A humbet me të vërtetë një fëmijë çdo 90 sekonda në SHBA?
Një kanal televiziv në Uashington DC së fundmi startoi një fushatë të vigjilencës mbi sigurinë duke përdorur hashtagun #çdo 90 sekonda dhe duke pretenduar kështu se një fëmijë humbet në SHBA, mesatarisht, në çdo një minutë e gjysmë.
Kjo është një shifër që është cituar gjerësisht në median amerikane gjatë disa viteve të fundit, shpesh për arsyet më të mira, si në këtë rast. Tingëllon shqetësuese, sepse me logjikë mund të arsyetohet se u referohet rrëmbimeve ose fëmijëve në rrezik real.
Por nga vjen shifra e 90-sekondëshit?
Është e bazuar në një studim të vitit 2002 të Departamentit Amerikan të Drejtësisë. Ky ekzaminoi të dhëna nga 1999 nga një rrjet i gjerë burimesh, përfshirë raportet e policisë dhe intervistat me prindërit dhe fëmijët dhe zbuloi se 797,500 fëmijë raportoheshin të humbur kudo në vend. Nuk ka pasur studim tjetër të madh që atëherë.
Në 1999 kishte rreth 72 milionë persona nën moshën 18-vjeçare në SHBA, ndaj kjo llogaritej si një fëmijë i zhdukur për çdo 90 syresh në një vit të vetëm – një shifër shumë alarmante.
Por çfarë nënkupton vërtet studimi kur thotë se një fëmijë është i humbur?
“Koncepti i fëmijës së zhdukur është keqkuptuar gjerësisht”, thotë profesor David Finkelhor, që është bashkautor i studimit dhe drejtor i Qendrës së Kërkimit për Krimet Ndaj Fëmijëve në Universitetin Nju Hampshire.
Ka shumë arsye përse një fëmijë humbet. Ai mund të largohet me vullnet, nuk mund të ketë mbërritur në shtëpi në kohë dhe çaste të tilla mund të jenë shqetësuese, por janë të ndryshme nga rastet e fëmijëve që janë rrëmbyer nga një i panjohur në rrugë.
“Numri i fëmijëve që në fakt rrëmbehen nga të panjohurit është tepër i vogël”, tha Finkelhor.
Vetëm 115 nga 797,500 fëmijë ishin subjekt i asaj që Finkelhor dhe bashkautorët e tjerë e përcaktojnë si një rrëmbim të zakonshëm 0 që është kur ata rrëmbehen nga një i panjohur dhe mbahen gjatë natës, ndoshta përkohësisht ose largohen të paktën 50 milje më tutje.
Në fakt, pothuajse gjysma e fëmijëve të regjistruar në studim ishin pjesë e asaj që autorët e quajnë ‘humbje aksidentale’ që do të thotë se prindërit ose kujdestarët kanë menduar se ata kanë humbur, por janë kthyer shpejt.
Shumë prej fëmijëve të raportuar si të humbur nuk ishin në fakt të humbur.
Për më tepër, ka prova që sugjerojnë se madhësia e problemit është tkurrur në 13 vitet pasuese që prej publikimit të studimit, por ende ekziston dhe ende shkakton dhimbje te të prekurit.
Në vitin 2014, FBI-ja mori rreth 600,000 raportime të njerëzve të humbur, shumica e të cilëve ishin nën moshën 18 vjeç. Por kjo shifër ka qenë në ulje që prej 1997-s, kur rreth një milion persona të humbur raportoheshin.
Finkelhor thotë se teknologjia e ka bërë më të sigurt jetën për fëmijët.
“Ndryshimi më i madh ka qenë zotërimi i celularëve, që u lejon prindërve dhe fëmijëve të qëndrojnë në kontakt me njëri-tjetrin. Ndaj për shembull, episodet e ‘humbjes aksidentale’ kanë më shumë gjasa të jenë ulur shumë meqenëse prindërit mund të telefonojnë dhe të zbulojnë se çfarë po ndodh”, thotë ai.
Kërkuesi aktualisht po bën një hulumtim për një studim të përditësuar, që do të publikohet këtë vit. Por për tani ai thotë vetëm se numrat e fëmijëve të humbur reflektojnë një ulje të dokumentuar në nivele të përgjithshme të aktivitetit kriminal në SHBA.
“Në Shtetet e Bashkuara, krimet janë ulur ndjeshëm. Krimet kundër fëmijëve kanë rënë, sulmet seksuale dhe vrasjet kanë rënë gjithashtu. Ndaj ka shumë gjasa që disa prej këtyre episodeve të fëmijëve të zhdukur që janë të motivuar prej qëllimit kriminal të kenë rënë gjithashtu”.
Ky është një lajm i mirë për ata që u alarmuan nga shifra e vitit 2002, por edhe një rast për të rritur vigjilencën dhe kontrollin mbi fëmijët.
*Burimi: BBC.