marrëveshjeve tregtare dhe infrastrukturore, duke konkurruar me influencën e Uashingtonit që jep kontributin kryesor për sigurinë e këtij rajoni.

Udhëheqësit e vendeve të ASEAN-it po ndjekin me shqetësim rritjen e rivalitetit SHBA – Kinë.

“Çfarë ndodh nëse ka zhvillime me Tajvanin dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë qasje në Singapor, Indonezi dhe Filipine? A do lejohet qasja dhe a do të shndërrohemi ne në objektiva të Kinës? Për këtë nuk ka ende një përgjigje në rajon”, thotë Evan Laksmana, nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.

Ukraina ishte në epiqendër të vëmendjes këtë javë, ndërsa Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba nënshkroi me ASEAN-in traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit, një lëvizje simbolike kjo ndërsa Kievi dhe Perëndimi po kërkojnë të izolojnë Rusinë.

Këtë vit, Shtetet e Bashkuara morën në ASEAN statusin e partnerit strategjik, të cilin e mori edhe Kina vitin e kaluar. Pjesëmarrja e Presidentit Biden në takimin e ASEAN-it i paraprin takimit të shumëpritur të hënën me Presidentin kinez Xi në kuadrin e takimit të G-20ës që mbahet këtë vit në Indonezi.

“Ajo që dëshiroj të arrij kur të bisedoj me të është që të përcaktojmë vijat tona të kuqe; të kuptojmë se çfarë konsideron ai interesa jetike kombëtare të Kinës dhe ato që unë di se janë në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara; si dhe të përcaktojmë nëse këto janë në konflikt me njëra-tjetrën, dhe nëse po, si do t’i zgjidhim ato”, tha Presidenti Biden.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button