Parlamentare

Kuvendi nis punimet, sot lufta për Topallin e për Komisionin Hetimor

 Seanca e sotme plenare pritet që të jetë një nga më të gjatat e shoqëruar nga debate të forta midis mazhorancës dhe opozitës. E paraprirë nga protestat e ish-ushtarakëve të dalë në pension, dhe nga ndryshimi në mënyrë të beftë i rendit të ditës, deputetët e të dy forcave politike do të diskutojnë tre prej çështjeve më të debatuara të këtij viti: shqyrtimi i kërkesës së PS-së për komisionin hetimor për zgjedhjet parlamentare 2009, mocioni me debat për çështjet e integrimit dhe për kryetaren e Kuvendit Topalli dhe Akti Normativ i qeverisë që ul pensionet e ushtarakëve. Ndonëse në rendin e ditës ishin parashikuar 13 pika, në orët e vona të ditës së djeshme kalendari i vjetër u tërhoq nga faqja e Kuvendit. Shkak është bërë kërkesa e PS-së për t’u diskutuar në seancën e sotme vetëm tre prej pikave më të rëndësishme që ishin caktuar të fundit.

Kërkesa e PS-së
Pika që do të ngjallë debatet më të forta në seancën e fundit plenare për këtë vit është kërkesa e selisë rozë ngritjen e Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 28 qershorit. Burime për gazetën “Shekulli” bëjnë të ditur se opozita nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj duke kundërshtuar pretendimet e mazhorancës për tre pika të projektvendimit të PS-së që lidhen me shumicën e votave në Komision, objektin e hetimit dhe me kryetarin, i cili parashikohet që të ketë tre vota. Deri në orët e vona opozita nuk ka paraqitur asnjë riformulim të ri, duke pritur qëndrimin që do të mbajë mazhoranca. Edhe Partia Demokratike nga ana e saj nuk ka bërë asnjë tërheqje. Demokratët do të kërkojnë gjatë seancës së sotme që opozita të riformulojë kërkesën e saj në përputhje me konkluzionet e nxjerra në Komisionin e Ligjeve nga relatori i kësaj çështjeje Viktor Gumi, i cili i cilëson tre nene të projektvendimit të PS-së si antikushtetuese. Në rast se opozita nuk tërhiqet, demokratët do të rrëzojnë kërkesën e socialistëve. 
Mocioni për “Topallin”
Jo me më pak interes është edhe mocioni për çështjet e integrimit, e cila pritet që të diskutohet për 6 orë në Kuvend ku të dy palët do të kenë nga 3 orë kohë të lirë për të diskutuar. Burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se mocioni i socialistëve do të rrëzohet. Indice për mocionin për debat për çështjet e integrimit është raporti i Komisionit Europian, sipas të cilit pjesa më e kritikuar është funksionimi i Kuvendit të Shqipërisë. Kritikat nisin nga kryetarja Topalli, e cila akuzohet se ka shkelur kompetencat e saj e deri tek deputeti më i thjeshtë. Opozita ka deklaruar se në varësi të seancës së sotme plenare do të marrë edhe aksione të tjera politike që mund të pasohen nga mocioni për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, apo edhe më tej për shkarkimin e kryeministrit Sali Berisha. KE fajëson kryeparlamentaren Topalli për punën e dobët të Kuvendit, e cila akuzohet se ka keqpërdorur postin. “Pozicioni i kryetares së Parlamentit është keqpërdorur, sidomos duke ushtruar influencë të pabalancuar në hartimin e agjendës parlamentare, duke u impostuar në mënyrë frekuente përmes vendimeve të marra në momentet e fundit, ndërkohë që këto vendime duheshin marrë nga konferenca e kryetarëve. Pavarësisht nga dispozitat kushtetuese, ka një mungesë e mbikëqyrjes efektive parlamentare mbi ekzekutivin dhe parlamenti nuk funksionon si institucion i pavarur. Komisionet hetimore kanë qenë shpesh herë forume për grindjet e partive politike, në vend të instrumenteve për mbikëqyrje parlamentare. Ata kanë prodhuar shumë rrallë rezultate dhe kështu kanë pasur ndikim të kufizuar në politikat e qeverisë”, – thuhet në raport. Duke e lidhur edhe me krizën politike në vend raporti theksoi se që nga qershori i vitit 2009, puna parlamentare është lënë në hije dhe është penguar nga bllokimi politik. 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button