A do të kemi së shpejti kafshë shtëpiake robotike?
Ekspertët paralajmërojnë se mbipopullimi global do t’i bëjë kafshët shtëpiake një luks dhe se personat me të ardhura të ulëta do të gjejnë ngushëllim te robotët imitues
Macet dhe qentë mund të zëvendësohen së shpejti me robotë, pretendon një ekspert i fushës. Mendohet se rritja globale e popullatës mund të bëjë që kafshët e vërteta të jenë ekskluzivitet vetëm i të pasurve. Për t’i paraprirë kësaj, njerëzit po i kthehen shoqëruesve virtualë.
Kërkuesi i mirëqenies së kafshëve në Universitetin e Melburnit, Jean-Loup Rault, thotë se perspektiva e kafshëve shtëpiakë robotike dhe atyre virutale nuk është aq e largët dhe e koklavitur nga sa mendojmë ne.
Në kërkimin e tij të publikuar në revistën Shkenca e Veterinarisë, kërkuesi argumenton se kafshët do të jenë së shpejti një luks në një botë të mbipopulluar dhe e ardhmja mund të shtrihet në kopje teknologjike të tyre.
“Mund të tingëllojë surreale për ne pasja e kafshëve robotike dhe virtuale, por mund të jetë normale për brezin e ardhshëm”, – tha kërkuesi Rault.
Nuk është çështje që mund të gjejë zbatim shekuj më pas. Nëse 10 miliardë njerëz jetojnë në planet në vitin 2050 siç është parashikuar, ka gjasa të ndodhë më shpejt nga sa e mendojmë.
Nëse ia përshkruanim Facebook-un dikujt 20 vite më parë, ai do të mendonte se ne ishim të çmendur. Por njeriu ka treguar devotshmëri ndaj teknologjisë. Siç e shohim tanimë, njerëzit kanë krijuar lidhje të forta emocionale me qentë robotikë në Japoni. Atje njerëzit po bëhen aq të lidhur me qentë e tyre robotikë, saqë u mbajnë atyre funerale kur u digjen qarqet.
Rault u përfshi në studim pasi zbuloi një mungesë të madhe informacioni rreth mënyrës se si teknologjia do të ndikojë në marrëdhëniet tona me kafshët në të ardhmen.
“Nuk ka shumë informacion rreth robotëve kafshë shtëpiake, por nëse kërkoni për qentë robotikë, ka shumë patenta të lëshuara për këtë punë”, – tha ai.
Çdokush do ta paraprijë këtë gjë, sepse ka një treg që do të jetë plotësisht i lirë brenda 10 ose 15 viteve.
Por kafshët shtëpiake robotike janë një monedhë me dy anë, paralajmëroi kërkuesi.
Prej tyre mund të përfitojnë njerëzit që janë alergjikë ndaj kafshëve, ata që nuk kanë shumë hapësirë në shtëpi, në spital, njerëzit që tremben nga kafshët e vërteta, por etika mbi shoqëruesit robotikë ka probleme të mëdha që po vihen në pikëpyetje.
“Robotët munden, pa asnjë dyshim, të nxisin emocione te njeriu”, – shtoi studiuesi Rault.
Nëse kafshët artificiale mund të prodhojnë të njëjtat përfitime si kafshët shtëpiake të vërteta, a do të thotë kjo se emocionet të cilat lindin mes nesh dhe kafshëve janë thjesht një imazh që i projektojmë vetë mbi ta?
Si një kërkues i mirëqenies së kafshëve, Rault është veçanërisht i interesuar në pyetjen nëse shfaqja e kafshëve false mund të çojë në një ndryshim në humanitetin me të cilin njerëzit i trajtojnë kafshët.
“Sigurisht që ne përkujdesemi për kafshët e vërteta, por nëse mësohemi me një shoqërues që nuk kërkon ushqim, ujë ose ushtrime, ndoshta kjo do ta ndryshojë sasinë e interesit që kanë njerëzit për qeniet e tjera njerëzore”, – tha kërkuesi.
Rault thotë se nuk do të jetë e largët dita kur do të krijohet një mirëbesim mes robotëve dhe njerëzve. Inteligjenca Artificiale mund të zhvillohet aq shumë saqë kafshët do të mësojnë të mendojnë dhe të përgjigjen vetë.
Kur inxhinierët punojnë me qentë robotikë, ata punojnë mbi inteligjencën sociale, ata zgjidhin nevojat që njerëzit kanë. Shoqëria, dashuria, varësia dhe mbarëvajtja, janë disa nga gjërat që njerëzit kërkojnë te kafshët.
Studiuesit janë shumë të interesuar të mësojnë çdo gjë rreth sjelljes së kafshëve në mënyrë që ta kopjojnë atë sa më ngjashëm me një kafshë reale.
Po macet robotike? “Epo, kjo është pak më e vështirë sepse ato duhen të bëhen të paparashikueshme”, përfundoi ai.
*Burimi: Daily Mail.