Sporti ne bote

Interi shkarkon Rafa Benitez, Morati: U bë e paevitueshme!

 Rafa Benitez nuk do të jetë më trajner i Interit. Pas ditësh të tëra të mbushura me polemika e thashetheme, klubi zikaltër ka njoftuar prishjen e kontratës në mënyrë konsensuale me trajnerin spanjoll. Aventura e Benitez në krye të Interit zgjati vetëm 6 muaj, në të cilët ai fitoi një Superkupë të Italisë dhe Botërorin e klubeve. 
“Interi falënderon Benitez për punën e kryer në këtë periudhë në drejtimin e skuadrës, – thuhet në komunikatën e klubit italian. 

Ndërkohë edhe Benitez ka falënderuar Interin për atë që ai e ka quajtur eksperiencë të rëndësishme profesionale si dhe për fitoret e arritura së bashku. 
Mediat italiane bëjnë të ditur se akordi ekonomik për prishjen e kontratës është arritur mbi bazën e 3 milionë eurove. Ndërkohë, që nga Anglia, vetë Benitez ka falënderuar futbollistët, tifozët, klubin e Interit dhe presidentin Masimo Morati. 

“Unë dhe stafi im po largohemi duke marrë me veten alegrinë e tifozëve dhe trishtimin natyral kur ndahesh nga një klub si Interi, – ka bërë të ditur Benitez nëpërmjet një deklarate. – Dy trofetë e fituar ishin rezultat i impenjimit të të gjithëve, profesionalizmit të lojtarëve dhe respektit të klubit. Një falënderim i veçantë i shkon Masimo Moratit, që më zgjodhi trajner të Interit”, shton më tej spanjolli. 

Nën drejtimin e tij, zikaltërit kanë patur një nga ecuritë më të dobta të viteve të fundit, duke u renditur për momentin 13 pikë larg kreut, ndonëse me dy ndeshje më shumë për të luajtur. 
“Më vjen keq për ndarjen me Benitez, me të cilin pavarësisht problemeve, fituam dy trofe”, – deklaroi presidenti Masimo Morati. 

Ai e ka quajtur të pashmangshëm shkarkimin e trajnerit spanjoll. “Kishte shumë gjëra që nuk po shkonin mirë, ndërsa fjalët e tij në Abu Dabi, pas fitimit të Botërorit të klubeve, e bënë shkarkimin të paevitueshëm”, shtoi Morati. Kreu i klubit iu referua sulmit të trajnerit ndaj tij dhe ndaj drejtuesve të tjerë për shkak të mungesës së merkatos. 

Ndërkohë, pasuesi i Rafa Benitez sipas të gjitha gjasave do të jetë braziliani Leonardo, që pëlqehet shumë nga Masimo Morati. Zyrtarizimi i tij duket tashmë një çështje orësh. 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button