Te ndryshme

A mund të ndalojmë së menduari?

A keni provuar ndonjëherë të mos mendoni për asgjë? Edhe sikur të sforcoheni për ta bërë këtë gjë, ju do të merrni efektin e kundërt. Madje truri juaj do të vazhdojë të mendojë edhe më mirë!

Është demonstruar se truri nuk çlodhet asnjëherë, as edhe kur mendja lihet e lirë!

Të mendosh nuk do të thotë vetëm të arsyetosh, të reflektosh apo të kujtosh në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të qëllimshme, por edhe të imagjinosh, të fantazosh, t’u kushtosh vëmendje gjërave të pëlqyeshme ose atyre momentale.

Të heqësh mendjen nga gjithçka është e pamundur, sepse truri ynë nuk çlodhet asnjëherë: në mesin e viteve ’90, në Washington University School of Medicine të St. Louis (SHBA), është zbuluar një qark i rajoneve të trurit (i quajtur “default mode network”, ose ndryshe “rrjeti cerebral i default), i cili aktivizohet pikërisht kur nuk bëhet asnjë sforco njohjeje dhe mendja lihet të endet e lirë!

Konsumohet 20 herë më shumë energji cerebrale sesa ajo e përdorur për të dhënë një përgjigje të thjeshtë ose nga ngacmimi i një stimuli të jashtëm.

Relaksimi

Ndërkohë, kur një individ sforcohet për të mos menduar për diçka, merret efekti i kundërt. Nga psikologu i Harvardit, Daniel Wagner, është demonstruar se, nëse dikujt i kërkohet që të mos mendojë për asgjë, për shembull për një film të sapoparë, ai mendon edhe më shumë për të. Megjithatë, kushdo që praktikon meditimin arrin të ketë një sjellje më të qetë dhe të shkëputur nga mendimet e veta ose të paktën fiksohet vetëm në një gjë të vetme dhe jo te shumë gjëra përnjëherësh.

Meditimi si çlodhje e mendjes

Konstatimet paraqesin faktin që në mijëra vjet njerëzit kanë perfeksionuar vetëdijen nëpërmjet meditimit. Në ditët e sotme të civilizimit, me qindra mijëra individë janë bërë meditues të rregullt.

Meditimi përcaktohet si formë e përqendrimit të shtendosur që mund të bllokojë stimujt shqisorë, vëmendje largues. Meditimi mendohet të jetë me efekte mjaft pozitive për organizmin; këto efekte psikologjike, sipas studimeve, përmirësojnë jetën e individit duke sjellë një gjendje të ulët stresi, përmirësim të besimit në vetvete, si dhe një seri efektesh pozitive në patologjinë humane. Heq stresin, heq simptomat e ankthit dhe të depresionit dhe është një “ilaç” për të gjithë ata që e kanë të vështirë të përqendrohen: për përfitimet që meditimi sjell është folur shpesh, por kjo disiplinë (në të gjitha manifestimet e saj të ndryshme), nëse praktikohet vazhdimisht, mund të japë edhe më shumë avantazhe të papritura.

Ndërkohë, meditimi mund të ngadalësojë procesin e plakjes qelizore. Disa studime, duke përfshirë një sërë hulumtimesh të Universitetit të Kalifornisë në Davis, kanë treguar se meditimi përmirëson aktivitetin e enzimës së telomerazës, e cila rindërton dhe zgjat telomeret, sekuencat e ADN-së të vendosura në fund të kromozomeve. Mbrojtja e telomereve është thelbësore për të garantuar jetëgjatësinë e qelizave.

Gjithashtu, në një studim të kryer në vitin 2006, një grupi studentësh universitarë iu kërkua që të zgjidhnin mes gjumit, meditimit ose të parit televizor, përpara se të bënin një test për të verifikuar nivelin e tyre të vigjilencës. Kush meditoi, mori rezultate më të mira, me 10%, në krahasim me këdo që bëri një sy gjumë ose që pa televizor.

Meditimi mund të ndihmojë shumë persona, të cilët vuajnë nga ndonjë sëmundje, sepse duke u çliruar nga mendimet negative nëpërmjet kësaj disipline, dhembjet që përjetojnë bëhen më të lehta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button