BotaOpinion

A mund ta pastrojë Joe Biden rrëmujën që la pas Donald Trump?

Xho Bajden duhet që të krijojë ekipin e duhur, dhe të zbatojë politika që mund t’i rikthejnë Amerikës reputacionin e saj global, që të rimarrë lidershipin e aleancës së demokracive liberale, dhe të heqë dorë nga politikat miope dhe kundër-produktive të “America First” të administratës Trump.

Trump e cilësonte veten si një “president të kohës së luftës”, pasi pretendonte se po luftonte ndaj Covid-19. Por përgjigja e tij ka qenë në rastin më të mirë e dobët, dhe ai mezi e ka pranuar faktin që më shumë se 230.000 amerikanë, kanë gjetur deri tani vdekjen nga kjo sëmundje.

Mediat raportuan se sapo Bajden të marrë detyrën, ai do të shtojë numrin e testimeve ditore, do të sigurojë një furnizim të qëndrueshëm të spitaleve me pajisje mbrojtëse, do të shpërndajë një vaksinë anti-Covid, dhe do të sigurojë fondet e nevojshme për shkollat ​​dhe spitalet.

Dhe Bajden do të drejtojë përmes shembullit personale, gjë që Trump nuk ishte në gjendje ta bënte, duke mbajtur maskën në publik në mënyrë të vazhdueshme, dhe duke marrë pjesë në aktivitete me distancën e duhur sociale.

Por Bajden mund të shkojë më tej, duke krijuar një pozicion të ri në Shtëpisë së Bardhë për epokën Covid-19, një zëvendës këshilltar të Sigurisë Kombëtare për shëndetësinë, që të jetë një ekspert i shëndetit publik. Kjo do ta ndihmonte për të koordinuar reagimin e qeverisë ndaj krizës më të rëndë të shëndetit publik në një shekull.

Në këtë post mund të vendoset dr.Entoni Fauçi, që ka këshilluar 6 presidentë, dhe që besohet shumë nga publiku amerikan. Ndërkohë ekipi i sigurisë kombëtare të Bajden, duhet të vendosë një rregullore mbi vendimet që merren, dhe të cilat deri tani merren më shpesh përmes  Tëitterit të Trump, sesa nga diskutimet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Një shembull domthënës: Në tetor 2019, Trump shkroi në Tëitter se të gjithë ushtarët amerikanë duhej të ktheheshin nga Afganistani deri në Krishtlindje. Por kjo deklaratë u hodh poshtë nga gjenerali Mark Millej, kryetari i Shefave të Përbashkët të ushtrisë amerikane.

Nga ky konfuzion përfitojnë vetëm talebanët, synimi kryesor i të cilëve është tërheqja e të gjithë trupave amerikane nga Afganistani. Zyrtarët e Trump po negociojnë një lloj marrëveshje paqeje me Talibanët, por ata kanë zero fuqi, pasi këta të fundit  e dinë se të gjitha trupat amerikane do të largohen gjithsesi së shpejti.

Bajden, duhet që të ruajë një prani të vogël të trupave tona në Afganistan për misionet kundër terrorizmit.  Nga ana tjetër, sapo të marrë detyrën, ai ka premtuar se do të anulojë vendimin e administratës Trump për të dalë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila gaboi në fillim të luftës ndaj koronavirusit, kur nuk iu kundërvu si duhet gënjeshtrave të Pekinit në lidhje me origjinën e virusit.

Kjo është lëvizja e duhur, pasi OBSH-ja është ende i vetmi organ që mund të reagojë në të gjithë botën ndaj asaj që është në fund të fundit një pandemi globale. Në një artikull që shkroi për “Foreign Affairs” në fillim të këtij viti, Bajden premtoi se nëse fitonte do t’i ribashkohej menjëherë Marrëveshjen së Klimës së Parisit, një vendim ky më se i logjikshëm, teksa 2020-a do të jetë me siguri viti më i nxehtë, që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave meteorologjike.

Marrëveshja i bën thirrje SHBA-së të ulë me të paktën 26 për qind në krahasim  me vitin 2005 të emetimeve të gazeve serë në atmosferë brenda 5 viteve të ardhshme. Bajden thotë se do të hyjë sërish në marrëveshjen bërthamore të Iranit, nëse iranianët do ta respektojnë këtë pakt.

Presidenti i zgjedhur, duhet të mos vazhdojë sjelljet arrogante ndaj aleatët tanë të ngushtë, si gjermanët dhe kanadezët, siç ka bërë në mënyrë të përsëritur Trump. Gjithashtu ai duhet të mos lavdërojë autokratë si Kim Jong Un i Koresë së Veriut.

Prej kohësh dobësimi i aleancës së NATO-s, ka qenë një synim kryesor i presidentit rus Vladimir Putin. Xho Bajden duhet të riafirmojë gjithashtu angazhimet amerikane ndaj NATO-s, të cilën sekretari i dikurshëm i mbrojtjes së presidentit Trump, Xhim Matis, e përshkroi në publikisht në 2017 si “aleanca ushtarake më e suksesshme dhe e fuqishme në historinë moderne”, por diçka që ish-shefi i Matis, nuk u duk se e kuptoi ndonjëherë.

Në të njëjtën kohë, Bajden duhet t’i bëjë të qartë Putinit se raporti i mirë i tij “vëllazëror” me Trumpin, ishte një shmangie në politikën e jashtme të SHBA-ë, dhe se Uashingtoni do të ketë një qasje të ashpër ndaj çdo lloj ndërhyrjeje në proceset zgjedhore amerikane, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj aleatëve të Putinit, që janë të përfshirë në këto aktivitete.

Për hir të së vërtetës, administrata Trump pati një qasje skeptike ndaj ekspansionizmit ushtarak të Kinës, dhe praktikave të saj të padrejta tregtare. Bajden duhet të vazhdojë në këtë rrugë, por duhet të bëjë më shumë për të kritikuar publikisht burgosjen nga regjimi kinez i rreth 1 milionë ujgurëve, apo edhe shtypjen e të drejtave dhe lirive në Hong Kong.

Presidenti i ri duhet gjithashtu të ndryshojë disa nga politikat më të urryera të administratës Trump mbi emigracionin, që ndanë më shumë se 500 fëmijë nga familjet e tyre në kufirin jugor. Administrata e Trump thotë se do të lejojë hyrjen në vend të vetëm 15.000 refugjatëve vitin e ardhshëm, kur bota ka më shumë refugjatë se sa në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Me të drejtë, Bajden ka thënë se do të lejojë vendosjen e rreth 125.000 refugjatëve çdo vit në SHBA. Bajden thotë se do t’i japë fund “ndalimit të udhëtimit”, që synon kryesisht vendet me shumicë myslimane. Ai akt nuk bëri asgjë për të parandaluar sulmet terroriste xhihadiste, që ndodhën gjatë 4 viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara. /CNN/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button