A mund të vetëpropozohet për president? Ja si përgjigjet kreu i LDK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Lumir Abdixhiku, i cilësoi si “spekulime” raportimet se ai mund të jetë kandidat për president të vendit, duke theksuar se “s’ka gjasa që të vetëpropozohem” për këtë post.
Gjatë një prononcimi për gazetarë më 11 prill, Abdixhiku, partia e të cilit ka 15 vende në Kuvendin prej 120 anëtarësh, tha se me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit të 6 prillit, nuk ka folur për mundësinë që ai të bëhet presidenti i shtatë i Kosovës.
“Nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha Abdixhiku.
Më 5 mars, LVV-ja paraqiti dy propozime për president: kryediplomatin Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Kreu i LDK-së tha se Kosovës i duhet një president që është unifikues, që është i mirë në politikën e jashtme, ia hap dyert Kosovës në tryezat ndërkombëtare, duke shtuar se “besoj që Vjosa Osmani ka qenë një kandidate e shkëlqyeshme”.
The post A mund të vetëpropozohet për president? Ja si përgjigjet kreu i LDK-së appeared first on Sot News | Lajme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.