A i kemi mbledhur statistikat gabim në botë?
Mënyra se si shtetet kudo në botë mbledhin statistikat është plotësisht e pasaktë për nga aspektet e jetës së grave dhe punës së tyre brenda dhe jashtë shtëpisë. Çfarë duhet bërë?
“Ne besojmë se ka një krizë seksiste të dhënash”, thotë David McNair, drejtor i transparencës pranë One Campaign, një grup që lufton varfërinë.
“Arsyeja përse të dhënat janë seksiste është se gratë dhe vajzat lihen në mënyrë joproporcionale jashtë mbledhjes së të dhënave. Ato nuk llogariten, kështu që cilësohen si të pavlera”.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit dhe kandidatja në garën presidenciale, Hillary Clinton, bie dakord.
“Për shumë vende kemi mungesë të të dhënave të besueshme dhe të rregullta edhe për faktet më bazike të jetës së grave dhe vajzave”, tha ajo në një konferencë për të dhënat në Uashington në vitin 2012.
Fakte të tilla si lindja e fëmijës së parë, orët e paguara dhe të papaguara të punës, nëse e kanë nën pronësi tokën që punojnë, janë të gjitha të panjohura në shumë shtete.
Ekspertët besojnë se kjo është e ngjashme me një vrimë të zezë në sistemin e mbledhjes së të dhënave pasi gratë përbëjnë gjysmën e popullatës.
Shumica e vendeve mbledhin të dhëna nga sondazhet e forcës punëtore apo sondazheve të kryefamiljarëve, por stili i pyetjeve shpesh daton nga koha pas Luftës së Dytë Botërore, thotë Marina Buviniç, një eksperte e Qendrës për Zhvillim Global, një organizatë analistësh.
“Këto sondazhe janë ndërtuar dhe projektuar me një paragjykim në veçanti. Ato janë të njëanshme, sepse lidhen më tepër me sektorin formal të punësimit, që lidhet më tepër me punën e burrave”, thotë ajo.
Buviniç argumenton se shumë gra lihen mënjanë panoramës së realitetit sepse konsiderohen kryesisht si shtëpiake, kur në fakt punojnë në fermat e tyre, bëjnë punë me kohë të pjesshme dhe punë sezonale, ose drejtojnë bizneset e veta.
Ajo thekson se një sondazh i forcës së punës në Ugandë në vitet 1990 tregon pikërisht këtë.
Një vit, sondazhi i pyeste njerëzit vetëm për aktivitetin e tyre primar, pra punën kryesore. Një vit më vonë ata shtuan një pyetje të re në pyetësor, duke i pyetur njerëzit rreth aktivitetit të tyre sekondar.
Numri i regjistruar i punëtorëve në Ugandë papritur u ngrit nga 6.5 milionë në 7.2 milionë punëtorë.
“Kjo do të thotë se rreth 700,000 punonjës nuk u regjistruan herën e parë”, thotë ajo, duke shtuar se shumica e tyre ishin gra.
Por ndërsa pranon se sondazhet nuk bëjnë pyetjet e duhura, ajo gjithashtu argumenton se ne duhet të matim punën që është zakonisht e papaguar, si për shembull pastrimi dhe gatimi, dhe ta përfshijmë atë në statistikat ekonomike.
Ka edhe probleme të tjera gjithashtu, sipas Buviniç. Jo të gjitha vendet mbledhin statistika për aspektet e tjera për jetës së grave, si dhuna në familje apo normat e vdekshmërisë në lindje.
Edhe kur këto të dhëna mblidhen, ato shpesh e bëjnë këtë në mënyra të ndryshme, duke e bërë të vështirë krahasimin ndërkombëtar.
Jo vetëm statistikat qeveritare kanë mangësi, sipas aktivistëve. Ka edhe shumë statistika të mbledhura pa u saktësuar seksi, gjë që e bën edhe më të vështirë të kuptohet kur gratë trajtohen në mënyrë të pabarabartë.
“Deri së fundmi, vetëm pak i ndanin të dhënat e klientëve të tyre sipas gjinisë, duke çuar në vështirësi në kuptimin e arsyeve pas hendekut gjinor që vazhdon ende në aksesin dhe përdorimin e shërbimeve financiare”, thotë Megan O’Donnell, një nga koleget e Buviniç në Qendrën për Zhvillim Global.
Ajo thotë gjithashtu se ka një problem me eksperimentet e shëndetit dhe statistikat.
“Burrat kanë qenë zakonisht subjektet tradicionale të testimeve kur fizikanët studiojnë sëmundjet dhe problemet e tjera shëndetësore. Për shkak se gratë nuk kanë qenë subjekt i testeve dhe ngaqë metabolizmi i tyre ndryshon, nuk kemi një kuptim të barabartë të trajtimeve, mjekimeve dhe zgjidhjeve të tjera të problemeve që me gjasa i prekin ato”.
Nëse nuk e llogarisim diçka, nuk mund ta zgjidhim atë problem, argumenton David McNair.
Statistikat e sakta i ndihmojnë qeveritë të planifikojnë dhe të investojnë, argumenton ai. Një qeveri që nuk llogarit vdekshmërinë e nënave nuk do ta zgjidhë problemin dot, ngaqë nuk e di se sa larg shtrihet ai.
Do të ishte më e lehtë për gazetarët dhe shoqërinë civile t’i kërkojë llogari qeverive. McNair thotë se disa politikanë e dinë këtë gjë.
“Nëse i mbledh të dhënat siç duhet, atëherë të kërkohet llogari për vendimet e tua. Ka njerëz që kanë interesa ndaj e fshehin informacionin nga syri i publikut”, thotë ai.
Për shembull, nëse shifrat e punësimit e bëjnë një politikan të ngjajë keq, ai nuk do që ato të mblidhen.
Është më e lehtë për politikanët të ulin burimet financiare në mbledhjen e statistikave. Ata mund të fotografohen krah një shkolle që kanë financuar, por mund të mos marrin shumë respekt për financim të shërbimeve të mira të statistikave.
Pak progres është bërë. Së fundmi, Organizata Ndërkombëtare e Punës së OKB, ILO, mbajti një konferencë ku statisticienët e punës ranë dakord mbi mënyrën si të mbledhin të dhënat mbi punën e papaguar dhe atë shtëpiake, si për shembull për kohën e shpenzuar për të pastruar shtëpinë.
Dhjetë shtete kanë dalë vullnetare për të marrë pjesë në një program pilot mbi marrëveshjen e re. Në të ardhmen, pritet që bota të arrijë të zgjidhë problemet me mënyrën se si ajo llogarit aspektet e jetës së grave.