A po rrezikon fushata zgjedhore në Serbi të përkthehet në dhunë më të madhe në rrugë?
Përplasjet mes mbështetësve të partive kundërshtare në rrugët e Serbisë, që nga fillimi i protestave masive studentore kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiçit, janë kthyer në realitet të rrezikshëm, sipas një analize të gazetës serbe Danas.
Bashkëbiseduesit e Danas-it nga partitë opozitare që u tërhoqën nga zgjedhjet për të mbështetur Listën Studentore akuzojnë njëzëri naprednjakët (SNS) si nxitës të përplasjeve, ndërsa thonë se studentët po i shmangin me sukses provokimet. Ndërsa fushata zgjedhore përshpejtohet dhe tensioni në rrugë po rritet, shtrohet pyetja nëse fushata do të përkthehet në dhunë edhe më të madhe.
Biljana Stojković nga Partia Demokratike i thotë Danas-it se regjimi po e kërcënon demokracinë me dhunë, ndërsa Robert Kozma nga Zeleno-levi front pretendon se SNS po i provokon duke dërguar anëtarët e saj pranë tubimeve të studentëve, për të krijuar përshtypjen se “të gjithë janë njëlloj” dhe për t’i demotivuar votuesit.
Ndërkohë, Miloš Parandilović nga Novo lice Srbije e akuzon SNS-në për një fushatë agresive të bazuar në dhunë, duke kujtuar për Danas-in rastin kur aktivistët e SNS-së rrahën një studente me shkopinj bejsbolli, të cilët Vuçiçi i quajti heronj.
Thirrja e bashkëbiseduesve është e qartë: të mos bien pre e provokimeve, por të dalin masivisht në votim më 25 tetor, si përgjigje demokratike ndaj dhunës në fushatë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.