A e loboi biznesi i qendrave tregtare rritjen e taksimit për blerjet online?
Çfarë “fshihet” pas taksimit të blerjeve online. Tirana, me një numër banorësh që në fillim të 2016-s arriti mbi 800 mijë sipas INSTAT, numëron 16 qendra tregtare. Në vjeshtën e këtij viti, pritet të vijë në treg një qendër e re, që do t’i shtojë stokut të përgjithshëm një sipërfaqe shtesë prej 60 mijë m² (mbi 240 mijë në total), por a ka vërtet blerës? Ngopet tregu me qendra, kryeqyteti njësoj si vendet perëndimore, me rreth 220m2 për 1000 blerës…
Të gjithë sot po kërkojnë blerës. Qendrat tregtare tentojnë të joshin me oferta të kombinuara me argëtim. Dyqanet e rrugëve kryesore ofrojnë skonto deri në 80%, pikat e shitjes së lagjeve tentojnë të krijojnë klientë besnik.
Kjo në një mjedis ku konsumi është i dobët, ndonëse pozitiv, rritja ekonomike e ngadaltë dhe për më tepër klientët janë bërë më kërkues për raportin cilësi-çmim. Që pas heqjes së vizave, një pjesë e konsumatorëve blinin direkt jashtë vendit, ndërsa dhe blerjet online po bëhen gjithnjë e më të preferuara.
Këto të fundit gjithsesi priten të frenohen pasi limiti për blerjen pa taksa u ul së fundmi nga 145 euro në 22 euro, duke u shtuar produkteve që blihen në internet, përveç 22.4% TVSH dhe taksë doganore, edhe andrallat e zhdoganimit. Ulja e kufirit erdhi pikërisht si rrjedhojë e presionit të biznesit vendas, që duket se po ndien tkurrjen e konsumit dhe shtimin e konkurrencës nga të gjitha drejtimet.
Shtohen qendrat tregtare dhe hapësirat
Stoku i përgjithshëm sipërfaqes së shitjeve me pakicë në Tiranë në qendrat tregtare, në fund të vitit 2015 ishte 183,000 m², sipas të dhënave nga Colliers International. Stoku pritet që të arrijë në 243,000 m² me çeljen e Toptani Center në vjeshtë të këtij viti.
Investimet në qendrat tregtare në Shqipëri janë zgjeruar me shpejtësi që pas vitit 2005, kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU), në periferi të kryeqytetit.
Vetëm në kryeqytet, aktualisht ka 15 qendra tradicionale tregtare, 4 prej të cilave janë në periferi të tij dhe së bashku me Toptani do bëhen 16.
Zonat periferike janë shndërruar prej vitesh preferenciale për zhvilluesit e tregut, pasi ato ofrojnë mundësi për zonat e mëdha tregtare dhe hapësirë parkimi. Megjithatë, hyrja në treg e dy qendrave të reja, fillimisht Tirana Ring Center, në maj 2015 dhe Toptani Plaza, që pritet në gjysmën e dytë të 2016-s të, dëshmon se edhe qendra e qytetit po shndërrohet në një atraksion të ri.
Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International, tregon se me Tirana Ring Center në treg dhe me ardhjen e Toptani Plaza, pritet që të përmbushen kërkesat e konsumatorëve për blerje në qendër të Tiranës dhe të sjellë një shtim të vlerës së kryeqytetit nga ana komerciale, duke nënkuptuar një treg të mbingopur.
Megjithatë, znj. Dhami tregon për ‘Monitor’ se, edhe qendrat tregtare vazhdojnë të shikohen nga qiramarrësit potencialë si vende ku mund të bëhet biznes më i sigurt, sipas fluksit të konsumatorëve që ato ofrojnë, pavarësisht se nëpërmjet një kostoje më të lartë.
Qendrat kryesore tregtare në Tiranë janë të Tirana East Gate, City Park, Qendra Tregtare Univers, Casa Italia, , Kristal, Condor, Sheraton Shopping Plaza, Coin, Hekla Center, Concord Center, Metropol Center.
Tre qendrat e tjera, Blue Star, Qendra Galaktik dhe Qendra Flagship janë vendosur në Durrës, 38 km larg nga kryeqyteti. Dy degë të tjera të qendrës tregtare QTU gjenden në Fier dhe në Vlorë. Një tjetër qendër tregtare ndodhet në Elbasan, Orti Center, rreth 500 metra në autostradë.
Ka vend Tirana për qendra të reja?
Tirana Ring Center hyri një vit më parë në tregun e qendrave tregtare të kryeqytetit, duke i shtuar stokut total të qendrave një hapësirë prej 55 mijë m², me ambiente argëtimi dhe dyqane.
Në gjysmën e dytë të këtij viti pritet të vijë edhe një tjetër kompleks shumëfunksional, konkretisht Toptani Plaza.
Toptani Plaza, e konceptuar si qendër shumëfunksionale në rrugën “Abdi Toptani”, ndodhet në qendër të Tiranës, me një strukturë prej 60,000 m², nga të cilat rreth 13,000m² janë dyqane dhe rreth 17,000 m² zyra, sipas burimeve zyrtare. Është një investim i kompanisë Gener 2, ndër të tjera ndërtuesi dhe menaxhuesi i Abba Center (Coin).
Sipas të dhënave, ndonëse nga kompania nuk vijnë konfirmime të sigurta, duke lënë në mëdyshje kohën e saktë se kur do të hapet si qendër, në faqen e internetit të kompanisë dhe në rrjetet sociale kanë nisur thirrjet për qiradhënie të ambienteve.
Stela Dhami, nga Colliers International, tregon për “Monitor” se kjo qendër e re pritet që të shtojë stokun e përgjithshëm të retail, që do të shkojë në 243,000 m², si dhe të përmbushë kërkesat e konsumatorëve për në qendër të Tiranës.
Ngopet tregu me qendra, kryeqyteti njësoj si vendet perëndimore
Me hyrjen e Tirana Ring Center dhe hapjen e Toptani Complex Center në shtator, treguesi i përqendrimit të qendrave për gjithë vendin arrin në rreth 80 m2 për 1000 banorë, nga 67 m2 për 1000 banorë, që ishte para hyrjes së tyre.
Ndonëse ky indikator është i ulët në raport me vendet e tjera të rajonit (mesatarja e Europës qendrore është 209 m2 për 1000 banorë, sipas Europa Property), përqendrimi i tyre në zonën e Tiranës e Tiranës dhe Durrësit, ku jetojnë më se një e treta e popullsisë së vendit rrezikon ta çojë këtë sektor drejt mbipopullimit (Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, numri i banorëve në Tiranë vlerësohet të jetë 811,649 dhe në Durrës 278.775).
Vetëm për zonën e Tiranës e Durrësit, treguesi shkon në rreth 220 m2 për 1000 banorë, sa në vendet e tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore e Qendrore, ku fuqia blerëse është shumë më e lartë. Në Itali psh, ky tregues është 227 m2 për 1000 banorë, në Gjermani 180 m2, në Greqi 56, në Spanjë 244, ndërsa shumë i lartë është në vendet nordike, ku kryeson Norvegjia, me gati 900 m2 për 1000 banorë.
Në verë, qendrat tregtare në Shqipëri tentojnë të tërheqin edhe pushuesit nga Kosova.
Çmime të stabilizuara
Nga studimet e Colliers pohohet se çmimet e qirave mbeten të stabilizuara në vendin tonë, dhe në këtë rast flitet për qendra që funksionojnë mirë dhe kanë vite që operojnë në treg.
Por, a do të kemi ulje të çmimeve me shtimin e qendrave? Znj. Dhami tregon se hapja e qendrës Toptani Plaza pritet të ketë ndikimin e vet në treg, sa u përket çmimeve, megjithatë, ajo thekson se qendrat e stabilizuara prej vitesh nuk do të preken nga ndonjë ndryshim në nivelet e qirave të tyre.
“Me çeljen e qendrës së re Toptani, e cila parashikohet që të hapet brenda vjeshtës së 2016-s, pritet që të ketë edhe ndikime në treg, por përsëri qendrat e stabilizuara, të cilat u ofrojnë qiramarrësve konsumatorë të rregullt, do të mbeten në nivelet e mëparshme të qirave”,- tregon znj. Dhami.
Sa i përket ndryshimit të çmimeve të dyqaneve mes rrugëve kryesore tregtare dhe atyre në qendra, znj. Dhami pohon se rrugët kryesore qendrore karakterizohen nga njësi tregtare të vogla, gjë që çon në qira për m² më të larta se qiratë në qendrat tregtare, por si volum qiratë në total në qendrat tregtare janë më të larta.
Frenimi i shitjeve online, në favor të qendrave tregtare
Një vendim i fundit i qeverisë, tashmë i hyrë në fuqi, që blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 45 euro, ka shkaktuar zemërimin e konsumtorëve.
Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore). Kjo nënkupton se për të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, individët duhet të llogarisin që çmimet do të jenë 22.4% më të shtrenjta.
Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm. Në mes të vitit 2014, qeveria vendosi që të gjithë ata që blinin online dhe iu vinte produkti me postë nga jashtë vendit, paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalonte 20 mijë lekë, duke e rritur, nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.
Ky veprim, sipas Financave, bëhet për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, të cilët gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësorë me çmime të pranueshme.