A është një këngë, prova që Mozart-i nuk u vra nga Salieri?
Zbulimi i një kënge të shkruar nga të dy kompozitorët mund të shuajë përfundimisht zërat se Wolfgang Amadeus Mozart-i u vra nga konkurrenti i tij italian, Antonio Salieri. Më herët, historianët njëzëri dhe të shumtë në numër, e kanë hedhur poshtë teorinë në bazë të së cilës, italiani ishte një vrasës mediokër i fiksuar dhe xheloz, edhe pse ky perceptim zgjati shumë
Zbulimi
Të shumta kanë qenë versionet që kur Mozart-i vdiq në vitin 1791. Por ideja u përhap anembanë botës gati 200 vite më pas, pas rrëfenjës së shkruar nga Peter Shaffer-i, që tregonte për jetën dhe vdekjen e një prej gjenive më të mëdhenj të muzikës të të gjitha kohërave nëpërmjet syve të rivalit të tij, Salieri-t. Në fillim, vepra e tij mori çmimin “Tony” në 1979, dhe më pas ajo u kthye në një film me regjisor Milos Foreman-in, i cili fitoi çmimin “Oscar” në kategorinë “Best Picture” në 1985-n. Historianët njëzëri dhe të shumtë në numër, e kanë hedhur poshtë teorinë, duke përfshirë këtu edhe portretin e Shaffer-it, në bazë të të cilit, Salieri ishte një vrasës mediokër i fiksuar dhe xheloz, edhe pse ky perceptim zgjati shumë. Por tani, zbulimi më i fundit në një muze në Çeki, i një kënge e cila është shkruar në bashkëpunim, si nga Mozart-i, ashtu edhe nga Salieri mund të bëjë të heshtin përfundimisht të gjithë llafazanët, pas 225 vjetësh. Kjo këngë u gjet në fillim të vitit 2016 nga kompozitori dhe muzikologu gjerman Timo Jouko Herrmann, në librarinë e Muzeut Kombëtar të Çekisë. Ajo u kompozua në 1789, përgjatë një prej periudhave më prodhimtare të Mozart-it që nuk ndali deri në vdekje. “Kjo është një punë e përbashkët e Mozart-it dhe Salieri-t. Një kompozim që duhet vlerësuar. Ne kishim menduar se e kishim humbur atë”, u shpreh zëdhënësja e Muzeut Kombëtar të Çekisë, Sarka Dockalova. Kënga titullohet: “Per la Ricuperata Salute di Ofelia”, që përkthehet “Për shëndetin e shëruar të Ofelias”. Mendohet se Ofelia është sopranoja angleze Nancy Storace, shumë e njohur në fund të shekullit XVII. Roli i Suzanës në krijimin magjik “Le Nozze di Figaro”, Mozart-i e shkroi pikërisht për të. Kjo këngë u kompozua për të festuar kthimin e sopranos në skenë. Ajo u sëmur rëndë dhe për pasojë humbi zërin për një periudhë 5-mujore. Teksti i kësaj kënge është shkruar nga Lorenzo Da Ponte, i cili shkroi gjithashtu libretat për punimet më të famshme të operistike nga gjeniu gjerman: “Le Nozze di Figaro” (1786), “Don Giovanni” (1787) dhe “Cosi fan Tutte” (1790). Të martën e shkuar, muzeu publikoi një video të kësaj pjese, që u luajt për herë të parë pas 200 vitesh.
Në historinë e veprave të kompozuara nga gjeninë e muzikës të zbuluara së fundmi, të arrish të gjesh një krijim të dyshes Moxart-Saliari, do të thotë sikur të kesh gjetur një minierë ari. Kjo do të thotë që përveç kënaqësisë kur notat përkëdhelin mendjen tënde, të tilla janë edhe përfitimet financiare. Thashethemet se Salieri ishte i përfshirë në vrasjen e Mozart-it nisën menjëherë pasi gjeniu gjerman i muzikës u nda nga jeta më 5 dhjetor të vitit 1791, shumë afër ditëlindjes së tij të 36-të. Historianët mendojnë se Mozart-i i tha gruas së tij në muajt që çuan më pas drejt vdekjes, se ai besonte se ishte helmuar. Dhe pavarësisht se bashkëshortja, Constanze diçka të tillë nuk e besonte, ky version i historisë mbijetoi. Edhe vetë Salieri ishte në dijeni të tyre. Madje edhe kompozitori tjetër, Rossini, raportohet se ngacmoi Salieri-n rreth këtyre fjalëve kur ata u takuan në vitin 1822. Kjo tregon se sa masivisht ky thashethem përmendej, pse mbijetoi aq gjatë, dhe me shumë të ngjarë, se sa me humor merrej nga të gjithë. Por situata ndryshoi plotësisht në vitin 1823, kur Salieri tentoi vetëvrasjen dhe supozohet se u rrëfye që ai e helmoi Mozart-in. Edhe pse ai u përpoq të vetëvritej në vitin 1823, ka pak dëshmi që italiani e pranoi se ishte autori i vdekjes së kolegut të tij. Por duhet theksuar se te njerëzit, ky version i ngjarjes mbizotëronte. Në atë kohë italiani ishte 73 vjeç, në një gjendje shumë të keqe shëndetësore dhe në spital, pasi vuante nga dementia (sëmundje mendore ku individi nuk e dallon realitetin nga surrealja). Gjithashtu përflitet se ai ka hedhur poshtë këtë rrëfim fajtori në shtratin e vdekjes në vitin 1825, por sërish dëshmitë janë shumë të pakta në secilin rast. Por dëmi, me sa duket ishte bërë dhe historia më pas nisi të kalonte gojë pas goje derisa mbërriti në ditët e sotme. Në vitin 1830, vetëm 5 vite pas vdekjes së Salieri-t, shkrimtari rus Aleksandër Pushkin shkroi një rrëfim të shkurtër rreth Mozart-it dhe Salieri-t, që më pas u përshtat në një opera me një akt në vitin 1897 nga kompozitori rus Nikolai Rimsky-Korsakov. Në të dyja versionet e përrallës së Pushkinit, Salieri është dukshëm vrasësi, ku ai e fton Mozart-in për darkë, pastaj edhe e helmon. Ndërkohë, tregimi i Peter Shaffer-it “Amadeus” dhe version brilant i filmit të Milos Foreman-it me të njëjtin emër, janë paksa më pak të drejtpërdrejtë. Në versionin e Shaffer-it, edhe pse konkurrenti italian planifikoi që ta vriste Mozart-in dhe t’i vidhte kompozimin e tij të fundit, gjeniu gjerman vdiq pak para se Salieri të përfundonte planin e tij. Pra krijimtaria e Mozart-it nuk u vodh dot dhe ai e çimentoi vendin e vet në historinë e kompozitorëve të mëdhenj. Por ka pak të dhëna që mund të dëftojnë se Salieri kishte një plan të tillë, apo madje ta kishte menduar atë. Rrëfenja “Amadeus” thekson veçanërisht mediokritetin e Salieri-t si kompozitor, si faktori kryesor që nxit dëshirën për të vrarë rivalin e tij shumë më të talentuar Mozart dhe më pas t’i vjedhë punën. Por edhe ky version të çon totalisht në rrugë të gabuar.
Edhe pse nuk mund të krahasohet me Mozart-in, Salieri ishte një kompozitor i arrirë dhe novator në kohën e vet. Për më tepër, mjaft i vlerësuar mes studentëve të tij. Dhe disa emra që kanë marrë mësime nga ai janë: Beethoven, Liszt, Schubert dhe madje, edhe vetë djali i Mozart-it, Franz Xaver Mozart. Ky fakt, edhe një herë tjetër, tregon se sa seriozisht merreshin ato llafe në atë kohë. Si mund të mendohet se djali i tij Franz-i do të studionte me njeriun që dyshohej se i kishte vrarë të atin? Edhe pse italiani dështoi që të përsëriste suksesin e tij në rini dhe kompozoi shumë pak në 20 vitet e fundit të jetës, muzika e tij rigjeti një rilindje të vogël në fillim të viteve 2000, kur mexosopranoja e famshme, Cecilia Bartoli, regjistroi një album të plotë me krijimet e tij në 2003. Më pas, shumë skena operistike shfaqën krijimet e Salieri-t, përfshirë këtu edhe skena e famshme “La Scala”, e Milanos. Për rihapjen madhështore të saj në vitin 2004, drejtuesit përdorën operën e Salieri-t “Europa Riconosciuta”. Sa i përket arsyes së vërtetë të vdekjes së Mozart-it, pistat janë të ndryshme. Ka teori që thonë se ai jetonte në kushte të këqija dhe ishte shëndetligë, por edhe nga ato komplotistet, sipas të cilave, gjeniu gjerman u vra nga masonët, sepse ai tregoi sekretet e organizatës në operën e tij të fundit “Flauti magjik”. Në 2001, doktori Jan V. Hirschmann, specialist i sëmundjeve infektive, shqyrtoi ditarët dhe letrat që Mozart-i i dërgoi gruas së tij. Ai fajësoi për vdekjen e kompozitorit të madh krimbit “trichinae” (parazit mishngrënës), të cilin e mori pasi hëngri mish deri të pagatuar siç duhet. Dëshmia e këtij bashkëpunimi mund t’i japë fund njëherë e përgjithmonë teorisë së vrasjes Salieri-Mozart. Të paktën derisa të dalë një krijim i ri i rrëfenjës “Amadeus”, e cila do të rinisë një debat të gjerë publik.