Bota

Presidenti Biden shpall kandidaturën për zgjedhjet presidenciale 2024 

“Kur kandidova për president katër vjet më parë, thashë, ne jemi në betejë për shpirtin e Amerikës dhe kjo betejë po vazhdon. Pyetja me të cilën po përballemi është nëse në vitet në vijim do të kemi më shumë liri apo më pak liri, më shumë të drejta apo më pak”, tha zoti Biden në videon përmes së cilës e shpalli rikandidimin për president.

Zoti Biden nuk pritet të përballet me vështirësi për të fituar emërimin e partisë demokrate, por do të ketë një luftë të vështirë për të mbajtur presidencën, në një kohë kur kombi amerikan vazhdon të ketë ndasi të thella politike.

Njoftimi për rikandidimin nuk ishte një befasi, por ai i jep fund spekulimeve disa muajshe.

Analistët e vënë theksin tek pika kryesore që shqetëson shumicën e votuesve, përfshirë edhe atyre të Partisë Demokratike, mosha e zotit Biden.

Ai do të jetë 82-vjeç në natën e zgjedhjeve më 2024 dhe nëse do të fitonte zgjedhjet, do të ishte 86-vjeç në fund të mandatit të dytë.

“Kjo do të jetë një kandidaturë historike për presidencën. Ai tani është presidenti më i vjetër që ka mbajtur ndonjëherë postin dhe kandidimi në moshën 82-vjeçare do të ngrejë pikëpyetje të mëdha për çështjet e brezave brenda Partisë Demokratike dhe mundësitë për poste udhëheqëse, por edhe për sa i përket shëndetit dhe mirëqenies së tij”, thotë profesori i Politikës Amerikane në Universitetin e Çikagos.

“Është gjithmonë historike kur diçka është e paprecedentë. Zoti Biden do të jetë 82 vjeç në kohën kur kandidon. Nëse ai do të rizgjidhet, kur të përfundojë mandatin e dytë do të ishte në moshën 86 vjeçare. Kjo është e paprecedentë. Ne e dimë nga sondazhet se kjo përben shqetësim për disa njerëz në të gjithë spektrin politik”, thotë Barbara Perry, Drejtoreshë e Studimeve Presidenciale tek Universiteti i Virxhinias.

Një sondazh i fundit i realizuar nga Associated Press dhe qendra për Kërkimin e Çështjeve Publike tregon se vetëm rreth gjysma e demokratëve mendojnë se presidenti Joe Biden duhet të kandidojë përsëri.

Presidenti Biden megjithatë mendon se kur votuesit të përballen me alternativën mes tij dhe një kandidati republikan, veçanërisht nëse ky do të ishte Donald Trumpi, atëherë shumica e elektoratit do të ishte në anën e demokratëve. Sondazhet tregojnë se momentalisht Donald Trump ka gjasat më të mëdha të fitojë emërimin e Partisë Republikane.

Ekspertët pajtohen me këtë vlerësim.

“Mund të bëjmë një analogji sportive. Nëse dilni në finale dhe ndesheni me një ekip që e keni mundur më parë, ju keni vetëbesim. Nuk do të thotë se do të fitoni çdo ndeshje kundër atij ekipi, por zakonisht në sondazhe, kjo ka treguar se Joe Biden është i vetmi demokrat që mund ta mposhtë Donald Trumpin”, thotë zonja Perry nga Universiteti i Virxhinias.

Profesori William Howell thotë se ajo që shkon në favor të zotit Biden është argumenti se ai nuk është një kandidat që sjell kaos si është zoti Trump. Zoti Biden, sipas tij, ka kthyer të paktën qetësinë në politikën kombëtare në krahasim me atë që ndodhi në katër vitet e mëparshme.

“Ai do të duhet të kandidojë me idenë se mund të na drejtojë në kohë të vështira. Ekonomia është më e mirë. E kapëcyem problemin e COVID-19, ndonëse jo plotësisht. Inflacioni po bie dhe jemi më të respektuar në të gjithë botën siç nuk ishim më parë. Këto lloj mesazhesh pres të dëgjoj nga zoti Biden dhe mendoj se ai do t’i shfrytëzojë këto gjatë fushatës”, thotë profesori Howell.

Fushata e presidentit Biden për vitin 2024 do të jetë dukshëm e ndryshme nga ajo e vitit 2020, kur pandemia COVID-19 e detyroi atë të bënte fushatë kryesisht nga shtëpia e tij në Wilmington në Delaware. Kjo bëri që ai të shmangë një fushatë të rregullt dhe të lodhshme, duke udhëtuar nga njëri shtet tek tjetri.

Por, Drejtoresha e Studimeve Presidenciale tek Universiteti i Virxhinias, Barbara Perry thotë se presidenti Biden tani mund të përdorë shtëpinë e tij aktuale, Shtëpinë e Bardhë në avantazhin e tij.

“Për mua, simbolika e Shtëpisë së Bardhë është elementi më i rëndësishëm për një president që është në detyrë pasi ju flisni nga hapësirat e brendshme të presidencës amerikane”, thotë zonja Perry.

Në videon 3 minutëshe ku shpalli rikandidimin për president zoti Biden po llogarit se arritjet e tij legjislative në mandatin e parë dhe mbi 50 vjet përvojë në Uashington do të kenë më shumë rëndësi për votuesit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button